Sefte pa rivalitet
Fadil Vokrri këto ditë po merret me përfundimin e mandatit katërvjeçar në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e njëkohësisht po bëhet gati për ta filluar një mandat të ri në këtë post.
Në fakt, të enjten në Prishtinë do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, sepse mandati i Vokrrit skadon. Mirëpo, ai do të emërohet kryetar edhe për një mandat tjetër katërvjeçar dhe nuk do të ketë asnjë kundërkandidat për këtë post.
Kështu kanë vendosur unanimisht lidhjet rajonale të futbollit kosovar, me nënshkrimet e tyre që ia kanë servuar Vokrrit muaj më parë.
Andaj, ky kuvend zgjedhor do ta shkruajë historinë e futbollit kosovar, pasi kjo është hera e parë që një kryetar kërkon një mandat tjetër në krye të shtëpisë së futbollit pa asnjë kundërkandidat të vetëm.
“Po, kjo është hera e parë që një kandidat është i nominuar për postin e kryetarit pa asnjë kundërkandidat”, deklaroi për Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
“Kështu kanë vendosur njëzëri vetë lidhjet rajonale, të cilat në këtë mënyrë kanë konkluduar se njeri më ideal se Fadil Vokrri për ta udhëheq futbollin kosovar në këto procese shumë të rëndësishme nuk ka”, ka theksuar ai.
Madje, Salihu sqaron se lidhjet rajonale e kanë nominuar unanimisht Vokrrin pa kurrfarë kushtëzimi.
“Koha e nominimit të kandidatëve ka skaduar, kështu që as Komiteti Ekzekutiv i FFK-së më nuk mund të nominojë ndonjë kundërkandidat dhe askush nuk mund të shkelë mbi statutin e FFK-së. Kështu që unanimisht Vokrri është nominuar pa asnjë kushtëzim të vetëm, si për shembull ‘bëje Superligën me 15 ekipe’ e diçka ngjashëm, por me bindjen e vetme se njeri më ideal në këtë situatë nuk ka”, vazhdoi Salihu.
Kjo ka bërë që kohëve të fundit, krahas gëzimit, Vokrri të përballet edhe me emocione. Ditë më parë ai pati thënë se ndihet i nderuar me faktin që unanimisht lidhjet rajonale ia kanë besuar edhe një mandat tjetër katërvjeçar në krye të futbollit kosovar.
Përveç kryetarit, Kuvendi Zgjedhor do t’i zgjedhë edhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
KE miraton raportin financiar
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të martën ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit. Në këtë mbledhje, përveç përgatitjeve për Kuvendin Zgjedhor, është miratuar edhe raporti financiar për vitin 2011.
“Raporti financiar, pas shqyrtimit në detaje dhe duke u bazuar edhe në raportet e Komisionit për Financa si dhe auditorit të jashtëm, të cilët kishin bërë mbikëqyrjen e tij duke dhënë mendime dhe vendime pozitive, anëtarët e KE e miratuan në tërësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga FFK.