E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat per qeverine e re LDK Te ribehen zgjedhjet. AAK dhe AKR vendosin kushte

Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit në largim, Hashim Thaçi pret certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 12 janarit për të nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re. Mirëpo, skena politike në Prishtinë nuk favorizon negociata të lehta.

Dy forcat më të mëdha politike të dala nga zgjedhjet, pas PDK-së,  Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë përjashtuar çdo mundësi të pjesëmarrjes në një koalicion të drejtuar nga Thaçi. Ndërkohë, dy partitë më të vogla, AAK dhe AKR  kanë vënë kushte të cilat nuk duken lehtë të realizueshme. Thaçi megjithatë premton se qeveria do të formohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve.

“Me certifikimin e rezultatit zgjedhor do të kemi edhe qeverinë e re, shumetnike, shumë përfshirëse në kuptimin politik dhe të standardeve euroatlantike” tha Thaçi.

LDK është shprehur tepër e qartë se do të jetë në opozitë. Kreu i saj Isa Mustafa këmbëngul në organizimin e zgjedhjeve të reja në vjeshtë për t’i kthyer legjitimitetin institucioneve, I dëmtuar nga manipulimet e 12 dhjetorit.

“Ne jemi shprehur se nuk do të bëjmë koalicion. Ne jemi pozicionuar si LDK ku do të jemi, do të jemi në opozitë” tha Mustafa.
AAK ka kërkuar postin e Kryeministrit si kusht i vetëm për të qeverisur me PDK-në, në të kundërtën thotë se do t’i shërbejë vendit si opozitë.

“Çdo qeveri duhet të jetë e përgjegjshme para vendit. Kjo që ishte nuk tregoi një nivel të tillë prandaj ne mendojmë se AAK merr pjesën e përgjegjësisë së vet qoftë nëse hyn në qeveri qoftë nëse mbetet në opozitë” tha nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi.

Edhe AKR thotë se do të mbetet në opozitë nëse nuk plotësohet kusht, që lideri i kësaj partie Behgjet Pacolli të zgjidhet President i Kosovës.

“Mendojmë se z.Pacolli është ai i cili i duhet më së shumti  Kosovës në këto rrethana nëpër të cilat po kalon shteti ynë” tha nënkryetar i AKR-së Ibrahim Gashi.

Një prej partive më të mëdha minoritare, Partia e Pavarur Liberale, e cila do të ketë tetë deputetë në Kuvendin e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të hyrë në koalicion me PDK-në. Në këto rrethana, qeveria e re e Thacit mund të sjellë surpriza, ndërkohë që ndërkombëtarët kërkojnë formimin e saj para 17 shkurtit, që shënon tre vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›