E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Alket Rizait flet pas arratisjes: Të vdesë në burg, jo të na e vrasin

 

Nga Ballshi Ferdinand Dervishi

Në lokalin e familjes që gjendet në qendër të Ballshit, Donika, nëna e njeriut-aventurë, Alket Rizai, mundohet me një shkathtësi, që duket qartazi se ka lidhje më shumë me rutinën, të bëjë herë kamerieren dhe herë banakieren. Në fakt gjithë jetën ka punuar si kameriere dhe kjo lexohet përmes veprimeve të saj. Gruaja rreth të pesëdhjetave nuk e ka aspak mendjen te klientët që kanë populluar tre nga katër tavolinat në lokalin e ngushtë dhe të mobiluar mesatarisht apo edhe varfër, edhe pse shumica e tyre janë miq të të birit, të ardhur për t’u qëndruar pranë pas lajmeve që po bëjnë xhiron e botës. Në njërën nga tavolinat, i ulur shpengueshëm, gjendet edhe i shoqi, Ramizi, një punonjës i përjetshëm i postës së qytetit, që herë pas here e porosit për katër birra të tjera, që të shoqërojë mezen me miqtë e të birit. Si një automate, Donika shkon te një frigorifer tepër i vjetër dhe me një lëvizje mekanike të njërës dorë përlan katër birrat e porositura. Një çast më pas afrohet të bisedojë me gazetarët për të birin, gjithë kohën e shigjetuar nga vështrimi mosaprovues i të shoqit.
Zonja Donika, a mund të na thoni si po e përjetoni këtë arratisje të dytë të Alketit?
Ç’të të them. Ne jemi njerëz hallexhinj, jemi edhe shumë të stresuar nga ngjarja. Di që djali ka qenë në paraburgim për tetë vjet me radhë. Pra di që djali ka qenë i padënuar. Me djalin kemi folur në telefon rregullisht, por edhe një avokat i tij, grek, që nuk e njohim fare, na ka marrë vazhdimisht në telefon duke na thënë se djali është i pafajshëm dhe se provat kundër tij janë të manipuluara. Dhe ne besojmë se Alketi është vërtet i pafajshëm. Nuk e kuptoj se si mund të mbahet një njeri në paraburgim për tetë vjet me radhë pa u dënuar!
Përse mendoni se Alketi e ka bërë këtë arratisje të dytë?
Nuk e dimë mirë or bir, por kemi shumë frikë për jetën e tij. U ka ikur ngase e ka parë që nuk mund të rrijë gjithë jetën në paraburgim pa u dënuar. Ndërsa ne na është fiksuar sikur policia greke do të na e vrasë. Se ata nuk duan ta kapin të gjallë. Por nuk është e drejtë ta qëllojnë. Se e kanë qëlluar dy herë deri tani. E qëlluan edhe kur u iku herën e parë, edhe kësaj radhe, me mitraloz. Pse e qëllojnë kur ai nuk i kërcënon? Prandaj kemi shumë frikë se mos na e vrasin.
Pse thoni që Alketi është i padënuar, kur dihet se ai është dënuar me “burg përjetë”, pas një akuze të vjetër për vrasje për xhelozi?
Jo nuk është tamam kështu. Alketi vërtet është dënuar në shkallën e parë me burg përjetë, por avokati dhe ai vetë, si edhe provat e reja të paraqitura, pretendojnë për pafajësi. Pra, akuza ka qenë e falsifikuar. Kështu pas tetë vjetësh në burg, për Alketin ende nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës që e dënon. Pra ai ende nuk është gjetur fajtor nga drejtësia. Prandaj edhe i ka ikur mendja të bëjë veprime të tilla. Dimë gjithashtu se gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti janë zhvilluar 6-7 seanca gjyqësore për arratisjen e parë në 2006, pa ndonjë rezultat konkret. Pra edhe për akuzën e parë edhe për të dytën, për Alketin nuk ka ende një dënim të formës së prerë. Ndërkohë që për çështjen e parë gjyqet kanë vazhduar tetë vjet dhe nuk kanë sjellë një vendim të tillë, ndërsa për arratisjen e parë është mbajtur dy vjet në paraburgim para se të nisë procesi.
Pra, ju do të dëshironit që djali të gjykohej me drejtësi nga gjykata. Si do të vepronit sikur Alketi t’ju trokiste në derë në njërën nga këto ditë?
Po të na vijë djali, e dorëzojmë vetë. Vetëm duam që drejtësia të jetë drejtësi. Më mirë të mbetet gjithë jetën në burg nëse është fajtor, se të na e vrasin “në përpjekje me policinë”. Kërkojmë nga shteti grek siguri për jetën e djalit. Djali ynë nuk është kriminel, ai nuk ka vrarë askënd dhe gjykata ende nuk e ka vërtetuar nëse është fajtor.
Kështu që për ju është më e rëndësishme jeta e djalit, pavarësisht se ai mund ta kalojë atë në burg?
Po. Kërkesa e vetme është: Duam të ruhet jeta e djalit, sepse është ende i pafajshëm, akuza është ende e paargumentuar. Ai le të burgoset përjetë që nesër, por vetëm me akuzë të argumentuar. 

Alketi, bashkëqytetarët e quajnë Xhejms Bond

Nga i dërguari ynë në Ballsh

Në Ballsh historia e arratisjes së dytë të djalit të qytetit është konvertuar në kryefjalë të të gjitha bisedave. Edhe pse Alket Rizain e njohin fare pak apo sapak, pasi ka ikur në drejtim të shtetit grek si klandestin kur ishte ende adoleshent dhe pothuaj nuk është kthyer më. Dhe të gjithë krejt çuditshëm, përkundër faktit se ai ka kryer sërish një vepër të dënueshme nga ligjet, nuk e fajësojnë aspak. Pasi fakti se Alketi sapo ka kryer një vepër tjetër penale eklipsohet nga akti heroik i arratisjen së dytë me helikopter, pra nga aventura, spektakli i konsumuar përmes kësaj arratisjeje. Madje në qytet ka nga ata që e krahasojnë me një Avni Rustem të kohëve moderne, ashtu siç ka nga ata që e krahasojnë me agjentin sekret 007, Xhejms Bond. Kulmin e arrijnë të tjerë opinionistë të qytetit, kryesisht të moshave të thyera, që thonë se Alket Rizain duhet ta marrë në mbrojtje vetë shteti shqiptar, pasi njerëz të tillë si ai mund ta ndihmojnë shtetin duke u vënë në shërbim të tij në misione të pamundura, në misione që nuk merren përsipër nga të tjerë. 
Ndërsa Kastriot Beqiraj, daja i mirëfilltë i Alket Rizait, i autorizuar nga familja të flasë me gazetarët, kërkon vetëm që djalit të tyre t’i ruhet jeta. Sipas Beqirajt, arratisja e Alketit ka të ngjarë të jetë organizuar nga vetë grekët, të cilët duan ta ekzekutojnë. “Plani i tyre ka qenë ta nxjerrin dhe pastaj ta vrasin. Por nuk ka funksionuar, edhe pse Alketin e kanë qëlluar në të dy rastet me breshëri të gjata mitralozësh. Prandaj ne i kërkojmë shtetit grek, por edhe atij shqiptar që të ruajë jetën e djalit tonë”, flet i revoltuar daja i Alketit.

Rizai, hetimi zbardh skemën e arratisjes spektakolare nga burgu

Marko Caka/ athine

Drejtuesit e hetuesisë greke që janë në ndjekje të çështjes së arrratisjes së bujshme me helikopter të dy të burgosurve Alket Rizai e Vasili Paleokosta, kanë dalë me konkluzionin që gjithçka u organizua nga shqiptari Alket Rizai. Por gjithçka është arritur me paratë që dispononte shoku i tij, Vasili Paleokosta, para të cilat dyshohet të jenë grabitur nga pengjet e bujshme të biznesmenëve më të mëdhenj grekë, disa muaj më parë. Rol kryesor në këtë çështje luante një grua që mori me qira helikopterin dhe që mendohet që është shtetase e huaj, e dashura e Alket Rizait, e njëjta që e ka ndihmuar dhe në arratisjen e parë. Bëhet fjalë për një grua tepër të guximshme dhe besnike deri në fund ndaj shqiptarit Rizai. Sipas hetimit gruaja rreth të tridhjetave me mbiemrin Aleksandrova me dokumente identifikimi bullgare, që mendohet të jetë shqiptare me origjinë nga Vlora, ishte paraqitur tek kompania “Interjet” si biznesmene dhe kishte paguar të njëjtin helikopter dhe 2 herë të tjera në datat 13 e 15 shkurt të këtij viti, duke kryer të njëjtin itinerar Athinë-Itea, në mënyrë që plani i të dielës të shkonte me sukses pa u dyshuar. Vetëm për një fluturim Aleksandrova ka paguar 10 mijë euro, dhe këtë e kryente për të treguar korrektësinë e saj në mënyrë që plani i saj të mos sillte asnjë dyshim tek autoritetet përkatëse dhe të mos dështonte. Madje ditën e diel 30- vjeçarja kishte telefonuar kompaninë e lartpërmendur, duke dhënë vetëm të dhënat si një kliente e rregullt e tyre dhe duke kërkuar helikopterin që ta merrte me fëmijët e saj në Itea.
Luftë në oborrin e burgut
Kur helikopteri mbërriti dhe bëri zbritjen, në vendin e caktuar u shfaqën gruaja bashkë me një burrë të moshës 35-vjeçare nga Shqipëria me një makinë të markës “Toyota Corolla”. Kur piloti pyeti ku janë fëmijët gruaja u përgjigj se në vend të fëmijëve do të hipë burri që e shoqëronte. Atëherë piloti pyeti burrin për emrin e tij dhe ai përgjigjet me gjysmë zëri “Cigas”. Megjithatë piloti u bind të merrte atë së bashku me gruan duke u nisur në drejtim të Athinës. Por pasi mbërrijnë në kufijtë afër Athinës burri nxjerr një bombe dore dhe ia vë poshtë qafës pilotit. Njëkohësisht me anë të një thike ai e kërcënon që të zbresë helikopterin në burgun e Koridhalosë. Kur piloti u thotë se nuk mundet, pasi nuk ka skemë të zbritjes, dy pasagjerët i thanë se, nëse nuk shkonte në drejtim të burgut do ta hidhnin helikopterin në erë. Pas kërcënimeve për jetën piloti detyrohet të zbresë helikopterin në sektorin 3 aty ku e urdhëruan pengmarrësit. Në kohën kur të dy të arratisurit po ngjisnin helikopterin, gruaja kërcënoi njërin nga gardianët që po kryente shërbimin me anë të një arme automatike “Scorpion”, dhe polici nuk reagoi fare. Gjithsesi, të shtënat nuk kanë munguar kur dy të burgosurit janë kacavjerrë në shkallën e lëshuar nga helikopteri. Disa gardianë kanë qëlluar, po kështu edhe femra në drejtim të tyre. Për rrjedhojë një polic pranë helikopterit është plagosur. Sipas dëshmisë së pilotit çifti fliste vazhdimisht në celular me Alket Rizain duke marrë udhëzimet e tij. Sipas hetimit, në qelitë e burgut Alket Rizai mbante një celular në forme orë dore të teknologjisë së fundit dhe që nuk kishte rënë kurrë në dyshim nga gardianët, me gjithë masat e rrepta për mos përdorim celulari.
Katër arreste
Menjëherë pas arratisjes së bujshme prokurori i çështjes lëshoi fletë arresti për pilotin dhe tre gardianët e burgut si dhe një tjetër urdhër kontroll rutinë në shtëpitë e tyre. Piloti, polici i plagosur dhe dy gardianë të tjerë u arrestuan dhe u dërguan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Pireut. Ndaj pilotit u ngrit akuza “për shkelje të rregullave të fluturimit”, ndërsa për tre gardianët policë, akuza tjetër “për pjesëmarrje në arratisjen e të burgosurve dhe  mos vigjilencë në kohën e shërbimit”. Veç prokurorit të Pireut për këtë çështje është ngarkuar dhe prokurori i Gjykatës së Lartë meqenëse ngjarja hyn tek krimet e rënda dhe Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që skandali i arratisjes të hetohet në thellësi që nga kujdestarët e burgut e deri tek drejtuesit që dyshohen të kenë gisht në arratisjen spektakolare të shqiptarit Alket Rizai dhe grekut Vasili Paleokosta. Madje, Ministri i Drejtësisë Nikos Dendias kërkoi nga Autoriteti i Pavarur i Luftës kundër Pastrimit të Parave që të hetojë llogaritë bankare ndaj të gjithë nëpunësve që shërbejnë në sektorin e tretë të burgut të Koridhalosë, nga ku u krye dhe arratisja me helikopter. Sipas burimeve të policisë greke, Alket Rizai dhe Vasili Paleokosta vetëm për të dalë në oborr kanë shpërblyer me shuma të majme personat që ndihmuan në arratisje. Burime të hetimit kanë pohuar se dy të arratisurit kishin në posedim shuma të majme, dhe se paratë që kryen arratisjen e tyre vinin nga dy pengmarrjet e shekullit në Greqi, që u kryen pak muaj më parë, viktimë e të cilave ishin dy biznesmenë të mëdhenj në Greqi, të cilëve ju morën gjithsej 36 milionë euro kundrejt lënies në liri.

Humor në internet: “Rizai on-line, fluturime të sigurta nga burgjet”

Që prej 48 orësh, Alket Rizai dhe Vasili Paliokasta, kanë shënuar një rekord për Ginnes, pasi janë të vetmit të burgosur që arratisen dy herë radhazi nga burgu me të njëjtën skemë të largimit, duke përdorur helikopter. Në fakt kjo është një arratisje për rekord absolut, pasi në asnjë rast të dytë në botë nuk ka ndodhur kjo që shqiptari dhe greku realizuan në Burgun e Koridhalosit në Athinë. Një histori, që ka bërë xhiron e botës dhe që po t’u besosh të blogjeve të internetit, sigurisht që në një të ardhme do të jetë në shënjestër të regjisorëve më të njohur të Hollivudit, për t’u konvertuar ndoshta në një film aksion. Ndërkohë që disa bllogje bëjnë dhe humor me autoritetet greke dhe ironizojnë policinë, e cila nuk arriti të mbante fantazmën Rizai në qelitë e burgut. Madje në një blog ka hapur një faqe, duke u shtirur si një kompani që kryen fluturime të sigurta me emrin e Rizait “Rizai on-line”. Në këtë faqe interneti jepen sqarime për fluturime të sigurta në çdo orë në qelitë e burgjeve dhe pa ndjerë aspak shqetësimin e policisë greke.

Celularet
Dje në drekë, në lidhje me arratisjen e djeshme të të dy të burgosurve, u zhvillua mbledhja urgjente e qeverisë greke mbi çështjet e drejtësisë greke dhe vendosi mbi 10 masa të reja. Ndër këto është dhe heqja e thirrjeve anonime nga telefonat fikse dhe celularë, të cilat kanë bërë që të shmangin gjurmët e keqbërësve.

Shkarkimet
Pas ngjarjes pritet të ketë një valë shkarkimesh, të cilat kanë nisur me largimin e Drejtorit Burgjeve dhe funksionarëve të tjerë përgjegjës për këtë çështje. Ndërsa opozita greke “Pasok” dhe forcat e tjera politike kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë greke dhe kanë paralajmëruar për zgjedhje të reja me pretekstin se siguria në vend është në rrezik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›