E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planeti i "humbur"

Një zog në tetë, një gjitar në katër, një amfib në tre: rreth 40 për qind e species është në rrezik. Këto janë statistikat e fundit që rezultojnë nga studimi i kampionëve të marrë nga 40 mijë specie kafshësh dhe 12 mijë lloje bimësh. Po ndodh për shkak të shkatërrimit të habitatit të tyre natyral, ndotjes dhe ndërhyrjes nga ana e species njerëzore. Gjithashtu, një tjetër rol kryesor në këtë fatkeqësi e luan edhe ndryshimi i konsiderueshëm i klimës: sipas një studimi, do të mjaftonte një ngrohje e tepërt globale që brenda vitit 2050 të zhduken 15 deri në 37 për qind e specieve të planetit tonë. Me pak fjalë, ky alarm i përket një epoke të re. Në të kaluarën ka pasur pesë zhdukje speciesh në masë si për shembull ajo e dinozaurëve. Tani jemi përballë asaj të gjashtës e cila ka një ritëm rreth një mijë herë më të madh se e atyre të mëparshme. Për shembull, në këto vitet e fundit janë zhdukur 30 nga 113 speciet e bretkosave të Amerikës Qendrore. Të tjera specie janë në rrezik në Australi, Shtetet e Bashkuara, Afrikë dhe në Evropë. Në vitin 2007 kanë hyrë për herë të parë në këtë listë të zezë edhe koralet me disa specie nga ishujt Galapagos. Të njëjtin fat kanë pasur edhe disa specie reptilësh meksikanë dhe amerikanoveriorë dhe në raste më të rralla disa specie hutash afrikane dhe aziatike të privuar si nga mungesa e ushqimit, si nga helmet e ndryshme që gjahtarët përdorin për të vrarë grabitqarë si hiena dhe çakaj, me mbeturinat e të cilëve ushqehen hutat. Pra, mjafton të "infektohet" keqazi një hallkë e zinxhirit ushqimor dhe dalëngadalë shumë specie do të marrin një goditje të rëndë. Gjithashtu, një goditje të rëndë kanë marrë edhe majmunët e mëdhenj antropomorfë, si gorilla perëndimore (të pakësuar në numër deri në 60 për qind në këto 20 vitet e fundit si pasojë e gjuetisë dhe virusit ebola), shimpanzetë dhe orangutangët e Borneos, që dalëngadalë po e humbasin habitatin e tyre natyral.

Në Evropë, edhe pas shumë përpjekjesh për të përmirësuar gjendjen, situata nuk është premtuese: për shembull një gjitar në gjashtë është i rrezikuar seriozisht nga zhdukja. Dhe vazhdojnë të zhduken kafshë si vizoni evropian, dhelpra arktike, rrëqebulli Iberik dhe foka të ndryshme. Por jo vetëm kaq. Situata paraqitet dramatike edhe për faunën e ujërave të ëmbël. Sipas disa studimeve të fundit, 200 nga 522 speciet e peshqve të ujërave të ëmbla në Evropë, janë në rrezik zhdukjeje: një nga më të rrezikuarat është trofta për shkak të peshkimit të madh industrial. Por shkaktarë të tjerë janë edhe pakësimi i rezervave ujore, ndotja, ndërtimi i digave etj. Ndërsa në detin Tirren zbulohet se 42 për qind e peshkaqenëve dhe të specieve mesdhetare janë në rrezik për shkak të peshkimit.

Gjendja paraqitet e keqe edhe për bimësinë, mbi të gjitha në pyjet ekuatoriale dhe tropikale. Në vitin 2007 është deklaruar e zhdukur Begonia e Malajzisë dhe në vështirësi të mëdha janë edhe druri i trëndafiltë dhe disa lloje mogani. Por edhe në zonat evropiane po humbasin bimë shumë të dashura si, orkideja, narcis, zambakë etj. Dhe kjo jo për shkak të agrikulturës, por për shkak të braktisjes së fushave. Në disa raste me më shumë fat pyjet rifillojnë të shtrihen në zonat prej ku ishin prerë më parë. Por në raste të tjera, terrenet ku më parë mbretëronin pyjet tashmë përdoren për ndërtime të ndryshme komerciale. Pra, një nga shkaqet kryesore që ndikojnë drejtpërsëdrejti në ndryshimet klimatike janë pikërisht humbja e biodiversitetit dhe problemi kryesor është shfrytëzimi pa kriter i territorit natyror.

Fotografia e jetës në Tokë e shkrepur nga shkencëtarët 15 vite nga hyrja në fuqi e Konventës Ndërkombëtare mbi Biodiversitetin, propozuar nga Konferenca mbi ambientin dhe zhvillimin e Rio De Zhanejro (1992), pra na tregon një planet që po vuan shumë: është thyer cikli natyral i zhdukjes dhe shfaqjes së specieve të reja. Dhe sot e kësaj dite kjo jetë natyrale po ndikohet pashmangshmërisht nga ndotja dhe ndërhyrja e pakriterë e dorës njerëzore. Kështu, pasuria e formave të jetës në planetin tonë, dramatikisht po merr të tatëpjetën. Pikërisht ajo çfarë konventa donte të shmangte. Por sot duket qartë që nuk ka pasur shumë sukses. Përse?

Konventa shërbeu për të përcaktuar disa objektiva konservimi, që fatkeqësisht nuk përbënin një pjesë të madhe të specieve në planet. Dhe mbi të gjitha bëhej fjalë vetëm për specie me një impakt të madh mediatik si panda, në këtë mënyrë duke lënë pas dore ekosistemin në tërësinë e tij. Por, në fakt, marrëdhëniet reciproke ndërmjet organizmave jetikë janë thelbësorë: nëse do të presim një pemë të vetme në pyllin e Amazonës, rrjedhimisht do të eliminojmë edhe qindra individë të qindra lloje specieve të ndryshme që jetonin në atë pemë. Dhe e njëjta gjë vlen për dete dhe ishuj me radhë: ambiente delikate që janë të predispozuar ndaj shkatërrimit edhe nëse dëmtohet një element i vetëm i ekosistemit. Sepse tendenca përshkallëzohet dhe ka nevojë për një ndryshim kulturor që do të na tregojë dhe vlerësojë më shumë biodiversitetin si një pasuri jo vetëm estetike ose etike, por edhe ekonomike. Pra, të shpëtosh format e ndryshme të jetës në Tokë nuk është vetëm një arritje për ambientalistët, të cilët shqetësohen vazhdimisht për jetën natyrale në Tokë. Por është një çështje që na përket të gjithëve, duke u nisur nga nevojat më elementare si ushqimi dhe nevojat për medikamente shëndetësore. Për shembull nga shelgu kemi përfituar aspirinën e famshme, nga një pemë e brigjeve kaliforniane të paqësorit (Taxus brevifolia) antitumorialin "taxolo" dhe shumë ilaçe të tjera jetike për njeriun. Pra, të privohemi nga biodiversiteti do të thotë të privohemi nga zbulimi i ilaçeve të reja kaq të rëndësishme për specien tonë. Veç këtyre, bëhet fjalë edhe për ushqime të ndryshme: ekzistojnë rreth 30 mijë specie bimësh të ngrënshme dhe 7 mijë janë ato më të përdorurat gjatë periudhës kur u zhvillua agrikultura. Por faktikisht, sot përdorim shumë pak prej tyre, them pak duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e madhe. Dhe me zhvillimin e monokulturave kemi pakësuar edhe varietetin në brendësi të çdo specieje, duke u futur në një situatë shumë të rrezikshme. Për shembull nëse kultivojmë vetëm një lloj orizi dhe ku do të "sëmuret", atëherë rrjedhimisht do ta humbasim atë në pamundësinë për të "klonuar" një tjetër lloj. Ja përse biodiversiteti agrar është shumë i rëndësishëm, mbi të gjitha në një moment në të cilin kushte si ndryshimi klimatik i bëjnë më të brishta ekosistemet. Për këtë arsye, dita botërore e biodiversitetit këtë vit pikërisht më 22 maj, do t‘i dedikohet agrikulturës. Dhe ndër shumë mundimeve të hasura deri tani, rëndësia e ruajtjes së shumëllojshmërisë biologjike është aq e madhe sa e ka justifikuar realizimin e një konservati të madh farash, i cili është inauguruar pak javë më parë ndër akujt e Norvegjisë. Bëhet fjalë për "Global Seed Vault", një lloj depozite e madhe e ndërtuar në ishullin Spitsbergen (Svalbard) në të cilin do të ruhen kopje nga të gjitha llojet lokale të farërave. Aktualisht, janë depozituar rreth 268 mijë lloje farërash, por në të ardhmen mendohet të depozitohen deri në më shumë se katër milionë lloje. Me shpresën që edhe në raste katastrofash pak a shumë natyrore, të garantohet ushqimi për gjeneratat e ardhshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›