E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave Zëdhënësi i Kryeministrit Aldrin Dalipi dha një konferencë për shtyp ku bëri këtë deklaratë në lidhje me vendimet e Qeverisë për rritjen e kuot

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave Zëdhënësi i Kryeministrit Aldrin Dalipi dha një konferencë për shtyp ku bëri këtë deklaratë në lidhje me vendimet e Qeverisë për rritjen e kuotave të pranimit në universitetet dhe shkollat e larta për vitin akademik 2003-2004, si dhe përcaktimin e bursave dhe pagesat e nxënësve dhe studentëve
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të sotme miratoi disa vendime të rëndësishme, ndër të cilat rritjen e kuotave të pranimit në universitetet dhe shkollat e larta për vitin akademik 2003-2004, si dhe përcaktimin e bursave dhe pagesat e nxënësve dhe studentëve.
Këshilli i Ministrave sot miratoi 956 kuota shtesë për universitetet dhe shkollat e larta, të cilat ndahen në kuota kryesore, kuota dytësore ose me pagesë dhe kuota për shqiptarët jashtë atdheut. Me kuotat shtesë numri i përgjithshëm i pranimit të studentëve për këtë vit akademik arrin në 11 897.
Kështu Universitetit të Tiranës i akordohen 254 shtesa, Universitetit Politeknik 110 shtesa, Universitetit Bujqësor 179 shtesa, Universitetit të Elbasanit 50 shtesa, për Universitetin e Gjirokastrës u miratuan 80 shtesa, në Universitetin e Korçës 43 shtesa, Universitetit të Shkodrës 19 shtesa, Universitetit të Vlorës iu akorduan 176 shtesa dhe Akademisë së Arteve 32 shtesa.
Kështu me keto shtesa numri i studenteve për këtë vit akademik eshte 1800 më tepër se një vit më parë.
Rritja e kuotave të pranimit në universitetet dhe shkollat e larta mbështetet në fluksin e madh të kandidatëve konkurrues dhe në kërkesat e shumta të të rinjve shqiptarë dhe janë marrë parasysh të gjitha sugjerimet e autoriteteve të Universiteteve në të gjithë territorin. Kjo tregon qartë se Qeveria i ka bërë një përmirësim të dukshëm sistemit të pranimeve si dhe përmirësimit të infrastrukturës duke zgjeruar mjediset, duke rinovuar bazën materiale mësimore dhe duke rritur burimet financiare. Ky vendim i Qeverisë mbështetet në kapacitetet maksimale të hapësirave fizike të auditorëve dhe në ngarkesën mësimore shkencore të profesoratit.
Dëshiroj t'iu informoj se vendimi parashikon kuota shtesë edhe për shqiptarët e trojeve jashtë Republikës së Shqipërisë, për arsye të kërkesave të mëdha, veçanërisht nga shqiptarët e Malit të Zi dhe nga shqiptarët e Preshevës.
Vendimi i mësipërm është një dëshmi e qartë për angazhimin e Qeverisë dhe të Kryeministrit për t'iu përgjigjur fillimit të liberalizimit të shkollave të larta, fluksit të madh të regjistrimeve të kandidatëve për studentë, si dhe për t'u krijuar kandidatëve që duan të vazhdojnë studimet e larta të gjitha mundësitë dhe hapësirat e nevojshme.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave përcaktoi kuotat financiare ditore dhe vjetore për nxënësit dhe studentët, mënyrat e financimit si dhe kriteret për të përfituar nga bursat që ofron këtë vit Qeveria. Kështu, për vitin shkollor 2003-2004, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i jepen rreth 1 600 bursa. Niveli i kësaj burse për nxënësit është 4500 lekë në muaj, për studentët 7500 lekë në muaj për studentët e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve 8000 lekë në muaj, si dhe 5000 lekë në muaj për nxënësit e arsimit special dhe Shkollës së Mjeshtërisë Sportive.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›