E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema e Moratit Juve apo Milan

Presidenti i Interit, Masimo Morati ka deklaruar se skuadra e tij mund të vendosë se cila do të fitojë titullin kampion në Serinë A italiane. Pas barazimit 1-1 të Juventusit me Leçen, Milani e ngushtoi në vetëm një pikë diferencën me kryesuesit, ndërsa rezultati i derbit të së dielës me Interin mund të mbyllë garën për titull, ose të lejë gjithçka të hapur deri në javën e fundit.

Nëse zikaltërit fitojnë përballë Milanit dhe Juventusi mposht Kaljarin, bardhezinjtë do të festonin përpara kohe fitimin e titullit, ndërsa ky do të ishte suksesi i tyre i parë në Serinë A që prej ngjarjeve dhe ndëshkimeve prej “Calciopoli”-t në vitin 2006.

“Duket se në këtë sezon do të na duhet ti bëjmë një nder Juventusit apo Milanit, dy rivalëve tanë, deklaroi Morati. Realisht nuk di të them se cili do të ishte më mirë ta fitonte titullin nga këto dy skuadra”.

Në anën tjetër, tifozët duket se e kanë një ide të përgjithshme, madje janë të shumtë mbështetësit zikaltër që kërkojnë një tolerim të Milanit në derbi, për të mos parë Juventusin të ngrinte trofeun. Fansat e Interit do të preferonin më shumë që të shikonin të festonin kushërrinjtë e urryer dhe jo armiqtë e përbetuar.

Humbja që Interi pësoi në fushën e Parmës, ka bërë që skuadra e Stramaçonit të ketë shanse minimale për një vend në Champions League, megjithatë Morati nuk pranon të dorëzohet në garën për vendin e tretë.

“Ëndrra jonë për vendin e tretë nuk ka përfunduar ende, pasi në këtë kampionat nuk mund të thuash asgjë me siguri. Tashmë na pret derbi kundër Milanit, ku duhet të luajmë me të njëjtën dëshirë si gjithmonë, pasi kjo është një sfidë unikale”, përfundoi deklaratën e tij Morati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›