Negociatat, ministrat që ikin nga qeveria
Koalicioni me LSI-në largon gjysmën e ministrave. Godo: Na takon një ministri. PDI: Nuk duam ministri por përfaqësim
Largohen Oketa, Gjana, Nishani e Alibeaj. Përplasje Basha-Topalli për diplomacinë
TIRANË- Deri në muajin shtator, kur do të mblidhet Parlamenti i ri e të zgjidhet qeveria e re, kryeministri Sali Berisha do të vijojë mbledhjet e kabinetit qeveritar. Por, për një pjesë të konsiderueshme të ministrave, janë herët e fundit që do të ulen në tryezën e Këshillit të Ministrave. Marrëveshja me Lëvizjen Socialiste për Integrim kushtëzon Kryeministrin Berisha që të mos ketë në ekzekutivin e vjeshtës disa prej ministrave aktualë, që janë në radhët e Partisë
Demokratike. Gazmend Oketa, ministri i Mbrojtjes, sipas të gjitha gjasave, nuk do të vijojë të jetë më pjesë e qeverisjes së ardhshme.
I njohur si një nga njerëzit më të afërt të Presidentit Bamir Topi, pavarësisht se ishte ministër në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Bukuresht,si edhe në Strasburg në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut
të Veriut, ai nuk u vu në krye të listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Durrësit. Ai ishte i treti në listën e PD-së, ndërsa nuk ishte protagonist gjatë fushatës në këtë qark. Fushata dhe debatet televizive iu besua dyshes Xhaferri-Vokshi. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili kryesonte Qarkun e Dibrës, duket se nuk do të jetë në 4- vjeçarin e ardhshëm të qeverisjes.
Sipas burimeve nga PDja, Gjana është lakuar gjithnjë për t'u larguar, sa herë që gjatë mandatit të parë të Berishës, janë bërë ndryshime. Por këtë herë, duket se edhe për shkak të raporteve brenda vetë PDsë, Gjana mundet të mos jetë në planet e vijimësisë qeverisëse të Berishës. Burime brenda PD-së, thonë se edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, është në pikëpyetje.
Nëse Ministria e Transporteve do i kalojë LSI-së, atëherë zërat në PD thonë se në këtë dikaster, kandidatura më e fortë është ajo e Sokol Olldashit. Po ashtu, edhe Enekelejd Alibeaj, i zgjedhur deputet në Fier, duket se do të ndërrojë kolltukun e ministrit të Drejtësisë sërish me Ilir Rusmalin. Ky i fundit përflitet si një nga kandidaturat që do të rikthehet sërish pranë Berishës, ashtu si në 4-vjeçarin e parë. Edhe ministri më i ri në qeverinë aktuale, ai i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, nuk është i sigurt nëse do të vijojë të jetë "lojtar" në mandatin "Berisha 2". Brenda një kohe të shkurtër, ai u bë ministër dhe deputet i kryeqytetit, por sërish mund të jetë në pikëpyetje, për shkak të llogarive brenda PD-së.
Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha nuk ka vendosur ende mbi kërkesat e LSI-së për katër portofole dhe kryesimin e Kuvendit. Në rast se Meta do të ulet ne drejtimin e legjislativit, atëherë në kabinetin e ri do të lirohet një vend edhe për Jozefina Topallin, e cila gjithnjë ka preferuar Ministrinë e Jashtme, post të cilin jo pak lehtë mund ta "lirojë" Lulëzim Basha. Edhe pse asgjë
nuk është zyrtare dhe se Kryeministrit Berisha do t'i duhen edhe pak ditë për të arritur në përfundime konkrete, e vetmja gjë e sigurt është se kabineti i ri do të riformatohet në pjesën më të madhe të tij.
Qendrimi
Meta: Rama përjashtoi çdo tentativë për bashkëpunim
TIRANË - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, lëshoi dje një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj liderit socialist, Edi Ramës, duke thënë se ai kishte refuzuar ofertën e Ramës për ta bërë atë Kryeministër me vota të trafikuara në kampin e djathtë. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Meta e ka cilësuar humbjen e koalicionit të majtë si humbje personale të
liderit të opozitës, Edi Rama, pasi ka qenë ai që ka përjashtuar çdo tentativë për bashkëpunimin, që i është ofruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe që ka insistuar për miratimin e Kodit të Ri Elektoral, nga i cili, sipas Metës, humbi 12 mandate. "Më vjen keq që kryetari i PS-së vazhdon të sillet në mënyrë hipokrite dhe kalon në sulme personale, ndërkohë që duhet të mbajë premtimin e tij për këtë humbje, e cila është e tij personalisht. Pasi ka qenë ai që ka insistuar për Kodin, i cili i ka humbur së majtës 12 mandate. Ka qenë ai që ka përjashtuar çdo tentativë për bashkëpunimin që i është ofruar nga ne", - tha Meta. Por
vendimi i marrë prej Metës për bashkëpunimin me PD-në, ka lëkundur besimin e tij për të qenë në krye të LSI-së edhe për një mandat të dytë.
Reagimi
Akuzat e Metës,PS: Ai është i pafytyrë!
TIRANË- Forca e majtë politike tashmë është më e bashkuar se kurrë dhe e pastruar nga mbetjet e politikës së vjetër. "Ilir Meta i dha popullit opozitar një goditje të pabesë, por njëkohësisht e çliroi atë duke u jashtëqitur nga trupi i së majtës. Sot, e majta është e
ribashkuar dhe, si asnjëherë më parë, e vetëdijshme për gjithçka ka ndodhur". Kjo është përmbajtja e deklaratës së lëshuar nga selia e PS-së, pas intervistës së Metës për "Zërin e Amerikës". Gjithashtu, në deklaratë evidentohet shitja e 83 mijë votave të popullit në
këmbim të përfitimeve individuale dhe vijimësia e marrëveshjes së fshehtë të bërë me Berishën. "Deklarata e Ilir Metës është një vijim i turpshëm i pazarit të turpshëm të shitjes së 83 mijë zemrave opozitare tek Berisha, për të marrë në këmbim disa portofole në qeverinë e "Gërdecit". Akuzat e Ilir Metës ndaj PS-së, janë pjesë e pafytyrësisë së njeriut që tradhtoi 83 mijë shqiptarë, të cilëve ua mori votat për të hequr Berishën, kur në fakt ishte marrë vesh
me Berishën për t'i dhënë votat e tij", - thuhet në deklaratë.