E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna e Bleona Matës: Do bëj vetëgjyqësi, i ati flë gjumë

TIRANË- Fati i vogëlushes Bleona Mata, e zhdukur pa gjurmë prej 22 majit 2010, vazhdon të mbetet ende mister. Kur kanë kaluar
plot dy vite nga zhdukja e vajzës së mitur, policia dhe prokuroria duket se janë “dorëzuar” për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë. Prej afro një viti Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka deleguar në polici dosjen për hetime të mëtejshme, por ashtu sikurse edhe plot të tjera, duket se edhe dosjen e Bleona Matës e ka mbuluar pluhuri poshtë sirtarëve. Koha e gjatë që ka kaluar, duket se e bën edhe më të vështirë zbardhjen e këtij krimi të rëndë. E ëma e Bleonës, Bukurie Mata, nuk tërhiqet nga akuzat ndaj pesë vajzave, të cilat ishin personat e fundit që e takuan të miturën. “Nuk do të ndalem derisa të gjej time bijë. Nëse strukturat nuk reagojnë do të bëj vetëgjyqësi”, - thotë Bukurie Mata. 

Janë mbushur plot dy vite nga zhdukja e vajzës tuaj. Keni ndonjë të dhënë rreth fatit të saj?
Nuk di asgjë rreth fatit të Bleonës. Kanë kaluar dy vite dhe unë nuk e kam idenë se ku ndodhet ime bijë. Ajo nuk ndodhet pranë meje dhe merreni me mend sesi ndihet një nënë kur nuk ka pranë fëmijën e saj. 
Mendoni se autoritetet po bëjnë sa duhet për të zbardhur ngjarjen?
Mesa duket autoritetet kanë rënë në gjumë dhe nuk po bëjnë sa duhet për të gjetur të vërtetën e zhdukjes së Bleonës. Unë kam mbajtur kontakte me policinë dhe prokurorinë.
Keni dyshime tek ndonjë person që mund të ketë gisht në zhdukjen e vajzës suaj? 
E kam thënë dhe e ripërsëris edhe pas dy vitesh, që kunata ime dhe vajzat e tjera kanë gisht në zhdukjen e Bleonës. Këtë gjë e di dhe i ati, i cili s’po bën asgjë për të gjetur të bijën. Vajzat e dinë se kush e mori Bleonën dhe arsyet përse.
Ndaj jush familja e ish -burrit ka hedhur akuza të rënda, madje ju ka akuzuar se keni ju gisht në zhdukjen e vajzës. Si qëndron e vërteta?
Akuzat janë trillime dhe të pavërteta. Ish - burri im Zamiri bashkë me të motrën janë ata që e dorëzuan Bleonën. Familja e ish - burrit tim po përpiqet me çdo kusht ta mbulojnë ngjarjen sepse janë vetë të përfshirë. Madje vajzat
janë larguar nga fshati. Njëra ka ikur në Rrogozhinë, tjetrën e kanë martuar. Po bëhet gjithçka vetëm e vetëm
që të pengohet zbardhja e së vërtetës.
Përse e mbron ai të motrën, kur e di fare mirë që ajo di gjithçka për Bleonën?. 
Nuk di ç’të them për një baba që fle gjumë dhe nuk kërkon të bijën. 
Cili është apeli juaj për strukturat e shtetit?
Të zbardhin ngjarjen, të gjejnë Bleonën dhe ta kthejnë sepse jam e sigurt që është gjallë dhe pesë vajzat e dinë ku ndodhet dhe kujt ja dorëzuan. Nëse nuk reagojnë autoritetet do të bëj vetëgjyqësi. Unë jetoj me prindërit e mi dhe jam penguar të shoh dhe djalin. Por, kurrë nuk do të ndalem derisa të mësoj të vërtetën për fatin e Bleonës, qoftë edhe gjithë jetën time.
Mendoni se është ende gjallë?
Jam e bindur që është gjallë. Vajzat duhet ta tregojnë të vërtetën. Dua të më kthehet Bleona.

ZHDUKJA
Bleona Mata u zhduk pa gjurmë më 22 maj 2010, teksa ndodhej në kullotat e fshatit Zapod të Kukësit, jo më larg se 500 metra nga shtëpia e saj. Halla dhe dy kushërirat e saj ishin personat e fundit që e patën takuar të miturën.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›