Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave miratoi këto projektligje: U miratua projektligji "Pë

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave.
Këshilli i Ministrave miratoi këto projektligje:
U miratua projektligji "Për medaljet për personelin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
Projektligji ka për qëllim krijimin e sistemit të medaljeve dhe bërjen publike të figurës dhe veprës së personelit ushtarako-civil të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të personelit të huaj të cilët shquhen për merita të veçanta ndaj FA dhe interesave te vendit tonë.
Në projektligj është parashikuar që përveç dekoratave, titujve dhe urdhërave të nderit që Presidenti i Republikës, sipas ligjit u jep qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për kontributin e veçantë të dhënë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, për personelin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të jepen dhe medaljet e nderit nga Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga Komandanti i Forcës.
U miratua projektligji "Për disiplinën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
Ky projektligj synon të sigurojë vendosjen e sistemit të disiplinës, brenda Forcave të Armatosura duke mbajtur parasysh kryesisht shkeljet disiplinore dhe shkeljet e lehta, duke i dhënë komandantit të drejtën e ndëshkimit për shkeljet e lehta. Ky projektligj siguron funksionimin disiplinor të strukturave të Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit.
U miratua projektligji "Për aderimin e Shqipërisë në Konventën "Për rregullat ndërkombëtare për parandalimin e përplasjeve në det, 1972" dhe anekset e saj".
Në kuadrin e përfaqësimit të vendit tonë në Institucionet Ndërkombëtare nga viti 1993, vendi ynë është anëtar i Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO).
Pjesëmarrja në këtë organizatë kërkon aderimin në disa konventa që kanë të bëjnë me veprimtaritë e ndryshme në fushën e Detarisë.
Konventa në fjalë tradicionalisht është zbatuar nga të gjithë anijet shqiptare dhe aktualisht vazhdon të zbatohet. Kjo Konventë sëbashku me anekset e saj parashikon Rregullat Ndërkombëtare për Parandalimin e Përplasjeve në Det duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme Rregullat Ndërkombëtare për parandalimin e përplasjeve në det, të vitit 1962.