Nëna e 19 vjeçares: Pse e vrau im shoq vajzën

Familja Begu është një ndër ato oxhaqet ku tragjedia nxjerr tym vazhdimisht. Nga nëntë anëtarë të shtëpisë, tre kanë ndërruar jetë brenda një kohe të shkurtër; gjyshi, nipi i ri me sindromën daun dhe mbesa dy ditë më parë (vëlla e motër). Një tjetër fëmijë i kësaj familjeje, po me sindromën daun, djalë 14 vjeç, ka probleme të rënda shëndeti, ndërsa babai i tij, kryefamiljari Nikoll Begu, 49 vjeç, tashmë ndodhet në burg për vrasjen e bijës së tij 19-vjeçare, Valentina.
Në banesën e varfër njëkatëshe duket se nuk janë mirë nga shëndeti dhe gjendja psikologjike as katër pjesëtarët e tjerë të familjes.
Nënës Liza dhe motrës 16-vjeçare të viktimës i dallohet që larg trauma, ndërsa djali i madh i familjes përpiqet që të shfaqet si burrë para dhimbjes, edhe pse nuk i ka mbushur 22 vjeç. Sakaq, gjyshja u del para të gjithëve dhe u kërkon të mos bëjnë zë.
Sipas saj, Valentina nuk ka pse të vajtohet, sepse ia bëri vetes. Se çfarë i bëri mbesa vetes, gjyshja refuzon të tregojë, por diç lëviz me mimikë… Familjarët rreth e rrotull tregojnë copa-copa historinë, të ulur në stolat e sajuar të oborrit të shtëpisë që ndodhet në lagjen Grykëlumi, fshati Tale 1, komuna Shënkoll i rrethit Lezhë. Prej rrëfimeve të tyre, po sjellim më poshtë bisedën me Lizën, nënën e Valentinës, që u qëllua për vdekje nga babai i saj, Nikoll Begu…
Si ndodhi që bashkëshorti juaj, Nikoll, vrau vajzën tuaj 19-vjeçare, Valentina?
Nuk di ta them me saktësi se çfarë ka ndodhur, sepse ai ka qenë i vetëm kur e ka vrarë Valentinën. Unë kam qenë në dyqan, vjehrra po ashtu. Vajza tjetër e imja ka qenë duke shoqëruar djalin që e kam me probleme mendore, diku te një shtëpi këtu pranë. Djalin e madh e kisha në Itali. Pra, në shtëpi kishte mbetur vetëm burri me vajzën. Veç kur kemi dëgjuar krismën dhe jemi kthyer të gjithë me vrap në shtëpi.
Sa krisma dëgjuat?
Dëgjuam dy krisma, por veç njëri plumb e kishte kapur vajzën.
A ishte gjallë vajza kur e gjetët?
Po, por plumbi e kishte kapur në mushkëri dhe nuk jetoi dot.
Po yt shoq, çfarë bënte?
Ai ishte shtangur. Kishte marrë menjëherë në telefon policinë, duke e lajmëruar. Nikolla e shihte vajzën ashtu të shtrirë përtokë dhe kishte ngrirë. Nuk po e besonte dot që e kishte vrarë.
Thoshte ndonjë gjë?
Thoshte si nën zë që ajo e turpëroi për së gjalli, por edhe i kërkonte falje që e vrau. “Është gjaku im”, thoshte duke e parë. Ishte shumë i tronditur. Dukej që nuk ishte në vete. Sikur kishte kaluar…
A është penduar për vrasjen?
Po, po, që sa e kishte vrarë, ishte penduar. Por ç’të bënte… Policia erdhi shpejt dhe vajzën e vumë në makinë dhe e çuam në spitalin e Lezhës. Por, që kur hipi në makinë nuk kishte më shenja jete. Ndërsa burri qëndroi aty duke zgjatur duart që policët t’i vinin prangat dhe u tregoi se çfarë kishte ndodhur.
Në fakt, çfarë kishte ndodhur?
Kishte disa ditë që im shoq grindej me Valentinën. Dy vitet e fundit ajo na pati hapur probleme në shtëpi. Fillimisht, para një viti e gjysmë iku nga shtëpia për 3 ditë dhe më pas arritëm të lidheshim me të. Kishte ikur me një djalë nga Mirdita, me të cilin ramë dakord me familjen e tij dhe u martuan. Nuk shkoi gjatë dhe ata u ndanë. Ia falëm të gjitha dhe normalisht ajo u kthye në shtëpinë tonë.
Pse u nda Valentina me djalin mirditor?
Nuk kam dëshirë të flas për këtë temë, duke qenë se ceket me këtë rast edhe familja tjetër. Nuk kam pse t’i përmend, pasi ajo histori ka mbaruar me kohe./Indeksonline/