Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua sot mbledhja e Komisionit Ndërministror të Luftës kundër HIV/AIDS. Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka vlerësuar në fillim t
Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua sot mbledhja e Komisionit Ndërministror të Luftës kundër HIV/AIDS.
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka vlerësuar në fillim të mbledhjes së Komisionit faktin që Shqipëria ka tregues shumë pozitivë lidhur me përhapjen e kësaj sëmundjeje, krahasuar me shumë vende të botës dhe të rajonit. "Megjithatë, ne vlerësojmë se është e rëndësishme marrja e masave parandaluese për përhapjen e HIV/AIDS në vendin tonë", u shpreh Zëvendëskryeministri Dokle.
Z.Dokle u ndal në masat që janë marrë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend, që është pjesë përbërëse e reformave që po kryen Qeveria Shqiptare në të gjitha fushat, ku vëmendja shprehet edhe në faktin që në buxhetin e shtetit për vitin 2004, janë akorduar 150 mijë USD që do të përdoren për kurimin dhe trajtimin e atyre që janë prekur nga HIV/AIDS.
Më tej, Zëvendësministri i Shëndetësisë, Eduard Hashorva, ka prezantuar përpara Komisionit draftin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Kontrollin e HIV/AIDS. Z.Hashorva ka bërë me dije se prevalenca e kësaj sëmundjeje në vendin tonë është shumë më e ulët se 1 në 1000, që konsiderohet, sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si një nivel shumë i ulët.
Më tej, në draftin e strategjisë evidentohen grupet në risk të popullsisë të cilat janë më të ekspozuar ndaj sëmundjes, masat që duhen marrë për parandalimin e saj, si dhe paraqitet një plan i përgjithshëm i përhapjes së sëmundjes në mbarë Botën. Përveç Afrikës, ku ka qënë dhe mbetet shumë e përhapur, HIV/AIDS është përhapur ndjeshëm në disa vende të Europës Lindore si në Rusi, Ukrainë, etj, si dhe në disa vende aziatike.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Hashorva ka vlerësuar se miratimi i një Strategjie koherente shihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një indeks i kujdesit për shëndetin nga ana e shtetit.
Ndërsa Zëvëndësdrejtori i RTSH-së, Alfred Dalipi, u ndal në masat që duhen marrë për sensibilitetin e publikut, përmes spoteve ku propagandohen masat parandaluese ndaj sëmundjes, si dhe në nevojën e organizimit të emisioneve televizive lidhur me këtë çështje.
Komisioni, pas diskutimit të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Kontrollin e HIV/AIDS në Shqipëri, e miratoi atë, ndërkohë që u vendos që në datën 27 shkurt të këtij viti të zhvillohet Konferenca Kombëtare për luftën kundër HIV/AIDS ku do të prezantohet edhe kjo strategji.
Në fund të mbledhjes së Komisionit, u miratuan edhe disa ndryshime në rregulloren e Komitetit Kombëtar të Luftës kundër HIV/AIDS.