Kuvend, Malaj: Vendi në krizë. Bode: Nuk jemi prekur
Kriza ekonomike botërore dhe rreziku i prekjes së Shqipërisë ka qenë objekt i debatit politik në Kuvendin e Shqipërisë. Në diskutimet jashtë rendit të ditës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se “qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë për të zgjidhur krizën në të cilën ndodhet vendi”. “Dua të shpreh shqetësimin e thellë për krizën e thellë ekonomike që po përjeton vendi ynë e në përgjithësi bizneset shqiptare. Sot rrezikohet falimentimi i një sërë biznesesh, si dhe dalja nga tregu i punës drejt ushtrisë së të papunëve, të dhjetëra mijëra qytetarëve, e sidomos të vajzave, grave dhe nënave që janë të punësuara”, deklaroi Meta. Ndërsa Ministri i Financave, Ridvan Bode ka hedhur poshtë qëndrimin e mbajtur nga Meta, duke theksuar se “opozita po përdor krizën për çështje elektorale”. “Opozita është e çoroditur, sepse një ditë thotë se ka krizë financiare dhe një ditë tjetër se ka rritje çmimesh. Në botë ka krizë, sepse janë ulur çmimet”, sqaroi Bode. Kreu i Financave siguroi se bankat do të vijojnë të mbështesin biznesin me kredi, ndërsa theksoi se “ka urdhëruar që çdo biznes, të cilit i lind e drejta dhe është verifikuar për t’u rimbursuar nga TVSH, do të rimbursohet”. Ndërsa deputeti i PS-së, Arben Malaj iu kundërpërgjigj Bodes, duke deklaruar se “vendi është në krizë dhe vetë fakti që qeveria është fokusuar te spotet e vërteton këtë”. “Kryeministri është i çoroditur në të dhënat që jep për rritjen ekonomike. Qeveria është në panik dhe po shpenzon për spote publicitare në prag të fushatës. Ekonomisë shqiptare po i shterojnë burimet e rritjes së saj, qeveria të veprojë sa më shpejt për të shmangur krizën”, tha Malaj.