E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë sjellin kandidatët që vijnë nga Perëndimi

Nga Gazmend LITA 
Një element që vërehet në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, në lidhje me kandidatët e përfshirë në garën për të hyrë në tempullin e legjislativit, në Kuvendin e Shqipërisë, është zgjerimi hartës së shtresave përfaqësuese të shoqërisë shqiptare. Përveç thithjes së elementëve nga bota akademike, shoqëria civile dhe rinia, duke e zgjeruar rrethin e të kandiduarve përtej kontributeve të drejtpërdrejta partiake, dy partitë kryesore politike, por dhe partitë e lidhura në aleancë me to, kanë kandiduar një numër të konsiderueshëm personash, që vijnë nga Perëndimi, kryesisht të rinj.  Disa prej tyre vijnë drejtpërdrejt pas përfundimit ët ndonjë shkolle, disa të tjerë pas sukseseve që kanë arritur në fusha të tjera, si në botën akademike, në fushën e biznesit etj. Ata iu janë bashkëngjitur formacioneve partiake në vendin e tyre, në këtë garë të ndezur elektorale për zgjedhjet e fundqershorit, të cilat për shkak të vëmendjes së ndërkombëtarëve dhe rolit që këto zgjdhje kanë në këtë fazë të shoqërisë shqiptare, në kapërcyell të tranzicionit, mund të konsiderohen si historike.
Disa nga kandidatët që vijnë nga jashtë sjellin me vete një frymë të re të të bërit politikë. Jo vetëm për faktin se ata kanë parë dhe kanë marrë pjesë në zgjedhje modele të qytetarisë dhe të funksionimit të votës së lirë e të vetë demokracisë por, mbi të gjitha, për faktin se ata duan të kontribuojnë për ridimensionimin dhe emancipimin e politikës në këtë vend. Në këtë pikëpamje, lëvizja e tyre ka një lloj idealiteti.
Autori i këtyre radhëve ka pasur fatin të vëzhgojë tre fushatat më të fundit zgjedhore presidenciale në SHBA, për të kuptuar se politika, mbi të gjitha garat e tjera, është një garë e hapur, ku konkurrojnë vlerat dhe jo klanet e ngritura mbi interesat e çastit. Vendosa të vij në Shqipëri dhe të japë ndihmesën time në politikë, duke kandiduar në emër të PLL, jo vetëm për shkak të kontributit të të parëve të mi në politikë (nga dera e Liteve ka pasur tre deputetë në Parlamentin shqiptar), por mbi të gjitha për shkak të një detyrimi moral, që kam ndaj banorëve të vendlindjes sime, Kalasë së Dodës në Dibër, nga e cila u largova 18 vjeç, në vitin 1990, duke thyer klonin enverist të kufirit shqiptar. Lidhjet që kam krijuar me njerëz me pushtet politik dhe resurse financiare në SHBA, më japin mundësi që të bëj diçka konkrete e të prekshme për vendlindjen time, për ata njerëz fisnikë, që megjithëse janë të zellshëm në punë dhe me iniciativë për të bërë gjëra të mira për veten e tyre dhe shoqërinë, nuk kanë përkrahjen e duhur nga politika dhe administrata. Ata kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe nuk mund të konsiderohen thjeshtë si votëdhënës, aq sa për të mundësuar dikë që të ulet në kolltukun e Kuvendit. Ata kanë nevojë për një përfaqësim dinjitoz, që ti bëjë aksionere të sfidave dhe përballjeve të politikës, në rrugën e demokracisë.
Kur shikon se si funksionon politika në vende si SHBA, që me të drejtë konsiderohen kampione të demokracisë, nuk mund të mos mendosh për politikën në vendin tënd. Të gjithë e dimë se ajo ka nevojë të emancipohet, të dalë nga llogoret inatçore të radhës dhe të ngrihet të paktën në nivelin e shoqërisë shqiptare. Kjo shoqëri i do politikanët e saj, kuvendarët dhe lidershipin e spektrit politik largpamës e vizionarë.
Në këtë kuptim, disa nga të rinjtë e ardhur nga Perëndimi për të marrë pjesë në garimin politik të 28 qershorit, më e pakta, i shërbejnë freskimit dhe çlirimit të poreve të politikës, konkurrimit të mendësive të reja politike.
Politikëbërja është diçka e prekshme për njerëzit. Në këtë pikëpamje, një shenjë e vogël emancipimi dhe këndvështrimi ndryshe, nga ana e atyre që marrin pjesë në konkurrim, përkthehet me një sens tepër pozitiv te votuesi.  Ky i fundit, ka nevojë për një zë të ngrohtë e të sinqertë, që të ngrihet mbi interesat pragmatiste të çastit, mbi zhurmnajën e pafundme të premtimeve lumë dhe punëve boshe.
Disa kandidatë që vijnë nga jashtë, qoftë dhe për hir të ambientimit me një psikologji, ku fjala dhe puna shkojnë paralel, sjellin një mentalitet pak a shumë ndryshe, i cili i përgjigjet deri diku lodhjes së votuesit, duke i dhënë një impuls të ri marrëdhënies kandidat votues.
Ata sjellin një preformancë që bazohet, përveç të tjerave, dhe tek lidhjet që ata kanë krijuar në Perëndim, për shkak të besueshmërisë së punëve të tyre prej nga vijnë. Natyrisht, jo të gjithë sjellin këtë frymë, pasi këtë nuk mund ta pretendojnë njerëz pa përvojën e duhur, vetëm për faktin se mund të kenë hyrë në dyert e auditoreve dhe të kenë fjetur në konvikte. Nëse nuk kanë pasur mundësinë e veprimtarive konkrete nëpërmjet ballafaqimit të iniciativave individuale, pa pasur lidhjet e duhura, por mbi të gjitha pa pasur vulën e ndonjë suksesi të tyre në këto vende, ata nuk mund të sjellin vlera të veçanta politike. Ata thjeshtë mund të jenë si të tjerët, pjesë e një dekori politik që tund diploma, por nuk sjell risi.
Duhet të kesh ndërmarrë iniciativa për të gjetur vetveten dhe për tu integruar në këto vende, duhet të jesh përballur me vështirësitë, duhet ti kesh kapërcyer pengesat dhe sfidat, të kesh krijuar lidhjet e duhura, për shkak të punës a biznesit, me njerëz dhe lobe, duhet ti ofrosh komunitetit që kërkon të përfaqësosh përvoja dhe projekte konkrete, për të qenë pjesë e një marrëdhënie të re midis politikanit dhe votuesit.
Mbi të gjitha, për të qenë efikas dhe i ndershëm me ata që të japin votëbesimin. Sidoqoftë, fakti që spektri politik shqiptar thërret kandidatë nga jashtë për ti hedhur në startin e zgjedhjeve, është një shenjë e mirë dhe tregon se vlerat politike po bëhen më konkurruese dhe vetë politika jonë po shkon drejt një performance më pragmatiste e të besueshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›