Nën drejtimin e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Fatos Nano është zhvilluar sot mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. KRRTRSH në përputhje me
Nën drejtimin e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Fatos Nano është zhvilluar sot mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.
KRRTRSH në përputhje me rendin e ditës vendosi:
Miratimin në parim të studimit të "Planit Strategjik për Tiranën e Madhe". Këshilli i Qarkut Tiranë, Bashkia Tiranë dhe njësitë e tjera përkatëse të qeverisjes vendore, që mbulon ky studim, të bashkëpunojnë me Njësinë e Menaxhimit të Tokës Urbane në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike, për të rakorduar ndërmjet tyre për vërejtjet e institucioneve që përfaqësojnë, në përputhje me zhvillimin perspektiv të rajonit.
Institucionet sipas këtij vendimi të depozitojnë këto vërejtje brenda dy muajve. Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike, brenda një periudhe dy mujore të paraqesë zgjidhjen përfundimtare për miratim në KRRTRSH.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Këshilli i Qarkut Tiranë, Bashkia Tiranë, Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike, Njësia e Menaxhimit të Tokës Urbane në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe njësitë përkatëse të qeverisjes vendore, që mbulon studimi.
Plani Strategjik për Tiranën e Madhe është hartuar si rrjedhojë e rritjes së madhe të popullsisë dhe zgjerimit të madh urban, gjatë 10 viteve të fundit, popullata e qytetit të Tiranës është rritur me mbi 50 % dhe numri i zonave të urbanizuara ka arritur tashmë në 5 zona. Ndërkohë administrimi i tokës dhe infrastruktura kanë qenë të papërgatitura dhe të pafuqishme ndaj një zhvillimi të tillë.
Studimi i 400 km katrorë, përfshin pjesë të të gjitha juridiksioneve administrative të qeverisjes vendore si më poshtë: Bashkia Tiranë, Kamza dhe Vora. Komuna e Frakës, Vaqarr, Kashar, Berxull, Zall Herr, Paskuqan, Prezë dhe Dajt.
"Me studimin e paraqitur synohet t'i jepet përgjigje krizave urbane që eventualisht prekin kryeqytetin, si rezultat i rritjes së pakontrolluar demografike, të shpërndarjes së pabarabartë të infrastrukturës dhe administrimin jo të mirë të tokës. Studimi është përgatitur nga Projekti i Menaxhimit të Tokës Urbane me financime nga Banka Botërore, prandaj ka krijuar premisa për një projekt të detajuar që merr parasysh rritjen e zonës metropolitane gjatë një periudhe 15 vjeçare, gjatë së cilës parashikohet që nga 500 mijë banorë në 2002, të arrihet në rreth 800 mijë në 2017 në këtë territor. Ky plan strategjik do të shërbejë si një dokument funksional që udhëheq ndërhyrjet e sipërmarrësve kryesorë në procesin e zbatimit të tij me prioritetet që ai mbart", tha Kryeministri Nano .
Ndërkohë këndvështrimi i Planit Strategjik të Tiranës së Madhe është:
• Të nxisë kontributin e investimeve për zhvillimin urban drejt rritjes ekonomike në Tiranën e Madhe.
• Të nxisë më shumë zhvillimin kompakt urban duke kufizuar rritjen kryesisht në zonën aktuale të zhvillimit.
• Të nxisë dendësimin edhe brenda zonës në zhvillim. Kjo mund të arrihet në zonat e lejuara dhe të palejuara përmes zhvillimit të infrastrukturës, përmirësimit të transportit, rregullave për përdorimin e tokës, programeve që kanë të bëjnë me shtrirjen dhe zhvillimin e komunitetit.
• Të investigojë në infrastrukturën e qendrës së qytetit për të ruajtur asetet ekzistuese
• Përqendrimi i përpjekjeve për kontrollin e planifikimin dhe zhvillimin në zonat me zhvillim prioritar
Në lidhje me këto u propozua që pasuritë ekzistuese të papërdorura dhe të patundshme të shtetit të zgjidhen për rizhvillim industrial, tregtar dhe/ose për banim. Gjithashtu u propozua krijimi i dy parqeve rajonale si dhe krijimi i një zone të gjelbër rreth zonës së banuar, ku banimi do të jetë i një dendësie shumë të ulët.
Në Planin Strategjik preken edhe probleme të tjera si infrastruktura, shërbimi urban, përdorimi i tokës dhe propozime për strehim, nxitja e investimeve, transporti etj.
KRRTRSH miratoi sot edhe projektin e Aksit të Rrugës Turistike të Gjirit të Durrësit, sipas planimetrisë së paraqitur. U miratuan pozicionet e lidhjes së këtij aksi me rrugën nacionale, në territoret Ura e Dajlanit, Plepat, Shkëmbi i Kavajës, Hyrja në qendrën e Zonës turistike Golem, degëzimi tek Mali i Robit.
Lidhur me projektin e paraqitur për Aksin e Rrugës Turistike të Gjirit të Durrësit u miratuan gjithashtu projektet e infrastrukturës inxhinierike nëntokësore për furnizimin me ujë dhe kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza që ndjekin këtë aks.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Bashkia Durrës, Këshilli i Qarkut Tiranë, Komuna Golem dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës–Kanalizimeve.
Pas studimit të infrastrukturës në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ristudimit të master-planit Golem-Kavajë dhe studimit urban të territoreve të Karpenit, Kavajë, kjo rrugë do të ndihmojë në funksionimin e rajonit turistik masiv duke përmirësuar cilësinë e zhvillimit të turizmit. Ky aks rrugor përgjithësisht do të funksionojë paralel me superstradën aktuale. Projekti lë të hapur vazhdimin e këtij aksi rrugor drejt territoreve të tjera turistike në vazhdim, siç është ai i Gos-Spile.
Vlera monetare me përafërsi llogaritet në rreth 1.8 miliardë lekë.
Në mbledhjen e sotme KRRTRSH mori në shqyrtim si dhe vendosi Miratimin e Sheshit dhe lejes së ndërtimit për infrastrukturën e segmentit rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, në zonën e Plazhit Durrës, si dhe infrastrukturën inxhinierike për furnizimin me ujë, kanalizimin dhe ndriçimin gjatë këtij segmenti rrugor, sipas planimetrisë dhe projektit.
Leja e ndërtimit jepet për një periudhë dy-vjeçare, nga data e këtij vendimi. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Bashkia Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
Projekti për infrastrukturën inxhinierike të segmentit rrugor Ura e Dajlanit – Plepa është hartuar mbi bazën e detyrës së projektimit të miratuar nga Bashkia Durrës dhe MRRTT. Rruga në gjendjen aktuale paraqitet mjaft e amortizuar dhe pothuajse jashtë funksionit. Ky projekt parashikon:
• Parametrat e projektit si profile të rrugës, mbikalime, nyje, vendkalime (semaforët), xhepa parkimi etj
• Sistemin elektrik
• Furnizimin me ujë.
• Sistemimin e ujrave të bardha
Vlera monetare e tij parashikohet të kapë shifrën prej 800 milionë lekësh.
KRRTRSH në mbledhjen e sotme mori në shqyrtim edhe problemet e zhvillimit të fshatrave turistikë.
Lidhur me këtë çështje Kryeministri tha se problematika që sjell materiali që lidhet me fshatrat turistike të zonës bregdetare mund të përmblidhet në mosrespektimin e kondicioneve urbane, shkeljeve të projekteve të miratuara, shkeljen e afateve të përcaktuara në marrëveshjet e zhvillimit nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, mosrespetimin e detyrimeve të pagesave të qirasë dhe më në fund të destinacionit të përcaktuar, sidomos kthimi nga zona turistike në zona rezidenciale për banim.
"Ne sigurisht nuk mund të lejojmë këtë gjendje që ka sjellë një amulli të përgjithshme në territorin përkatës, që reflektohet në dëmtime të territorit e mjedisit, në ulje të kapacitetit turistik dhe në një dëm të mirëfilltë ekonomik për shtetin që është dhe mbetet pronar i këtij trualli ku janë ndërtuar këto fshatra", theksoi Kryeministri.
Sipas Kryeministrit Nano ndërhyrjet dhe diskutimet e më pas vendimarrjen duhet ta orientojmë tek ky kuadër që ka projektvendimi. "Natyrisht nuk është i gjithë kuadri rirregullator i kësaj gjendjeje, sepse jo të gjitha vendimet i takojnë KRRTRSH-së. Do të kemi edhe vendimmarrje të tjera, në instanca të tjera, pjesë e të cilave mund të jenë edhe në Gjykata. Por meqë jemi në mbledhjen e KRRTRSH-së që nis ndërhyrjen rregullatore të një zone të masakruar, atëherë gjykojmë këtë kuadër që është krijuar këtu dhe plotësimin e tij të mundshëm që do të ketë".
Më tej, Kryeministri Nano ka kërkuar të sillet në vëmendjen e KRRTRSH-së lista e ndërhyrjeve që parashikon ky vendim. "Përballë kemi ende subjekte që kanë një marrëdhënie me shtetin, - tha Kryeministri, duke shtuar se më pas mbi këtë marrëdhënie janë ndërtuar jashtë vëmendjes së duhur të shtetit disa marrëdhënie të tjera që nuk janë ligjore. Këtu duhet të kemi instrumenta të Hipotekës, të kthimit dhe kompensimit të pronave, të luftës kundër informalitetit, të krimit në ekonomi, të ligjit antimafia që do të identifikojë burimin e pasurive të paligjshme dhe kriminale. Janë një numër instrumentash që nuk janë të gjitha të KRRTRSH-së. Ky kuadër vendimi që keni krijuar duket si ndërhyrja e parë rregullatore koherente, që sjell instrumentat në veprim, kundrejt subjekteve që kanë marrëdhënie legale me shtetin, sepse pas KRRTRSH-së këtu do të hyjnë Këshilli i Zhvillimit të Turizmit, njësi të specializuara të administratës, Këshillat e Qarqeve etj. Dhe ne do t'i detyrojmë të veprojnë me këtë vendim".
Kryeministri lidhur me këtë çështje vuri në dukje se masakra nuk ndalohet me emocione. "Ky është një kuadër i parë i ndërhyrjes për rirregullim. Riabsorbimin e privilegjeve të palegjitimuara për mospagesë TVSH-je etj, nuk e ka KRRTRSH-ja. Vendimarrja është në vend tjetër. Përderisa nuk kanë sjellë turistë dhe kanë gëzuar privilegje të pamerituara do i paguajnë TVSH-në dhe gjithçka tjetër. Unë po flas shkurt dhe për ndërhyrje të parë. Ta aprovojmë në këtë mbledhje dhe t'ia çojmë instancave të tjera për të krijuar të gjithë kuadrin e ndërhyrjeve, që ndëshkon ata, që askush tjetër të mos jetë pishtar në të ardhmen", tha Z. Nano.
KRRTRSH në këtë kuadër vendosi:
Të përfundojë procesi i pagesës së detyrimeve të prapambetura financiare nga subjekti "Person i Stimuluar", të identifikuara nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit brenda datës 1 mars 2004.
Këshilli i Zhvillimit të Turizmit të shqyrtojë me përparësi rikonceptimin e strukturave turistike dhe të respektimit të detyrimeve ligjore për personat e stimuluar dhe të marrë vendimet përkatëse brenda datës 1 prill 2004. Kjo do të thotë që Këshilli i Zhvillimit të Turizmit, në përputhje me masterplanin e ri dhe gjendjen e identifikuar, në funksion të këtij vendimi që marrim në KRRTRSH, brenda datës 1 prill do të rikonceptojë strukturat turistike dhe do të verifikojë sa persona të stimuluar i janë përgjigjur detyrimeve ligjore për të gëzuar privilegjin e "Personit të stimuluar" dhe të marrin vendimin që një personi nuk i takojnë privilegjet e përdorura si person i stimuluar.
Për rrjedhojë, nga ky vendim Drejtoria e Tatimeve do të vjelë TVSH, Drejtoria e Doganave do të vjelë taksat për të gjithë faturat etj. Ai që nuk do t'i bëjë nuk do të jetë më në marrëdhënie kontraktore me shtetin. Pra, do të zgjidhet kontrata dhe do të ketë një vendimarrje tjetër për atë zonë.
Këshillat e Qarqeve të përshpejtojnë punën për paraqitjen e studimeve urbanistike, shesheve dhe lejeve të ndërtimit të zonave turistike në KRRTRSH brenda 30 qershorit 2004.
Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve të hartojë një plan veprimi për objektet e infrasrukturës inxhinierike nëntokësore në proces dhe ato të nevojshme për zonat turistike dhe ta paraqesë në KRRTRSH në mbledhjen e radhës.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Këshillat e Qarqeve në zonat turistike.
Disa prej problemeve kryesore dhe të përbashkëta për zhvillimin e fshatrave turistikë janë :
• Zhvillimi i veprimtarisë së stimuluar jo brenda afateve të përcaktuara në marrëveshjen e zhvillimit
• Mosrespektimi i kondicioneve urbane dhe projekteve të miratuara për veprimtari të stimuluar
• Moskryerja e pagesave të shpërblimit të përcaktuar si qera përdorimi të truallit
Këto kërkojnë përshpejtimin e procedurave të miratimit të rikonceptimit të fshatrave turistikë në Këshillin e Zhvillimit të Turizmit dhe procedura të përshpejtuara të marrjes së lejeve të ndërtimit në pushtetin vendor dhe KRRTRSH.
Lidhur me Detyrën e projektimit për Shpalljen e Konkursit për Studimin e Bregut të Jugut, KRRTRSH vendosi miratimin e saj. Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit të monitorojë procesin e zhvillimit të këtij konkursi si dhe të ndjekë avancimin e projekteve kapitale të këtij bregdeti (Marinat kryesore, zonat pilot të parashikuara etj. për identifikimin dhe nxitjen e investitorëve strategjikë). Brenda tre muajve duhet të përgatitet materiali për konkursin mbi studimin e bregdetit të Jugut.
Në këtë kuadër u vendos që të ndiqet avancimi i studimit të miratuar nga KRRTRSH me Vendimin nr 4 datë 1.08.2003 "Për detyrën e projektimit dhe studimin Urbanistik pjesor të zonës pilot për zhvillimin e turizmit Lukovë- Kakome".
Të ndiqet avancimi i projektit të portit të jahteve në Orikum, miratuar nga KRRTRSH.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
Gjithashtu u la detyrë për hartimin e një projekti të ri për zhvillimit e zonës së Karaburunit, i cili do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të KRRTRSH.
Bregdeti i Jugut, një hapsirë rreth 70 km, bën të arritshëm potencialin turistik nëpërmjet përzierjeve të turizmit, të detit e plazhit, atij të interesit të veçantë (vlerave kulturore) dhe të rikonstruksionit të qendrave urbane. Ai ofron oportunitete natyrore, të cilat obligojnë një zhvillim me kualitet të lartë. Ky bregdet duhet të ruhet si një zonë ekskluzivisht turistike me kontroll të detajuar të ndërtimeve brenda pejsazhit bregdetar. Kjo kërkon planifikimin e zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm.
Principet kryesore do të jenë:
• Mbrojtja e ekuilibreve ekologjike
• Mbrojtja nga erozioni
• Ruajtja e ambjentit dhe peisazhit
• Ruajtja dhe zhvillimi i aktiviteteve ekonomike që lidhen me afërsinë e ujit
• Trajtimi dhe zhvillimi i aktiviteteve të agroturizmit, artizanatit dhe turizmit familjar.
Vlera e realizimit të konkursit do të jetë 400 mijë dollarë.
Në këtë kontekst është miratuar nga KRRTRSH konform strategjisë së zhvillimit të turizmit zona pilot Lukovë-Kakome. U prezantua segmenti i tretë i kësaj zone, 32 hektarë për të cilin paraqet interes (CLAB-MED) një nga tur-operatorët ndërkombëtarë më të njohur në fushën e turizmit. Investimi 30 milionë euro.
KRRTRSH miratoi sot edhe Ngritjen e Qendrës së Peshkimit në Shirokë, ndërkohë që detyra e Projektimit për Studimin Urbanistik të Bregut të Liqenit të Shkodrës do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme. Gjithashtu KRRTRSH e sotme vendosi që ishujt gjatë këtij bregu të mbeten në gjendjen natyrale.
Ndërtimi i qendrës së peshkimit në Shirokë, është pranuar me kushtin që ndërtimi i molit dhe infrastrukturës përkatëse të objekteve, në shërbim të qendrës së peshkimit, të bëhet pa cënuar funksionet turistike të bregut të Liqenit.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Bashkia Shkodër dhe Drejtoria e Politikave të Turizmit në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë sot miratoi edhe disa anullime vendimesh.