E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Komitetit Ndërministror të Integrimit Europian, e cila diskutoi mbi Raundin e gjashtë teknik të ne

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Komitetit Ndërministror të Integrimit Europian, e cila diskutoi mbi Raundin e gjashtë teknik të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, i cili do të zhvillohet në datë 15 mars.

Negociimi në këtë raund përfshin "Politikat e bashkëpunimit", si aspekte të shumta dhe të ndryshme sektoriale. Ky raund parashikon bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë për një zhvillim të qëndrueshëm, duke forcuar lidhjet ekonomike në interes të të dy palëve.

Zëvendëskryeministri Namik Dokle pasi vlerësoi punën e bërë nga dikasteret dhe negociatorët për përfundimin me sukses të takimeve në Bruksel, muajin e kaluar, u shpreh se në raundin e tanishëm parashikohet që zhvillimi i këtyre politikave të bëhet në kuadër të bashkëpunimit rajonal si faktor stabilizimi në rajon, ku ky bashkëpunim është një ndër karakteristikat e vendeve të përfshira në procesin e stabilizim-asociimit. Gjithashtu, politikat e bashkëpunimit do të zhvillohen duke patur në vëmendje normat komunitare në fushat respektive.

Fushat e bashkëpunimit të këtij raundi të cilat u diskutuan gjerësisht në mbledhjen e sotme të Komitetit Ndërministror, përfshijnë disa drejtime kryesore si çështjet ekonomike dhe tregtare, për të cilat synohet bashkëpunim në formulimin dhe zbatimin e politikave ekonomike, si dhe forcimi e zbatimi i ligjit në fushën e biznesit. E përfshirë në këtë raund bisedimesh është edhe fusha e Statistikave, për sigurimin e një sistemi efikas dhe të qëndrueshëm statistikor si dhe bashkëpunimi në fushën e shërbimeve bankare, sigurimeve dhe shërbimeve të tjera financiare, me qëllim ngritjen dhe zhvillimin e këtyre sektorëve në Shqipëri.

Bashkëpunimi për zhvillimin e një sistemi kontrolli financiar dhe auditimi sipas metodave dhe procedurave të Komunitetit, bashkëpunimi për krijimin e një klime të favorshme për investimet private vendase dhe të huaja, të cilat janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit, si dhe fusha e doganave dhe tatimeve me synim përafrimin e sistemit tonë doganor dhe tatimor me atë komunitar, janë të tjera çështje të rëndësishme për të cilat do të negociohet në këtë raund.

Po ashtu, do të dikutohet me synim përshpejtimin e reformave në fushën sociale, arsim dhe kulturë. Ndërkohë, një vend të veçantë do të zërë bashkëpunimi në fushën e shoqërisë së informacionit dhe infrastrukturës së komunikimit elektronik.

Një fushë e rëndësishme e cila përfshihet në bisedimet e këtij raundi është bashkëpunimi në sektorët e infrastrukturës si Transport, Energji, Mjedis, bashkëpunim i cili do të fokusohet kryesisht në legjislacionin komunitar në këto fusha. Po ashtu, do të diskutohet mbi bashkëpunimin në fushat e kërkimit dhe zhvillimit teknologjik, bashkëpunimi për zhvillimin rajonal e lokal, si dhe në fushën e administratës publike, me objektiv dhënien e kontributit për zhvillimin ekonomik dhe reduktimin e disbalancave rajonale, forcimin e shtetit të së drejtës dhe sigurimin e mirëqeverisjes.

Për vetë rëndësinë që ka ky raund bisedimesh, Zëvendëskryeministri Namik Dokle kërkoi në fund të kësaj mbledhje koordinimin e qëndrimeve të ministrive dhe të institucioneve të përfshira në këto negociata.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›