Mbyllet tërësisht tuneli i Kalimashit
Pas një mbylljeje 8-orëshe gjatë natës, ministria deklaron mbylljen e plotë të tunelit të përuruar 3 ditë para zgjedhjeve
Burime nga kompania ndërtuese kanë bërë të ditur se punimet përgjatë natës nuk kanë rezultuar të suksesshme
KUKËS - Tuneli i Kalimashit mbyllet në kohë të plotë, ndërkohë që mendohet të hapet të enjten, por pas kësaj dite ekspertet mendojnë se tuneli do të funksionojë përgjatë 24 orëve. Gjatë kësaj kohe, të gjitha automjetet do të qarkullojnë në rrugën e vjetër, pikërisht në atë Kukës-Fushë-Arrës-Pukë-Vau i Dejës-Tiranë ose Kukës-Fushë-Arrës-Shpal-Rrëshen-Tiranë. Ministria e Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit ka bërë të ditur të dielën në një njoftim zyrtar se tuneli i Kalimashit do të mbyllet përkohësisht nga ora 23:00 e ditës së diel deri të enjten ku gjatë kësaj periudhe do të kryhen punime në tunel, kryesisht punime elektromekanike.
***
Mbrëmjen e 29 qershorit tuneli i Kalimashit u bllokua në kohë të pjesshme nga ora 23:00 deri në orën 07 të mëngjesit. Por punimet përgjatë këtij orari nuk kanë rezultuar të suksesshme pasi një pjesë e mirë e kohës përdorej për vendosjen dhe zhvendosjen e makinerive nga tuneli. "Orët inxhinierike (23:00 deri 07) nuk dhanë efektin e duhur pasi një pjesë e mirë e kohës harxhohej për zhvendosjen e makinerive. Gjatë periudhës nga e hëna deri të enjten mendohet të kryhen punimet e domosdoshme dhe shpresojmë që tuneli pas kësaj dite të funksionojë përgjatë 24 orëve",- thotë një burim nga operatori ndërkombëtar i tunelit të Kalimashit.Të njëjtat burime bëjnë të ditur se gjendja e sigurisë u përkeqësua dhe eksperti i pavarur Arnold Dix që mbikëqyr parametrat e sigurisë në tunel ka dhënë alarmin për këtë fakt. Dje tunelin e Kalimashit e kanë inspektuar edhe drejtuesit e Ndërmarrjes së Rrugëve ku pas konsultimeve kanë vendosur që tuneli të mbyllet përgjatë 24 orëve deri në eliminimin e të gjitha defekteve që rrisin pasigurinë në tunel.
***
Burime nga operatori ndërkombëtar i tunelit bëjnë të ditur se gjatë kësaj kohe në tunel do të kryhen punime elektromekanike duke zëvendësuar ndriçimin ndërtimor me ndriçimin final të tunelit, si dhe do të realizohen edhe disa ndërhyrje në pjesën e tunelit ku është vendosur rrjeta e sigurisë, pasi në këtë gjatësi gjendja ishte përkeqësuar. Hapja e tunelit të Kalimashit dhe përfundimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri ka shtuar qarkullimin në aksin rrugor Durrës-Kukës-Morinë-Prishtinë dhe anasjelltas.
Ky qarkullim përmes Kukësit nuk ishte vënë re as në verën e vitit 1999 ku të gjithë emigrantët ktheheshin për herë të parë në Kosovën e lirë. Ndërprerja e qarkullimit në tunelin e Kalimashit me orar inxhinierik (23:00-07:00) ishte paralajmëruar nga drejtuesit e firmës menaxhuese të tunelit "Savernik"dhe ata të kompanisë ndërtuese "Bechtel&Enka" që në ditën e përurimit të lëshimit të qarkullimit në tunel dhe në autostradën Fushë-Dukagjin-Rrëshen me 25 qershor. Por për arsye të fushatës elektorale dhe të zgjedhjeve të 28 qershorit që u zhvilluan në Shqipëri kjo nuk kishte ndodhur.
***
Përurimi i tunelit të Kalimashit dhe i autostradës Durrës-Kukës-Morin është bërë me 25 qershor, vetëm tri ditë para zgjedhjeve parlamentare. Por në ditën e përurimit tuneli nuk kishte përfunduar plotësisht. Me 26 qershor në orët e mbrëmjes, një kamion dëmtoi rrjetën e sigurisë, të vendosur në një gjatësi prej 300 metrash ku për pasojë kanë rënë disa gurë në dyshemenë e tunelit duke bllokuar qarkullimin. Kompania ndërkombëtare që ka fituar tenderin për menaxhimin e tunelit të Kalimashit ka bërë të ditur se kanë përfunduar punimet e shpimit në tubin tjetër të tunelit. Në këtë tub do të përfundojnë të gjitha punimet, kështu që me përfundimin e tij qarkullimi do të zhvendoset në këtë tunel, ndërsa tuneli ku bëhet qarkullimi aktualisht do të mbyllet për të përfunduar të gjitha punimet. Kjo pritet të ndodhë në vjeshtë kur llogaritet që të përfundojë plotësisht tubi në pjesën lindore të tunelit të Kalimashit.
PROBLEMET
Aksi rrugor s'e përballon fluksin e automjeteve
Përgjatë këtyre ditëve ky aks rrugor ka pasur një fluks në rritje të mjeteve të shumta, sidomos nga Kosova, ku çdo ditë numri i tyre që hynte në Morinë e kalonte 1000 mjete, si dhe mbi 30 autobusë kryesisht me pushues për në brigjet e deteve shqiptare, si në Durrës, Sarandë dhe Shëngjin. Gjithashtu ky kalim i shkurtër solli dhe një impakt pozitiv për xhepat e qytetarëve, pasi një banori të Kukësit tashmë për një udhëtim nga Kukësi në Tiranë do t'i duhet të paguajë gjysmën e shumës së mëparshme.
Por rruga me dy korsi ka sjellë dhe probleme sa iu përket aksidenteve, si për mungesën e një sinjalistike të plotë, të punimeve në rrugë apo dhe mospërfundimit ende të masave mbrojtëse në shpatet e maleve, ndërkohë që mësohet se ka pak ditë që është bashkuar dhe tuneli tjetër, në të cilin po punohet për ta bërë të kalueshëm duke sjellë një kalim më të lirshëm në të dy drejtimet. Burime nga Policia Rrugore shprehen se problem mbetet edhe pjesa e autostradës nga dalja e Fushë-Laçit për në Milot e më tej për në Rubik, një rrugë vetëm dykalimshme, ndërsa nuk ka përfunduar aksi prej 7 km Rubik-Kroj i Shnapremtes, dhe për këto arsye aksi i vjetër po kthehet në problematik edhe për aksidente të mundshme.
Pohimi
Sipas burimeve nga kompania ndërtuese e kësaj auostrade, është tejet akute ndërhyrja në disa punime që lidhet me sigurinë e këtij tuneli, i cili deri më tash funksiononte për dy korsi, si dhe punimeve të tjera elektro-mekanike, të cilat asesi nuk mund të kryhen duke pasur qarkullim të brendshëm