Zyrtari i NATO jep garanci: Shqipëria do jetë anëtare
BLEDAR HOTI
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk rrezikohet nga referendumi i Sllovenisë për çështjen e Kroacisë. Kështu deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare, David Hobs në seminarin e zhvilluar nga Kuvendi, me temë “Karta e Adriatikut, Integrimi euroatlantik dhe Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.
Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobs dha garancitë se Shqipëria nuk rrezikohet nga zhvillimet në Kroaci, shtet i të njëjtës kartë anëtarësimi dhe se NATO mirëpret zgjerimin. “Problemi i vetëm ishte ratifikimi, që për Shqipërinë u krye në një kohë rekord. Prandaj, të gjithë shpresojmë që vendi juaj të anëtarësohet në samit me të drejta të plota”, deklaroi Hobs. Ndërsa për rrezikun që i kërcënohet Kroacisë nga zhvillimi i referendumit në Slloveni, Hobs shprehet se Shqipëria nuk preket nga një gjë e tillë. “Nuk kam shumë detaje për çështjen me Slloveninë, por mesa di unë ky vend po përpiqet ta zgjidhë. Në këtë kontekst dy ratifikimet ishin të ndara, prandaj një problem i Kroacisë nuk e prek Shqipërinë” tha ai. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobbs, parlamentarë nga Bosnje Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, të ftuar nga Parlamenti i Kosovës, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë. Në fjalën e tij zyrtari i lartë politik i NATO-s, u ndal veçanërisht në rëndësinë thelbësore që kanë parlamentet e vendeve anëtare, në zgjerimin e Aleancës së Atlantikut, dhe në implementimin e reformave që këto vende ndërmarrin. “Rëndësia e asaj që shpesh quhet “diplomaci parlamentare” është rritur shumë që nga mbarimi i luftës së ftohtë. Si Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Natos, besoj shumë në rolin e parlamentit në bashkëpunimin ndërkombëtar. Takimi juaj pasqyron jo vetëm aspiratat e parlamentarëve të Kartës së Adriatikut për integrim Euro-Atlantik, por edhe angazhimin e tyre për t’i kthyer në realitet, këto aspirata” - u shpreh Hobs. Kur kanë mbetur dhe pesë nga zhvillimi i samitit të ardhshëm të NATO-s, përfaqësuesit e zyrtarët e SHBA-së dhe NATO japin garanci se Shqipëria do të jetë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë. Ratifikimi në pak se 6 muaj i 26 parlamenteve të shteteve anëtare të protokollit të NATO-s me Shqipërinë bëri të mundur që në samitin e Strasburgut dhe Kel të jetë anëtare me të drejta të plota. Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia u bënë pjesë e kartës “Adriatik 3” që në vitin 2003, kartë të cilës në nëntor 2008 iu shtuan dhe Bosnjë –Hercegovina dhe Mali i Zi. Në Tiranë, në vitin 2003, sekretari i shtetit i SHBA-së, Kolin Pauell, nënshkroi me tre shtetet e Ballkanit, nismën për Kartën e Adriatikut, A3 me Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoni. Kësaj nismeje që mbështetet fuqishëm nga SHBA-ja, iu bashkëngjiten në vitin 2008 dhe vendet e tjera si Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.