Nëna, apel shtetit: Më gjeni punë dhe strehë, që të tërheq djalin nga jetimorja
Nuk është në periferi të qytetit, as në ndonjë fshat malor ku nuk ka rrugë për të shkuar, por jeton në mes të një qyteti, në segmentin kryesor të rrugës që përshkon mes përmes qytetit, mes një banese në kushte skandaloze dhe mes halleve që nuk ka mundur ti zgjidhë nga asnjë institucion shtetëror. Teuta Elezi, banore e lagjes Çlirim, në qytetin e Beratit, pas shumë sorollatjeve për të gjetur të drejtën dhe ndihmë nga qeveria dhe bashkia e qytetit, iu drejtua gazetës sonë për të bërë publik faktet e jetës së vështirë me të cilat përballet çdo ditë.
E ndodhur përballë gjendjes së vështirë ekonomike, konfliktit të pronësisë dhe mungesës së një pune, 44 vjeçarja kërkon ndihmën e institucioneve qeveritare që ti japin dorën për të zgjidhur hallet e saj familjare. Elezi tregon se pas heqjes nga puna si gardiane burgu, jeta e saj është bërë më e vështirë. Me vdekjen dhe të bashkëshortit, u detyrua që fëmijën e vetëm, djalin 12 vjeç, Joriglenin, ta çojë në shtëpinë e fëmijës Zyber Hallulli në qytetin e Tiranës. Por arsyeja e largimit të djalit para dy vjetësh nga jeta e saj, lidhet dhe me faktin e mungesës së një shtëpie ku ajo të mund të jetonte bashkë me djalin. Aktualisht, Teuta Elezi jeton në një pallat tre katësh në katin e tretë, ku tavani i banesës rrezikohet ti shembet nga momenti në moment. Me frikë, 44 vjeçarja jeton në një dhomë të vetme me kushte skandaloze, tavan të rënë, mure të çara,dyer dhe dritare të shkatërruara. "Mungesa e një punë më ka katandisur mes 4 rrugëve pa djalin tim, pa një shtëpi. Dhe këtë dhomë që kam, ma ka lënë nëna ime. Pas vdekjes së saj, kjo shtëpi me dy dhoma me vendim gjyqi është ndarë mes meje dhe motrës sime, e cila nuk jeton këtu, deklaron Elezi. Edhe pse ka menduar që të shesë këtë shtëpi, Elezi nuk mundet pasi gjysma është e motrës së saj ndaj në pamundësi për të jetuar diku gjetkë, jeton në shtëpinë që rrezikohet të shembet. "Kam pësuar një herë fraktura në kokë se më ra një copë tavani por shpëtova mirë pa rrezikuar jetën. Kam frikë të jetoj në këtë shtëpi, por nuk kam ku të shkoj ndaj kërkoj ndihmën e qeverisë, pushtetit lokal të më ndihmojnë me një punë dhe strehë që të jetoj sërish me djalin tim, shprehet Teuta, duke shtuar se largimi i djalit për shkak të kushteve ishte një vendim pa dëshirën e saj, vendim për të cilin ashtu siç thotë ajo, sot mallkon veten. "Erdhi dita ku nuk kishim çfarë të hanim, nuk mund ti blija dot djalin një litër qumësht, një kg mish. Sa vinte dhe dobësohej derisa u sëmur, ndaj si mundësi ti shpëtoja jetën mos të katandisej në lypës apo të merrte rrugë të keqe, u detyrova ta çoj në shtëpinë e jetimores, tregon me lot në sy Elezi. 44 vjeçarja vijon më tej se sa herë që shkon dhe takon djalin e saj, ai i lutet që ta marrë e të jetojë me të, pasi nuk do të jetojë dot larg. Vetë specialistët e bashkisë, e kanë nxjerrë këtë banesë në kategorinë e pabanueshme. Por bashkia nuk i ka dhënë kurrfarë ndihme për të gjetur një tjetër strehë, ndaj 44 vjeçarja është e detyruar të jetojë aty nën tmerrin, ankthin e frikën se një ditë ajo do të shembet e do ta zërë brenda.