PS-ja, letër Ristanit: “700 fletët e votimit për të dënuarit, shkelje e rëndë e Kodit Zgjedhor”
Partia Socialiste i ka dërguar një letër kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, të cilit i ka shprehur shqetësimin për vendimin e KQZ-së për prodhimin e 700 fletëve të numërimit shtesë për personat e dënuar.
“Z. Kryetar i KQZ, ju po pranoni kërkesa të paligjshme të drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të PD-së, që kërkojnë përfshirjen e qindra të dënuarve në listat e zgjedhësve, në kundërshtim të hapur me dispozitat e Kodit Zgjedhor, nenet 54 e 59. Është ironik, zoti Kryetar, ‘shqetësimi’ juaj për t’iu realizuar të drejtën e votës 700 të dënuarve me heqje lirie përballë asaj neglizhence të dukshme të treguar nga ana juaj lidhur me mosrealizimin e së drejtës kushtetuese të 260 mijë shtetasve që kanë humbur përfundimisht të drejtën e votës për shkak se nuk u është dhënë mundësia e pajisjes me dokumentin e identifikimit për të votuar, çka ishte një detyrim i drejtpërdrejtë që qeveria nuk e përmbushi. Në këtë mënyrë ju po bëheni palë me segmente të caktuara të politikës, që marifetet e vjetra elektorale, dublimet e zgjedhësve dhe presionin ndaj të burgosurve duan t’i kthejnë në emblemën e fitores elektorale”, - thuhet në letrën e nënshkruar nga sekretari për Çështjet Ligjore i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj. Selia rozë ka akuzuar kreun e KQZ-së, Arben Ristani, se po bëhet palë me Partinë Demokratike. Partia Socialiste ka shprehur gjithashtu shqetësimin për vendimin e KQZ-së që qendrat e votimit të ngrihen në ambiente private, shumica e të cilave janë në pronësi të militantëve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike. “Sjellja juaj institucionale e shfaqur në kundërshtim me ligjin dhe me orientim të dukshëm politik, nëse do të rezultojë me cenim të integritetit të procesit zgjedhor dhe/ose prishje të standardeve të tyre, do t’ju ngarkojë ju deri edhe me përgjegjësi penale. Partia Socialiste nuk do të hezitojë në këtë rast që jo vetëm do t’ju denoncojë publikisht, por do t’u drejtohet organeve të ndjekjes penale për të filluar procedimin penal ndaj jush”, - thuhet në letrën e Partisë Socialiste drejtuar Nishanit.
27 Qershor 2009