Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot paradite mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. - Në këtë mbledhje u diskutua dhe më pa
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot paradite mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Në këtë mbledhje u diskutua dhe më pas u miratua sheshi i ndërtimit me sipërfaqe 22 hektarë për fushën e depozitimit të mbeturinave urbane, të rajonit të Korçës, në territorin në anë të lumit Devoll, pranë rrugës nacionale Maliq-Lozhanë, 2 kilometër pas kryqëzimit në rrugën nacionale Korçë-Pogradec.
Gjithashtu, u vendos revokimi i vendimit të KRRTRSH-së "Për sheshin e ndërtimit për vend depozitimi dhe trajtimi të mbeturinave të ngurta urbane për qytetin e Korçës", i miratuar në datë 1.12.1998. ndërkohë, u revokua edhe vendimi "Për sheshin e ndërtimit të komplesit agro-industrial në Maliq, rrethi Korçë", i datës 19.2.1999.
Fusha e depozitimit të mbeturinave të ngurta, e cila u miratua sot, do të financohet në kuadrin e bashkëpunimit financiar Gjermano-Shqiptar nga një kredi e Bankës Gjermane për Zhvillim KFW. Projekti është përgatitur në kuadrin e programit "Studimi i fizibilitetit-Menaxhimi i Mbeturinave të Ngurta për Shqipërinë Juglindore", realizuar nga konsorciumi shqiptaro-gjerman igip/IU/HUK, në emër të Bashkisë Korçë.
Qëllimi i projektit është të ngrejë një sistem modern dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave dhe synon zgjidhjen e rreziqeve shumë të larta shëndetësore e mjedisore. Në projekt janë të përfshira Bashkia e Korçës, Pogradecit, Ersekës, Bilishtit dhe Maliqit. Koha e prespektivës për konceptimin e menaxhimit të mbeturinave është 20 vjet, ndërkohë që projekti parashikohet të mbulojë edhe peridhën 2004-2005.
- Më tej, u diskutua dhe u miratua sheshi i ndërtimit për objektin "Fabrikë e prodhimit të çimentos" në fshatin Mes – Shkodër, për shoqërinë "Spacefilt Cement Group".
KRRTRSH miratoi sheshin e ndërtimit me sipërfaqe 8.2 hektarë për këtë fabrikë. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Shkodër, Komuna Postribë dhe Shoqëria "Spacefilt Cement Group".
Kjo fabrikë çimentoje parashikohet të ndërtohet në fshatin Mes të komunës Postribë, përballë urës së Mesit, rreth 6 km larg qytetit të Shkodrës, në një livadh buzë një kodre gëlqerore, e cila do të shfrytëzohet si lëndë e parë për prodhimin e çimentos, në një zonë të pabanuar në pjesën e sipërme të lumit.
Teknologjia që do të përdoret në këtë fabrikë, aplikon "Clean Technology", për pastrimin e ajrit nga pluhurat. Lënda e parë janë gurë gëlqerorë dhe argjila, ndërsa si shtesë do të përdoret gipsi dhe lëndë të tjera inerte që nuk janë ndotëse në vetvete. Ky investim është një mundësi për zhvillimin ekonomik të rajonit.
- KRRTRSH miratoi në mbledhjen e sotme sheshin e ndërtimit, me sipërfaqe 10 hektarë, "Për impiantin e përpunimit të ujrave të zeza të qytetit të Kavajës", në parcelat nr.67 dhe nr.68, në administrim të komunës Golem.
Po ashtu, u miratua revokimi i vendimit të KRRTRSH "Për sheshin e ndërtimit me sipërfaqje 14.2 hektarë, "Për impiantin e përpunimit të ujrave të zeza të qytetit të Kavajës", vendim ky i datës 4.4.2002.
Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Tiranë, Komuna Golem dhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Kavajë sh.a.
- KRRTRSH miratoi gjithashtu zgjerimin e vijës kufizuese të qytetit të Rogozhinës, me sipërfaqje të përgjithshme 233 hektarë. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Tiranë dhe Bashkia Rrogozhinë.
Duke pasur parasysh se Plani i Përgjithshëm Rregullues i qytetit të Rrogozhinës, që është në fuqi, është miratuar në vitin 1985 dhe është hartuar mbi bazën e pronësisë shtetërore mbi tokën, ekonomisë së centralizuar dhe lëvizjes së kontrolluar të popullsisë, del i domosdoshëm rishikimi i këtij studimi pas ndyshimeve të viteve '90, të cilat përcaktojnë kushtet aktuale të njohjes së pronës private apo kalimin në ekonominë e tregut por edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Qëllimi i studimit është përcaktimi i kufijve të shtrirjes së qytetit mbi bazën e gjendjes aktuale të tij, si dhe ato të prespektivës, për të hartuar më tej studimin e Planit Rregullues, në mënyë që zhvillimet të jenë të kontrolluara e të mos shkaktojnë sot e në prespektivë kosto shoqërore e ambjentale.
Po ashtu, u miratua leja e ndërtimit për fshatin turistik, në parcelën nr.33/a, në zonën turistike Golem, me investitorë Miranda Xholi dhe Ilir Jegeni. Leja e ndërtimit u dha për një periudhë dyvjeçare nga data e këtij vendimi.
KRRTRSH me vendim nr 6, datë 18.06.2003 ka miratuar studimin urbanistik pjesor në parcelën nr.33-A me sipërfaqe 12 ha. Në studimin e paraqitur sot janë bërë disa saktësime e përmirësime në studimin urbanistik të kësaj parcele, duke reduktuar sipërfaqen e saj në 10 ha dhe synuar krijimin e një kompleksi me të gjithë parametrat bashkëkohorë si hapsira banimi, pushimi, diellëzimi, gjelbërimi dhe parkimi.
KRRTRSH miratoi sheshin e ndërtimit me sipërfaqje 6500 m2 për kompleksin turistik në parcelën 6/1 A në zonën turistike Golem, si dhe lejes së ndërtimit të këtij kompleksi me investitorë shoqërinë "Shushica" sh.p.k. Leja e ndërtimti jepet për një periudhë dyvjeçare nga data e ketij vendimi.
Territori i studiuar parashikon që nga 6500 m2 që është, sipërfaqja e ndërtimit do të jenë 1950 m2 dhe koefiçienti i shfrytëzimit të territorit 30%.
Fshati turistik është rreth 100 m në distancë nga rruga e shërbimit të plazhit, e parashikuar në studimin e zonës turistike Golem.
Po në mbledhjen e sotme, u miratua Plani Rregullues i fshatit Kasallë, me sipërfaqje 50 hektarë. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Tiranë dhe Komuna Zall-Herr.
Ky plan rregullues është bazuar mbi studimin urbanistik të hartuar nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike, për vendosjen e banorëve që do të shpërnguleshin nga zonat malore. Në këtë zonë janë vendosur 117 familje të fshatit Fajzë të rrethit të Kukësit, që u shpërngulën për shkak të ndërtimit të Hidrocentralit të Fierzës. Plani Rregullues i fshatit Kasallë ka marrë parasysh gjendjen faktike të ndërtimeve në këtë zonë, si ato të ndërtuara me leje ashtu edhe ato të ndërtuara pa leje ndërtimi.
KRRTRSH miratoi ndryshimin e pjesshëm të studimit urbanistik në territorin në krahun e djathtë të Ekspozitës "Shqipëria Sot". Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Bashkia e Tiranës.
Në mbledhjen e sotme KRRTRSH bëri edhe disa anullime të disa vendimeve të marra nga KRRT e njësive të qeverisjes vendore.
Kështu, u miratua pezullimi i ekzekutimit të vendimeve të KRRT të bashkisë Sarandë për sheshet dhe lejet e ndërtimit për zonën nga Hotel Turizmi deri tek kanali iÇukës, si vendime të mara në kundërshtim me studimin urbanistik të kësaj zone, miratuar me vendimin e KRRTRSH-së nr.3, të datës 19.2.1999. u ngarkua drejtoria e Policisë së Ndërtimit, Bashkia Sarandë dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike të shqyrtojnë vendimet e shesheve dhe lejeve të ndërtimit të mara deri tani në këtë zonë, për çdo rast dhe të paraqesë materialin e detajuar tekniko-ligjor, bashkë me propozimet për shqyrtim në KRRTRSH brenda një periudhe dymujore. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Drejtoria e Policisë së Ndërtimit, Bashkia Sarandë, Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike.
KRRTRSH mori vendim për shfyqizimin e vendimit nr.5 të datës 4.7.2003 të KRRT të Bashkisë Durrës, për miratimin e sheshit të ndërtimit të objektit "Banesë tre kate dhe papafingo" në lagjen nr.13, në zonën e plazhit Durrës, pranë Urës së Dajlanit dhe vendimit nr.6 të datës 26.8.2003, për miratimin e lejes së ndërtimit të këtij objekti, për subjektin ndërtues "Kontakt", si vendime në kundërshtim me studimin urbanistrik të kësaj zone miratuar me vendimin e KRRTRSH nr.31, datë 17.4.1996. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Drejtoria e Policisë së Ndërtimit dhe Bashkia Durrës.
Gjithashtu, lidhur me zbatimin e vendimit të këtij Këshilli "Për vendosjen nën kontroll të Situatës Ndërtimore në Parkun e Madh të Tiranës" me propozim të Drejtorisë së Policisë së Ndërtimit dhe Bashkisë Tiranë, KRRTRSH vendosi:
1.Drejtoria e Policisë së Ndërtimit të zbatojë kompetencat ligjore në mbështetje të nenit 3, të ligjit 8408, dt 25 shtator 1998, duke prishur të gjitha ndërtimet pa leje dhe rrethimet në territorin e Parkut të Madh të Tiranës brenda kufirit ligjor të tij.
2. Për ndërtimet me leje ngarkohet Drejtoria e Policisë së Ndërtimit dhe Bashkia e Tiranës të verifikojë për këto objekte respektimin e destinacionit funksional dhe kushtet urbanistike të miratuara nga KRRT e Bashkisë Tiranë dhe të paraqesë informacionin përkatës brenda një periudhe 1-mujore. Deri në atë datë të gjithë ndërtimet në Parkun e Madh të Tiranës pezullohen.
3. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Drejtoria e Policisë së Ndërtimit dhe Bashkia Tiranë.
Kryeministri Fatos Nano në fund të mbledhjes së KRRTRSH ka kërkuar përshpejtimin e të gjithë punëve nga të gjitha institucionet përkatëse që brenda një jave KRRTRSH të marrë në një mbledhje të posaçme për shqyrtim studimin e Qendrës së Tiranës që ka nisur t'i shfaqet publikut në Galerinë e Arteve.