E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kriza po na prek, bankat të shtojnë kredinë

 

Fabiola Çela

Bankat duhet të japin më shumë kredi për eksportuesit. Këtë herë kërkesa është bërë nga vetë kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi të zhvilluar dje me biznesin fason dhe drejtuesit e bankave të nivelit të dytë në vend. Kriza globale financiare në Shqipëri ka dhënë efektet e saj negative te biznesi fason. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajve të fundit, eksportet e mallrave shqiptare kanë rënë ndjeshëm dhe kjo si pasojë e krizës globale. Vetëm pak ditë më parë eksportuesit kërkuan ndihmë nga qeveria për të përballuar krizën me të cilën po përballen.
Sistemi bankar në Shqipëri nuk është infektuar nga kriza e bankave. Por për fat të keq edhe pse një ekonomi e vogël, Shqipëria nuk ka mundur t’i shpëtojë dot efekteve negative të krizës ndërkombëtare financiare. “Ky mekanizëm i përhapjes ose kontaminimit, përmes të cilit kriza e nisur në ekonomitë më të fuqishme të botës po përhapet në të gjithë botën, ka bërë që efektet të ndjehen edhe në ekonominë shqiptare. Pavarësisht se sistemi financiar nuk u ndikua nga kriza financiare botërore, efektet e raundit të dytë po shfaqen dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Banka e Shqipërisë vlerëson se në vitin 2008, në kuadër edhe të një ‘thatësire’ të madhe të tregjeve globale, është regjistruar rënie e flukseve hyrëse valutore dhe rritje e deficitit korent”, ka deklaruar dje Guvernatori Fullani. Të parët që janë prekur nga kjo krizë janë eksportuesit. “Sipas vlerësimeve më optimiste, kjo situatë nuk do të përmirësohet të paktën deri në fund të këtij viti. Për këtë arsye, theksoj se eksportuesit duhet të adoptojnë filozofi të reja. Ata duhet të jenë krijues, të shtojnë produktet dhe të zbulojnë tregje të reja, jashtë atyre tradicionale, të cilat aktualisht janë goditur nga kriza financiare dhe ekonomike”, është shprehur Guvernatori. Në një situatë të tillë ai u ka kërkuar drejtuesve të bankave që të mos ndalin kreditimin. “Vlerësojeni më me kujdes rolin dhe potencialet e këtij biznesi, qëndroni afër me këshilla dhe konsulencë financiare, rishikoni politikat tuaja të vendosjes së  komisioneve për këtë biznes dhe në këtë proces jepini përparësi financimit më të madh të tij. Aktiviteti i eksportit është gjenerues i flukseve valutore aq të nevojshme për stabilitetin e monedhës. Stabilitet, i cili lidhet me të gjithë ekuilibrat e tjerë, përfshirë edhe stabilitetin e sistemit financiar”, ka theksuar kreu i Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›