E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat dhe liberalizimi i vizave probleme ne kufirin me Greqine

Radhët Në Kakavijë dhe Kapshticë, ndryshe nga vitet e tjera ka fluks  edhe në dalje

Ardhja në masë e emigrantëve për festat e fundvitit ka sjellë menjëherë një situatë të rënduar të qarkullimit ndërkufitar në Kapshticë dhe Kakavijë. Hyrja dhe dalja masive e emigrantëve, si dhe shtimi i udhëtarëve nga lëvizja e lirë pa viza, ka sjellë një dyndje të njerëzve dhe mjeteve në pikat kryesore të kalimit kufitar midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Gjatë ditës së premte, 24 orë para Krishtlindjeve, kur është i pritshëm një fluks emigrantësh që vijnë nga Greqia, në Kapshticë  është krijuar menjëherë një gjendje e vështirë e qarkullimit ndërkufitar. Radhë të gjata të njerëzve dhe mjeteve kanë qenë të pranishme në zonën neutrale të doganës, ndërsa emigrantët me mjetet e tyre kishin kaluar doganën greke dhe prisnin të kryenin  procedurat e kalimit të kufirit edhe në sportelet e doganës shqiptare. Radhë me nga tri korsi mjetesh dhe dhjetëra udhëtarë që prisnin për të marrë vulat hyrëse për në Shqipëri kanë qenë të pranishme gjatë gjithë paradites të së premtes në këtë pikë të kalimit kufitar. Puna me ritme të ngadalta e policisë kufitare shqiptare, ndonëse kanë funksionuar tetë sportele, nuk ka përballuar në kohë fluksin e pritshëm të emigrantëve të ardhur.

Radhë të gjata ka pasur edhe në Kakavijë, ku ka mbizotëruar fluksi i shtetasve që kanë dalë nga Shqipëria. Heqja e vizave ka ndryshuar kahun e fluksit të lëvizjes në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku prej mëngjesit të djeshëm kanë kaluar për në Greqi tremijë persona dhe njëmijë automjete.

Në orët e para është krijuar një radhë rreth 1,5 km në anën shqiptare të kufirit, për shkak të fluksit të menjëhershëm. Hapja e shumë sporteleve bëri të mundur kalimin e shpejtë të fluksit të parë. Qytetarët që po i drejtohen Greqisë udhëtojnë në 80% të rasteve vetëm me pasaportë biometrike, ndërsa ritmi i kthimeve prej autoriteteve greke është tashmë mjaft i ulët në krahasim me ditët e mëparshme.

Autoritetet sugjerojnë që qytetarët të përdorin edhe orare të tjera për lëvizje si orët e mesditës dhe pasdites në mënyrë që koha e përpunimit të dokumentacionit të jetë më e shkurtër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›