Negociatat për Presidentin, Rama takon Idrizin
Mbrëmja e sotme ka mbledhur për të dytën herë në një takim kokë më kokë kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama me kreun e Partisë Drejtësi Integrim e Unitet, Shpëtim Idrizi.
E dyta përballje mes tyre, që kur lidershipi i selisë rozë lëshoi një ftesë të hapur për negociata me krerët e partive për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit mendohet të ketë pasur në vëmendje edhe kandidaturën e vetme zyrtare të lancuar nga mazhoranca, atë të Xhezair Zaganjorit. Ky i fundit gjatë paradites së sotme pati një takim me zotin.
Rama dhe në një prononcim për mediat, theksoi se takimi është kërkuar nga vetë ai dhe pas kërkesës është pritur nga kreu i PS-së Edi Rama.
I pyetur nga mediat nëse grupi parlamentar socialist do i japë mbështetjen, Zaganjori theksoi se as nuk e pyeti kryesocialistin dhe as ai nuk i dha përgjigje për këtë çështje.
Në lidhje me këtë takim, kreu i PS-së deklaroi se selia rozë do të mbështes një emër të dalë nga konsultimet mes palëve.
“Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria”, u shpreh Rama pas takimit me kandidatin e propozuar nga mazhoranca, paraditen e sotme.
Ndërkaq pas takimit në selinë rozë me kryesocialistin Edi Rama, Zaganjori është takuar në një lokal në Tiranë edhe me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi.
Raundi i parë i votimit për president dështoi pasi mazhoranca dhe opozita nuk arritën kompromis për të çuar në parlament një kandidat ndërkohë që kuvendi miratoi dje që dita e hënë, data 4 qershor të jetë edhe raundi i dytë i votimit.