Nëna e Barak Obamës
Secili prej nesh jeton një jetë me të vërtetë kontradiktore. Jemi dikush, kemi jetën tonë dhe gjërat tona. Të paktë janë ata njerëz që kanë shumë gjëra njëherazi e dinë t‘u japin vlerë. Një nga këta persona ka qenë mamaja e kandidatit presidencial, Barak Obama. Ann Sortoro ishte një nënë që në moshë shumë të hershme dhe më vonë arriti të mbronte doktoraturën në antropologji. Ishte një grua e bardhë nga Shtetet e Bashkuara, por që ndihej si në shtëpinë e vet në Indonezi. Ishte një nënë e lindur dhe e fiksuar pas punës së saj. Ishte një romantike pragmatiste, nëse një kombinim i tillë është i mundshëm. "Kur mendoj për nënën time, gjej tek ai person një qenie që ishte njëherazi me këmbët ngulur thellë në tokë e njëherazi me mendjen fluturake e ëndërrimtare. Ajo ishte vazhdimisht në kërkim të diçkaje dhe nuk ishte kurrë rehat me jetën që bënte. Kërkonte vazhdimisht më shumë dhe këtë kërkim e niste gjithmonë nga vetja", thotë Obama për të ëmën. E ëma e tij ishte një ëndërrimtare. I pëlqenin bastet e rrezikshme për të cilat jo rrallë ka paguar çmime të shtrenjta. Ato ishin zgjedhje me të cilat detyrimisht ishin edhe pjesë e jetës të së bijve. Ra dy herë në dashuri me studentë të rinj nga vende të largëta për të cilët nuk dinte asgjë. Të dyja martesat dështuan dhe për të rritur e vetme fëmijët u mbështet vetëm te prindërit dhe miqtë e saj. "Qante shumë. Nëse do të shihte kafshë që keqtrajtoheshin apo fëmijë të trishtuar i rridhnin lotët vetiu faqeve. Nga ana tjetër, nuk e njihte frikën dhe kishte një këndvështrim shumë personal ndaj botës. Kërkonte të shihte thelbin e gjërave", ka thënë për të Obama në një intervistë të tijën. Sot, ky njeri që pretendon Shtëpinë e Bardhë është pjesërisht edhe "prodhim" i një nëne të tillë, por edhe i asaj çka e ëma nuk mundi të ishte kurrë. "Unë kam krijuar një stabilitet për fëmijët e mi, ndërkohë që ime më nuk e bëri për ne. Zgjedhja ime për stabilitet dhe qëndrueshmëri ka shumë të ngjarë të vijë nga mungesa që kam pasur në fëmijëri", thotë Obama. Megjithatë, Obama është biri i nënës së tij. Lehtësia me të cilën ai beson se mund të kryhen ndryshimet e mëdha është tipike e së ëmës. Edhe ajo e kishte shumë më të lehtë të besonte te kryerja e gjërave, se sa tek dështimi i tyre. Shpresa, që është edhe një nga tiparet që më së shumti ka shfaqur kandidati presidencial në fjalimet e tij dhe në vizionin e tij, duket se është një çështje familjare. Është një dhunti e trashëguar. Njeriu që e solli në jetë dhe e rriti ishte një njeri plot shpresë. Në shumë raste kandidatësh presidencialë, një nënë e vdekur nuk ka qenë kurrë subjekt i rrëmimeve e hetimeve të shtypit, ndërsa në rastin e Obamës ka ndodhur e kundërta. Arsyeja? Ann Soetoro nuk ishte një nënë e zakonshme. Ajo lindi në vitin 1942, 5 vjet para Hilari Klintonit. Ajo erdhi në jetë në një Amerikë të përfshirë nga lufta, segregacioni dhe mosbesimi. Prindërit e quajtën Stanlej, sepse i ati do të kishte dashur që ajo të ishte djalë. Gjatë jetës pati 4 emra të ndryshëm, secili përfaqësonte një kapitull të caktuar të jetës së saj. Kështu, gjatë periudhës së emrit Stanlej, familja e saj u zhvendos shumë herë nga Kansasi në Kaliforni e më pas në Teksas apo Uashington. E gjithë kjo para ditëlindjes së 18 të vajzës me emër djali. I ati ishte një shitës dhe kishte një lëvizshmëri dhe dëshirë për të lëvizur të cilën e trashëgoi më pas edhe vajza. Vitet e shkollës së mesme i kaloi në një ishull në Uashington, duke studiuar veçanërisht filozofi apo duke shkuar për të pirë kafe në Siatëll. Dëshironte shumë të vazhdonte studimet e larta dhe të kishte një karrierë të sajën. Nuk ishte veçanërisht e interesuar për martesë, apo për lindje fëmijësh. Edhe pse Stanlej u pranua nga Universiteti i Çikagos, i ati nuk e la që të shkonte. Ai mendoi se e bija ishte shumë e re për të nisur një jetë të mëvetësishme. Pasi mbaroi shkollën e mesme familja lëvizi sërish, këtë herë në Honolulu. Havai sapo ishte bërë shtet. Duke mos hequr dorë nga dëshira, vajza u regjistrua sërish në universitet. Sapo mbërriti në Havai Stanlej pa filmin e saj të parë. Titullohej "Orfeu i zi" dhe ishte një film muzikor që rrëfente historinë e mitit të Orfeut, një përrallë e një dashurie fatkeqe. Ky ishte një film që la shumë gjurmë në jetën e saj. Me t‘u regjistruar në universitet Stanlej filloi ta prezantonte veten me emrin Ann. Në këtë kohë takoi Barak Obamën gjatë orës së gjuhës ruse. Ai ishte ndër afrikanët e parë që ishin regjistruar në universitet dhe ndodhej në qendër të vëmendjes së të gjithëve. Për kë e ka njohur, ai kishte një personalitet magnetik. Ishte një orator i shkëlqyer, veti që e ka trashëguar edhe i biri. Ai i tërhiqte të gjithë. Pinte birrë, hante pica me të tjerët dhe dëgjonte muzikë. Krejt ndryshe nga djaloshi aktiv ishte Ann. E sapoardhur nga shkolla e mesme, ajo ishte e ndrojtur dhe i pëlqente shumë që në vend të fjalës të vëzhgonte. Pak kohë pas njohjes të dy të rinjtë nisën të frekuentoheshin dhe që një zezak të frekuentonte një të bardhë në atë kohë ishte një gjë jashtëzakonisht e rrallë. Kur Ann tregoi në familje për të dashurin e saj zezak, ata e ftuan menjëherë në shtëpi për darkë. Pak kohë më pas çifti vuri kurorë. Në atë periudhë, Ann ishte tre muaj shtatzënë me Barak Obamën. Martesa ishte e befasishme për të gjithë dhe arsyet e saj mbetën një mister për të gjithë. "Nuk e kam pyetur kurrë nënën time për detajet e martesës së saj. Si ndodhi që ata vendosën të lidhnin fatet? Ndoshta për shkak të shtatzënisë, apo ishte një propozim nga ana e djalit, një propozim sipas traditës?", thotë Obama. Ann ishte shumë e re për t‘u martuar edhe për standardet e viteve ‘60. Në moshën 18-vjeçare ajo braktisi universitetin. Kur djali i vogël mbushi një vjeç, Obama shkoi në Harvard për të bërë një doktoraturë në shkencat ekonomike. I ati i tij i kishte idetë e qarta. Ai donte të studionte në shkollat më të mira e më pas të kthehej në vendin e vet, në Kenia. Në këtë kthim donte që të merrte me vete edhe familjen. Por për Ann këto projekte nuk përputheshin me mënyrën se si ajo e shihte veten dhe në këto e sipër vendosi për divorc. Ndërkohë, Ann kishte bërë gjëra që pjesa më e madhe e grave të epokës së saj nuk i kishin bërë: ishte martuar me një afrikan, kishte pasur me të një fëmijë dhe ishte divorcuar. Në këto kushte, jeta e saj mund të ishte shndërruar në jetën e një gruaje të vetme që punon gjithë ditën për të rritur djalin dhe për të paguar qiranë e shtëpisë duke ia mbushur të birit kokën me dokrra për të atin. Në fakt, nuk ndodhi kështu. Kur Obama ishte thuajse 2 vjeç, Ann iu rikthye studimeve. Para nuk kishte shumë. Kështu u detyrua edhe të punonte, por edhe të pranonte ndihma nga familja. 4 vjet më pas arriti që të diplomohej. Ndërkohë, takoi një tjetër student të huaj në universitetin e Havait, Lolo Soetoro. Ai ishte i thjeshtë, i këndshëm dhe nuk e kishte problem Obamën e vogël. Lolo i propozoi të dashurës për martesë në vitin 1967. Më pas erdhi zhvendosja për në Indonezi, një vend krejtësisht i ndryshëm nga ai nga vinin, me një vapë të padurueshme e një diell rraskapitës. Banesa e të shoqit ndodhej në periferi të Xhakartës. Aty nuk kishte drita dhe rrugët nuk ishin të shtruara. Vendi ndodhej nën sundimin e gjeneralit Suharto. Ann dhe i biri ishin të vetmit të huaj në të gjithë zonën. Vendi ishte i mbushur me lypsa, lebrozë, fëmijë jetimë. Megjithatë, Ann u dashura me atë vend, ndërkohë që të shoqit i kishte mbetur mendja në Perëndim. Pas një pune të re, familja shkoi të jetonte në një lagje më të mirë dhe standardi i jetesës u përmirësua ndjeshëm. Në këtë kohë Ann me të shoqin shkonin nëpër darka e mbrëmje të ndryshme ku burrat luanin golf, ndërsa gratë ankoheshin për injorancën e shërbëtoreve të tyre vendase. Me kalimin e kohës, çifti sa vinte e po bëhej më i huaj për njëri-tjetrin. Për të kaluar kohën, Ann gjeti punë si mësuese anglishteje në ambasadën amerikane. Gjatë gjithë jetës çohej shumë herët në mëngjes. I pëlqente që ta priste çuar lindjen e diellit. Gjatë kohës që fëmijët po rriteshin ajo u bënte mësim anglishteje në orën 4 të mëngjesit. Donte që fëmijët e saj të kishin një shkollim të mirë. Dhe pse Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane në botë, familja e Obamës nuk ishte besimtare. Në një intervistë ai ka rrëfyer për të ëmën: "Ann ishte një nga njerëzit më shpirtërorë që kam njohur ndonjëherë, por ajo kishte njëherazi edhe një skepticizëm ndaj institucioneve fetare në përgjithësi. Këtë ia kam trashëguar edhe unë". Kur Obama mbushi 10 vjeç, Obama shkoi te gjyshërit në Havai dhe të shkollohej në një shkollë elitë. Ky vendim tregon se sa i rëndësishëm ishte shkollimi i fëmijëve për Ann. Por ndarja nuk zgjati shumë, sepse pas një viti edhe Ann erdhi në Havai së bashku me vajzën, duke lënë pas të shoqin. Aty ajo u regjistrua në një program master të universitetit për studimin e antropologjisë së Indonezisë. Ky vend është një mrekulli e vërtetë. Përbëhet nga 17 500 ishuj në të cilët 230 milionë njerëz flasin 300 gjuhë të ndryshme. Kultura e arkipelagut ka ngjyrë budiste, hindu, myslimane dhe tradita holandeze. Në këtë periudhë, Ann nisi të gjente zërin e saj. Ata që e kishin njohur më parë e përshkruanin si një grua të qetë e të pafjalë, ndërsa ata që e takuan pas viteve të kaluara në Indonezi e përshkruanin si të drejtpërdrejtë dhe shumë pasionante. Bashkëshorti i Ann e vizitonte shpesh Havain, por ata nuk jetuan më kurrë së bashku si një familje e vetme. Në vitin 1980, Ann kërkon edhe divorcin e dytë. Me babanë e Obamës mbante lidhje të rregullta po ashtu edhe me babanë e vajzës së dytë. Ann pavarësisht divorceve nuk ishte nga ato gra që shajnë burrat dhe anatemojnë meshkujt e botës, duke i fajësuar për të gjitha hallet që kanë. Ann ishte optimiste dhe e lumtur që të paktën nga secila martesë i kishte ardhur në jetë një fëmijë i mrekullueshëm. Tre vjet pas kthimit nga Indonezia dhe vazhdimit të studimeve, Ann vendosi që të rikthehej në atë vend për të nisur punimin e doktoraturës. Në atë kohë, Obama ishte 14 vjeç dhe i shprehu të ëmës dëshirën që të mos e shoqëronte. Ai ishte i lodhur së bredhuri nga një vend në tjetrin dhe vlerësonte shumë mënyrën e lirë të të sjellurit të gjyshërve. Ann nuk u zu me të birin për vendimin e tij dhe vazhdoi për në Indonezi. Aty ndër të tjera nisi të punonte edhe në një fondacion amerikan dhe kalonte një pjesë të mirë të kohës me vendasit, kryesisht me gratë me të cilat fliste për hallet e problemet e tyre. Shtëpia e saj u shndërrua në një vend ku mblidheshin njerëz të ndryshëm që nga personat më të varfër e të braktisur e deri tek ata të fuqishmit duke përfshirë politikanë, kinematografë, muzikantë dhe punonjës të ndryshëm. Sipas njerëzve që kanë njohur në atë kohë, Ann solli frymën e debatit dhe të diskutimit të barabartë mes meshkujve dhe femrave dhe të diskutimit të temave të tilla si pabarazia seksuale dhe ajo racore. Sipas së bijës, e cila është tani mësuese historie në Havai, e ëma kishte një këndvështrim pozitiv të gjërave dhe nuk i pëlqenin ideologjitë. Gjatë një fjalimi zgjedhor në Filadelfia në lidhje me marrëdhëniet mes të bardhëve dhe të zinjve, Obama kishte ndër mend fjalët e së ëmës. "Kur po shkruaja fjalimin kujtimi i saj më mbushi të tërin. Në çdo fjalë që unë hidhja në letër pyesja veten: po të kishte qenë ime më një nga njerëzit që do të marrin pjesë në takim a do t‘u kishte besuar fjalëve të mia?", është shprehur Obama në një intervistë të tij të fundit. Në komunitetin amerikan në Indonezi nënat e vetme ishin një përjashtim dhe Ann jetoi me një situatë të tillë pa probleme të dukshme. Në ato vite ajo ishte shndërruar në një grua të shëndoshë e me flokë të zinj. Ishte një personalitet i jashtëzakonshëm, një prezencë që e mbushte vendin në të cilin ndodhej. Në kohët e sotme, në Amerikë, mund të gjesh shumë gra në situatën e Ann, por në kohën e saj ajo ishte një gjë e rrallë sikurse e tillë ishte edhe mënyra me të cilën Ann u përball me fatin. Vitet e mëvonshme puna e Ann u fokusua te dhënia e mikrokredive në Indonezi, një program i fondacionit në të cilin punonte. Ndërkohë ajo vazhdonte edhe kërkimet antropologjike tek indonezianët. Ndërsa Ann ndihmonte të varfrit në Indonezi, Obama po përpiqej të bënte një gjë të ngjashme rreth 11 mijë kilometra larg në Çikago. Ai kishte rolin e një organizatori komuniteti. Që nga larg e ëma ishte e entuziazmuar për përparimet e të birit dhe mbante me të lidhje të vazhdueshme. Shpesh shkonte dhe e takonte, pastaj kthehej në Havai ose në Nju Jork. Gjendja ekonomike nuk ishte e mirë, por Ann së bashku me të bijën nuk kishin shumë pretendime jetese, mjaft që të kishin një vend për të fjetur dhe një punë. Në vitin 1992, Ann përfundoi punimin e doktoraturës për të cilin kishte punuar për rreth dy dhjetëvjeçarë. Teza ishte rreth 1000 faqe dhe ishte një analizë e hollësishme e jetës rurale të Indonezisë. Punimin ia dedikoi së ëmës dhe bijve.
Në vjeshtën e vitit 1994, Ann po darkonte në shtëpinë e një miku të saj në Xhakarta, kur befas ndjeu një dhimbje në stomak. Pasi u vizitua i thanë se kishte probleme tretjeje, ndërsa kur u kthye në Havai, disa muaj më vonë mësoi se kishte kancer në vezore. Në 7 nëntor në vitit 1995 ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare. Para se të vdiste, Ann lexoi një pjesë të kujtimeve të të birit, që kishte të bënte krejtësisht me të atin. Disa nga personat që e kishin lexuar ishin çuditur për këtë lloj fokusimi të Obamës së ri, por Ann nuk u çudit aspak. Nuk u ankua kurrë, por në atë kohë as Barak dhe as Ann nuk e dinin se sa pak kohë u kishte mbetur të dyve për të kaluar së bashku. Sot, Obama konsideron si gabimin më të madh të jetës së tij mosndodhjen pranë shtratit të së ëmës në kohët e saj të fundit. Ai iku në Havai vetëm kur familja hodhi hirin e saj në Paqësor. Nga ana tjetër, gjatë gjithë kësaj fushate zgjedhore ai thotë se e ndien shpirtin e saj brenda vetes tek i qëndron pranë dhe i jep forcë. "Kur Barak qesh të duket sikur sheh Ann. Ai shndrit në atë mënyrë të veçantë që vetëm Ann shndriste", thotë një nga mikeshat e së ëmës.
Në vjeshtën e vitit 1994, Ann po darkonte në shtëpinë e një miku të saj në Xhakarta, kur befas ndjeu një dhimbje në stomak. Pasi u vizitua i thanë se kishte probleme tretjeje, ndërsa kur u kthye në Havai, disa muaj më vonë mësoi se kishte kancer në vezore. Në 7 nëntor në vitit 1995 ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare. Para se të vdiste, Ann lexoi një pjesë të kujtimeve të të birit, që kishte të bënte krejtësisht me të atin. Disa nga personat që e kishin lexuar ishin çuditur për këtë lloj fokusimi të Obamës së ri, por Ann nuk u çudit aspak. Nuk u ankua kurrë, por në atë kohë as Barak dhe as Ann nuk e dinin se sa pak kohë u kishte mbetur të dyve për të kaluar së bashku. Sot, Obama konsideron si gabimin më të madh të jetës së tij mosndodhjen pranë shtratit të së ëmës në kohët e saj të fundit. Ai iku në Havai vetëm kur familja hodhi hirin e saj në Paqësor. Nga ana tjetër, gjatë gjithë kësaj fushate zgjedhore ai thotë se e ndien shpirtin e saj brenda vetes tek i qëndron pranë dhe i jep forcë. "Kur Barak qesh të duket sikur sheh Ann. Ai shndrit në atë mënyrë të veçantë që vetëm Ann shndriste", thotë një nga mikeshat e së ëmës.