E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat sekrete tek ish-blloku mes delegacioneve te PD-se dhe PS-se

Hetimi Bisedimet disaorëshe kanë ngecur tek objekti i hetimit dhe lista e anëtarëve

Kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme përpjekjet e delegacioneve të PD-së dhe PS-së për gjetjen e një kompromisi deri të hënën. Në një atmosferë larg syrit të mediave, përfaqësuesit e palëve kanë biseduar për disa orë pa dhënë detaje për diskutimet. Postbisedimet e seancës së të enjtes që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, kanë ngecur sërish edhe në tentativat e djeshme të grupit negociator. Nga burimet brenda këtij grupi negociator shkaku i këtij dështimi është bërë mazhoranca, e cila ka kontestimet e saj për çështjet si objekti i hetimit dhe listat. Dy negociatorët e Partisë Demokratike janë Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi, ndërsa pala socialiste përfaqësohet nga deputetët Fatmir Xhafa dhe Damian Gjiknuri. Katër deputetët janë parë shpesh dje në zonën e ish-bllokut duke i marrë lokalet e Tiranës me radhë për t’u takuar disa herë brenda një dite, por në fund nuk kanë arritur asgjë. Negociatat dypalëshe të nivelit të dytë parashikohen të dështojnë për të vijuar më pas me negociata të nivelit të parë, ku faktor të këtyre negociatave priten të bëhen edhe diplomatët e huaj.

Negociatat

“Listat” dhe “objekti i hetimit” janë dy çështjet që kanë bllokuar mazhorancën të japë një verdikt për ndërtimin e një pakete të përbashkët me opozitën që do të shërbejë për hetimin e zgjedhjeve. Më shumë se katër herë janë takuar katër deputetët, Rusmali, Gumi, Xhafa dhe Gjiknuri gjatë ditës së djeshme. Opozita ka shpresuar në reflektimin e mazhorancës, ndërsa kjo e fundit është treguar më e qetë. Burime pranë grupit të negociatorëve bëjnë me dije se zgjidhja nuk do të vijë as në takimet e fundjavës, por riaktivizimi dhe angazhimi maksimal ka për të ndodhur ditën e hënë. Gjithmonë politika shqiptare ka treguar se pavarësisht sa zgjasin takimet apo negociatat, zgjidhja gjendet gjithmonë në momentin e fundit, dhe jo nga ata që janë bërë palë e këtij procesi, por nga liderët kryesorë të ndodhur shpeshherë edhe përballë presioneve ndërkombëtare. PD-PS nuk prodhuan asgjë nga seanca maratonë 15 orëshe e Parlamentit, veç dështimit, po kështu nuk prodhuan asgjë as nga takimet kafeneve në zonën e ish-bllokut larg syrit të kamerave kureshtare përveç një lufte nervash që në fund nuk shkaktoi asnjë reaksion zgjidhjeje.

Pikat e negociatorëve

Deri tani është rënë dakord që kryetari i komisionit të ketë tri vota, por asgjë më shumë nga kërkesa e opozitës. Në objektin e hetimit janë përfshirë edhe dyshimet, faktet dhe grup faktet.  Mënyra sesi arkivohen materialet zgjedhore janë një tjetër çështje e pazgjidhur nga demokratët dhe socialistët. Dy partitë më të mëdha parlamentare do të kenë dy ditë kohë për të reflektuar dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët të kompromisit. Mësohet gjithashtu nga burimet që nuk është rënë dakord për materialet që të shkojnë në arkiv nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Debati në Kuvend

Pas një debati të gjatë në Kuvend i cili zgjati deri në orën 5.30 të mëngjesit të së premtes, dy forcat më të mëdha parlamentare nuk arritën të gjenin konsensusin e duhur për ngritjen e komisionit hetimor. Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit ka bërë që 140 deputetët të shtyjnë pushimet dhe të shijojnë vetëm fundjavën për t’u rikthyer sërish në punë të hënën në Parlament. E vetmja çështje që do të diskutohet në seancën ‘pa orar’ të ditës së hënë është ngritja e komisionit hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Pas një debati të ashpër që dominoi seancën 19 orëshe të Kuvendit mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, ky i fundit kërkoi që në kushtet e mungesës së akordit votimi për komisionin hetimor për zgjedhjet e vitit 2009 të shtyhen për ditën e hënë.

Kërkesa u pranua nga mazhoranca, ndërsa u vendos që gjatë kësaj kohe të vazhdojnë edhe bisedimet në kërkim të konsensusit.

Gjatë debateve që zgjatën gjatë gjithë natës, u zhvilluan edhe dy mbledhje mes ekspertëve të PD e PS, por që rezultuan pa marrëveshje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›