Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot mbledhja e rradhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë: "Për miratimin e një pakete aktesh, ligjore e nënligjore, që përmirësojn
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot mbledhja e rradhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë: "Për miratimin e një pakete aktesh, ligjore e nënligjore, që përmirësojnë legjislacionin në fushën e privatizimit".
U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave dhe udhëtarëve".
Rritja e shkëmbimeve tregtare me Mbretërinë e Spanjës bën të domosdoshëm ratifikimin e kësaj marrëveshje. Ajo synon krijimin e kushteve lehtësuese për transportuesit e të dy vendeve duke zvogëluar në maksimum pengesat në pikat e kontrollit kufitar dhe doganor, si dhe pengesat e hasura më parë gjatë lëvizjes së transportuesve në territoret respektive të të dy vendeve.
Në bazë të marrëveshjes, trasportuesit e të dy vendeve nuk taksohen në përdorimin e rrugëve nacionale me përjashtim të rasteve të përdorimit të autostradave dhe urave të cilat janë parashikuar në legjislacionin aktual të vendeve respektive.
Marrëveshja aktuale krijon kushte dhe hapësira për të liçencuar shoqëritë shqiptare dhe spanjolle për të operuar në linjat e rregullta të shërbimit të udhëtarëve me autobus, duke nxitur zhvillimin e turizmit ndërmjet dy vendeve.
Për të siguruar zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të krijohet një komitet i përbashkët i përbërë nga përfaqësues të autoriteteve të të dy palëve kontraktuese, të cilët mund ftojnë në mbledhje përfaqësues të industrisë së transportit rrugor. Komiteti do të mblidhet 1 herë në vit ose me kërkesë të njërës prej palëve kontraktuese në mënyrë alternative në territorin e palëve kontraktuese.Çdo takim do të mbyllet me hartimin e një protokolli që do të nënshkruhet prej kryetarëve të delegacioneve të të dy palëve kontraktuese.
U miratua vendimi "Për disa ndryshime në statusin e fondit të zhvillimit shqiptar, miratuar me vendimin nr. 207, datë 28.4.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për ndarjen dhe ristrukturimin Institucional të Fondit të Zhvillimit Shqiptar".
Ndryshimet që miratohen në përbërjen e bordit lidhen me:
1. Zbatimin e Strategjisë së Decentralizimit të Qeverisjes Vendore.
2. Ndryshimin e nivelit politik të vendimarrjes në Bordin Drejtues.
3. Përbërja e re e Bordit Drejtues
4. Modalitetet e caktimit dhe mandati i anëtarëve të Bordit Drejtues.
Miratimi i ndryshimit të propozuar në VKM nr 207 datë 28.4.1999, neni 9 i Statusit mbi përbërjen e Bordit Drejtues të FZHSH, është kusht për bërjen efektive të fondeve të Marrëveshjes së Kredisë së Zhvillimit prej 15 milion USD për projektin "Punët e Komunitetit –II me Bankën Botërore, ratifikimi i së cilës në Kuvend ka përfunduar. Ai i hap rrugën fillimit sa më shpejt të financimit të 200 nënprojekteve të infrastrukturës së vogël social ekonomike që janë parashikuar në këtë projekt.
U miratua vendimi "Për përcaktimin e procedurave të thirrjes dhe përballimin e shpenzimeve për shtetasit, që do të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe për një ndryshim në vendimin nr. 65, datë 2.2 1996, të Këshillit të Ministrave,"Për thirrjen e shtetasve për shërbimin ushtarak, aktiv ose në rezervë, kompletimin e reparteve ushtarake me rezervistë, automjete e teknikë tjetër, kafshë pune, si dhe organizimin e sistemit të lajmërimit"
Në zbatim të nenit 34 të ligjit Nr. 9047, datë 10.07.2003 "Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë" u miratua vendimi "Për kriteret e lajmërimit të shtetasve për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak".
Domosdoshmëria e miratimit të këtij vendimi vjen pasi në praktikën e deritanishme, është hasur problemi i mospërballimit të pagesës për arsye financiare nga ana e organeve të qeverisjes vendore, të korierëve që bëjnë njoftimin e shtetasve për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Duke pasur parasysh faktin se, ky aktivitet është me rëndësi për përmbushjen e detyrimit kushtetues të kryerjes së shërbimit ushtarak, në nenin 34 të ligjit nr. 9047, datë 10.07.2003 "Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë", është parashikuar që shpenzimet për aktivizimin e korrierëve të mbulohen nga Buxheti i Shtetit.
Bashkia apo Komuna ku shtetasi ka vendbanimin detyrohen të lajmërojnë dhe sigurojnë paraqitjen e shtetasit që thirret për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Qendrën e Rekrutim – Mobilizimit, në bazë të legjislacionit në fuqi. Në vendim propozohet që qendrat e Rekrutim - Mobilizimit, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, të parashikojnë shpenzimet financiare për aktivizimin e korrierëve sezonale për njoftimin e shtetasve. Pagesa do të jetë për çdo ditë pune sa paga ditore e pagës minimale mujore në shkallë vendi.
Përballimi i këtyre shpenzimeve do të bëhet nga Ministria e Mbrojtjes.
U miratua gjithashtu që pika 1, 2, 3, 4 në Kreun II, të Vendimit Nr. 65 datë 2.2.1996 të Këshillit të Ministrave "Për thirrjen e shtetasve për shërbimin ushtarak aktiv ose në rezervë, kompletimin e reparteve ushtarake me rezervistë automjete e teknikë tjetër, kafshë pune si dhe organizimin e sistemit të lajmërimit" të shfuqizohen.
U miratua vendimi "Për lejimin e INSIG, sh.a, të fillojë procedurat për auditimin e bilancit, të vitit 2003".
Vendimi miraton fillimin e procedurave nga ana e INSIG sh.a për auditimin e bilancit të vitit 2003.
Ministria e Financave ka përfunduar procedurat e shitjes së 39% të aksioneve të INSIG tek IFC dhe BERZH, duke nënshkruar paketën e marrëveshjeve e cila është miratuar nga Parlamenti dhe së shpejti pritet të dekretohet edhe nga Presidentit i Republikës.
Në "kushtet paraprake" të Kontratës së Shitjes bën pjesë edhe auditimi i bilancit të INSIG nga një Auditues Ndërkombëtar brenda muajit Shkurt 2004. Realizimi i këtij kushti nga ana e Ministrisë së Financave me partnerët e ardhshëm të INSIG, IFC dhe BERZH, do të bëjë që faza e parë e privatizimit të INSIG të përfundojë brenda afateve të vendosura në Planin e Veprimeve.
U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr. 155, datë 25.4.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për funksionimin, të drejtat dhe detyrat e Entit Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve".
Gjatë zbatimit të ligjit nr. 8732, dt 24.01.2001 "Për materialin mbjellës bimor" dhe akteve nënligjore, në praktikën e përditshme janë konstatuar disa vështirësi e pengesa që mendohet se mund të tejkalohen nëpërmjet disa ndryshimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 155, datë 25.04.2002 "Për funksionimin, të drejtat dhe detyrat e Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve".
Për t'i krijuar lehtësira subjekteve tregtare në importin e farave të varieteve të regjistruara në listën e OECD, subjektet e interesuara mund të kryejnë prova zyrtare jo më pak se një vit pasi sipas nenit 12 të ligjit të sipërcituar, testimi i materialeve mbjellës bimorë bëhet në mënyrë vullnetare. Për varietetet e huaja që nuk përfshihen në listën e OECD është e domosdoshme që provat e testimit zyrtar të varieteteve të kryhen jo më pak se një vit, nga dy vjet që është parashikuar në vendimin e mësipërm të Këshillit të Ministrave.Çdo varietet i ri, që do të futet në tërritorin e Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme që të testohet për vlerën e kultivimit e të përdorimit (VKP), dhe nëse kualifikohet të regjistrohet në katalogun zyrtar të variteve të specieve të kultivuara.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për lirim dhe emërim në detyrë të Prefektit të Qarkut të Gjirokastrës".
Këshilli i Ministrave vendosi që Z.Astrit Llanaj, prefekt i qarkut të Gjirokastrës, të lirohet nga kjo detyrë dhe Z.Vasil Bici të emërohet prefekt i qarkut të Gjirokastrës.
Z.Vasil Bici ka mbaruar arsimin e lartë për filologji. Ka eksperiencë të gjatë pune në drejtimin e institucioneve parauniversitare dhe universitare. Ka titullin Profesor i asociuar Doktor. Zotëron gjuhën angleze, ruse dhe greke. Për të dytën herë është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës. Është Kryetar i degës PSD-Gjirokastër prej 6 vjetësh.
Këshillli i Ministarev miratoi projektligjin "Për disa shtesa në ligjin nr.8464, datë 11.3.199, "Për standartizimin", të ndryshuar".
Përgatitja e këtij projektligji u bë e domosdoshme për të shmangur efektin juridik negativ, të shkaktuar nga disa pasaktësi në formulimin e nenit 15, shkronjat b,c,ç dhe iii, të ligjit me nr.9024, datë 6.3.2003 "Për akreditimin e laboratorëve testues, kalibrues, organizmave çertifikues dhe inspektues në Republikën e Shqipërisë".
Projektligji i përgatitur synon ndryshimet në Ligjin nr.8464, datë 11.03.1999 "Për standartizimin", duke shtuar nenin 2, në përmbajtjen e të cilit formulohet kuptimi i termave të përdorura në këtë ligj. Po kështu, rivendosen fjalitë apo fjalët që ishin shfyqizuar nga Ligji me Nr. 9024, datë 6.3.2003 "Për akreditimin ....". në këtë mënyrë ligji nr.8464, datë 11.03.1999 "Për standartizimin" bëhet i plotë dhe efektet negative të shkaktuara nga pasaktësia e Ligjit "Për Akreditimin..." mënjanohen tërësisht.