Prokuroria do te apeloje lirimin e Durdes
Prokuroria do të apelojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Krujë, për lirimin e Frederik Durdës. Megjithatë, organi i akuzës nuk ka bërë ende asnjë ankim për vendimin e marrë nga togat e zeza të Krujës, të cilat nuk kanë marrë parasysh asnjë nga kërkesat e tyre. Tashmë, Durda është rikthyer në banesë dhe kontrolli ndaj tij do të bëhet nga specialistët e Shërbimit të Provës. Nëse ai thyen vendimin e gjykatës për “qëndrim në shtëpi”, kthehet sërish në burg. Gjithashtu, KLD pritet të mblidhet për të vlerësuar nëse duhet të bëhet inspektim mbi këtë rast në Gjykatën e Shkallës së Parë në Krujë.
Sipas informacioneve të marra, organi i akuzës, duke qenë se nuk i është marrë parasysh asnjë kërkesë nga togat e zeza për dënimin alternativ të Frederik Durdës, është shprehur kundër këtij lirimi. Burimet pranë prokurorisë janë shprehur se do të apelojnë vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë, çka lë të kuptosh, se nëse Apeli e hedh poshtë, Durda, i dënuar për krijim të organizatës kriminale, do të rikthehet në qeli. Megjithatë, çështja ka shqetësuar institucionin e Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim. Në lidhje me këtë, edhe prokuroria nuk ka bërë asnjë ankesë pranë Ministrisë së Drejtësisë, pavarësisht se nuk ka qenë dakord me lirimin e Durdës. Sipas të dhënave, ajo duhet të ankohet pranë Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim që kjo e fundit të nisë një inspektim, për të parë nëse trupi gjykues ka vepruar sipas ligjit. Ndryshe, Ministria e Drejtësisë nuk mund të kryejë asnjë veprim për të zbardhur të vërtetën pas një vendimi dyshues, siç është cilësuar nga burimet e prokurorisë.
Ndërkaq, edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk e ka thënë fjalën e vet për këtë vendim, por pritet që të bëhet mbledhja e radhës për të parë se çfarë masash do të merren për të inspektuar mbi çështjen. Burimet nga drejtësia shqiptare thanë se fati i Durdës, aktualisht është në duart e Shërbimit të Provës. Specialistët e këtij organi janë ata të cilët kryejnë kontrolle për respektimin e vendimit nga ana e të dënuarit. Siç dihet, për të është vendosur “qëndrim në shtëpi” dhe nuk i lejohet të dalë prej saj. Nëse Shërbimi i Provës konstaton të kundërtën, përpilon raporte përkatëse, që i përcjell në strukturat e tjera të drejtësisë. Një situatë e tillë ndodhi me Astrit Bushin nga Laçi, i cili ishte dënuar me “qëndrim në shtëpi”, por u kap nga forcat policore jashtë saj, kështu që u rikthye në qeli.
Frederik Durda, të cilit i kishin mbetur më pak se dy vjet burg për të përfunduar dënimin, ka aplikuar pak kohë më parë për dënim alternativ. Mbi këto kushte, ai ka kërkuar një vendim të tillë, duke pretenduar se bashkëshortja ishte e sëmurë dhe nuk mund të kujdesej për fëmijët, që janë nën moshën 10-vjeçare. Gjatë gjyqit, prokuroria kërkoi që të merret mendimi i ekspertit mjekoligjor për sëmundjen e gruas së Durdës, por gjykata e rrëzoi këtë kërkesë. Në këto kushte, pavarësisht se shërbimi i provës dha aprovimin e vet, prokuroria u shpreh kundër “lirimit” të të dënuarit për dosjen “Kokaina”.