E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, sot në ambjentet e Aeroportit te Rinasit u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. KRR

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, sot në ambjentet e Aeroportit te Rinasit u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.

KRRTRSH në mbledhjen e sotme mori tre vendime të rëndësishme që lidhen me Aeroportin Nënë Tereza.

1. Miratimin e Masterplanit paraprak te ripunuar te Aeroportit Nënë Tereza; miratoi integrimin e "Zonës së zhvillimit" me sipërfaqe 40 ha dhe territoreve të konuseve te fluturimit në anën lindore dhe perendimore të Aeroportit në Masterplanin Paraprak të ripunuar të Aeroportit Nënë Tereza. Ndërtimet dhe funksionet e lejuara në këto territore u vendos që të përcaktohen në rregulloren teknike që do të hartohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil, Instituti i Studimeve dhe projektimeve Urbanistike dhe Këshilli i Qarkut Durrës, nën kujdesin e Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Kjo rregullore do të paraqitet për miratim në KRRTRSH së bashku me Masterplanin përfundimtar të Aeroportit. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Transportit dhe telekomunikacionit, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil, Këshilli i Qarkut Durrës.

2. Miratimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit për objektet: Godina e Terminalit të ri të pasagjerëve me sip. 10.851 m2; Godina Cargo Terminal me sip.1.823 m2; Parkimi i automjeteve me sip.16.500 m2; rrjeti rrugor lidhës i brendshëm. Leja e ndërtimit i jepet shoqërisë "Airport Partners" e cila brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit për dhënien me koncension të këtij ndërtimit duhet të depozitojë në Këshillin e Qarkut Durrës marrëveshjen me subjektin ndërtues shqiptar, të përzgjedhur. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Drejtoria e përgjithshme e Aviacionit Civil, Këshilli i Qarkut Durrës dhe shoqëria "Airport Partners".

3. Miratimin e Lejes së ndërtimit të rrugës Qafa e Kasharit-Rinas. Leja e ndërtimit i jepet shoqërisë "Airport Partners" e cila brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi eligjit për dhënien me koncension të këtij ndërtimi, duhet të depozitojë në Këshillin e Qarkut Durrës dhe në Këshillin e Qarkut Tiranë marrëveshjen me subjektin ndërtues shqiptar të përzgjedhur. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Këshilli i Qarkut Durrës, Këshilli i Qarkut Tiranë dhe shoqëria "Airport Partners".

Në Masterplanin paraprak të ripunuar të Aeroportit të Rinasit përshkruhet përdorimi i sipërfaqes së propozuar për të gjitha ndërtimet e propozuara në Marrëveshjen e Koncensionit midis Airport Partners dhe Qeverisë Shqiptare për Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza". Masterplani i rishikuar jep një pasqyrë të ndërtimit të objekteve të reja dhe shfrytëzimin e tokës në lidhje me punimet që do të kryhen pas datës së fillimit të punimeve, të përcaktuara në kontratën e koncensionit. Ky Masterplan parashikon jo vetëm zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza" por edhe ndërtimin e një terminali të ri pasagjerësh, vende të reja për parkimin e makinave, një terminal të ri për ngarkesat, rrugën e re hyrëse në aeroport, rrugë të reja anësore në afërsi të terminalit të pasagjerëve, përmirësimin e ndërtesës ekzistuese të terminalit, krijimin e zonave të reja për tu përdorur nga palët e treta duke përfshirë ushtrinë, Kontrollin e e Trafikut Ajror, furnizimin me ushqim dhe mjetet e mirëmbajtjes etj. Masterplani përshkruan në detaje shfrytëzimin e tokës ndërkohë që ndër karakteristikat kryesore të projektit të Airport Partners mund të përmenden:
-Vepra ndërtimi moderne dhe funksionale me prespektivë për të ardhmen. Këto vepra paraqesin një panorame moderne arkitekturore dhe njëkohëshisht përmbushin kërkesat më të larta fuksionale.
-Përkushtim ndaj kërkesave të pasagjerëve dhe përdoruesve. Terminali i ri është optimal për të përmbushur nevojat e pasagjerëve, të linjave ajrore dhe të koncensionarëve komerciale.
-Zgjerim modular në përputhje me rritjen e trafikut. Shërbimet janë projektuar në mënyrë të tillë që të përmbushin kërkesat e parashikuara, duke parandaluar kështu krijimin e shërbimeve të tepruara dhe duke minimizuar mundësinë e ngushtimit të rrugëve. Projekti është konceptuar në mënyrë të tillë që të akomodojë fillimisht një total prej 1 milionë pasagjerësh në vit, dhe parashikon një zgjerim të ambienteve ekzistuese per periudhen ne vazhdim për më shumë se 3 milionë pasagjerë në vit. Për më tepër ai siguron hapsirë të mjaftueshme rezerve për të përmbushur kërkesa të paparashikuara ose kërkesa të larta që vijnë si pasojë e stinës.
-Projekti paraqitet me hapsira të gjera në përputhje me standartet ndërkombëtare. Terminali i ri e rrit në mënyrë domethënëse nivelin e shërbimit për pasagjerët.
-Vazhdimësi e plotë operimi. Koncorsiumi do të kryejë të gjithë zgjerimin dhe punimet e reja duke mos shkaktuar asnjë ndërprerje të veprimeve aeroportuale në Aeroportin e Tiranës.
-Përfshirja e Kontrollit të Trafikut Ajror. (KTA). Hapsira e zonës së Koncesionit është harmonizuar me kërkesat dhe nevojat e KTA. Gjithashtu në projekt parashikohen shërbime të reja parkimi, rikoncepton terminalin e mallrave, ndërkohë që nuk lë mënjanë edhe elementin e harmonizimit të ndërtimit me natyrën.

Projekti i zbatimit për lejen e ndërtimit të rrugës Qafë Kashar-Rinas. Masterplani paraprak i ripunuar i Aeroportit merr parasysh ndërtimin e një rruge të re hyrëse dhe të një ure të re në rrugën ekzistuese hyrëse. Rruga e re për në aeroport do të ndërtohet nga kompania aeroportuale dhe parashikohet të fillojë në kryqëzimin e ri të autostradës Tiranë-Durrës, dhe do të përfundojë në aeroport. Rruga ka gjatësinë përafërsisht 7 km. Në pjesëne parë, në një gjatësi prej 460 m rruga përshkon faqen lindore të Kodër-Kasharit. Pas piketës 30, traseja e rrugës, nëpërmjet mbikalimit të hekurudhës Tiranë-Durrës kalon përgjatë fushës së Bërxullit. Të gjitha punimet tokësore të nevojshme do të kryhen duke përfshirë dhe ndërtimet e urave të nevojshme, sistemin e drenazhimit, ndriçimet dhe shenjat. Ndërtimi i rrugës do të kryhet ën bazë të studimit të realizueshmërisë nga Ministria e Punëve Publike, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, i bërë në Maj 1997, vlefshmëria e së cilës është rikonfirmuar nga Drejtoria e Rrugëve. Gjithashtu si një element i ri i përmirësimit, një urë e re e cila do të zëvendësoje urën ekzistuese do të ngrihet mbi rrugën ekzistuese. Gjatësia e urës parashikohet të jetë afërsisht 100 m, gjerësia 7.5 m, ndërkohë që hyrja e pakufizuar në aeroport do të garantohet gjatë gjithë kohës së ndërtimit. Në projekt parashikohen edhe rrugë të reja anësore në afërsi të terminalit të pasagjerëve. Për ndërtimin e kësaj rruge nevojiten shpronësime të tokës që kapin një vlerë prej 230 milionë lekë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›