E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat për borxhin, BE ruan presionin ndaj Greqisë

ATHINË- Zona euro po ruan presionin mbi Greqinë për të vazhduar në rrugën e masave shtrënguese, ndërsa vendi ka filluar "zyrtarisht" bisedimet me kreditorët e tij privatë për të reduktuar borxhin, tha të mërkurën Ministria greke e Financave.

Të nesërmen e zhbllokimit nga Eurogroupe të një kësti të ri kredie, pa të cilin Greqia do të ishte në falimentim, ministria thekson vendosmërinë e zonës euro për të "mos lejuar të endet asnjë dyshim mbi angazhimin e drejtuesve grekë për të zbatuar kurën e masave të rrepta, që i është përshkruar vendit.

Për të zhbllokuar 8 miliardët e parashikuar në planin e parë të mbështetjes BE-FMN të majit 2010, financuesit kishin kërkuar angazhime me shkrim nga kryetarët e partisë socialiste, konservatore dhe të ekstremit të djathtë, që mbështesin qeverinë e re të Lukas Papadhimos, për t'u siguruar për vazhdimin e politikës së shëndoshjes së ekonomisë, në pritje të zgjedhjeve të parakohshme që do të organizohen në pranverë.
Por, konservatori Antonis Samaras, që sondazhet e nxjerrin fitues, e pranoi me vështirësi pas disa muajsh kundërshtimi të recetave shtrënguese të BE-FMN-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›