Pazaret e janarit

Dita e fundit e afatit kalimtar të janarit ka sjellë edhe disa transferime të futbollistëve shqiptarë, të cilët aktivizohen nëpër liga të ndryshme evropiane.
Pak orë para përfundimit të afatit kalimtar, Manchester United e ka kompletuar transferimin e mbrojtësit kosovar, Frederik Veselit, nga rivali i përbetuar, Manchester City. Ndërsa, Erion Bogdani nga Cesena ka kaluar te Siena, derisa Rexhë Bytyçi ka kaluar te LASK Linz.
Afati kalimtar i dimrit ka qenë me bereqet për disa futbollistë shqiptarë. Gjatë muajit janar rreth 20 futbollistë shqiptarë kanë ndërruar skuadrat, derisa lëvizjen më të madhe të e ka bërë Ferhan Hasani, i cili nga ekipi tetovar Shkëndija është transferuar te klubi gjerman Wolfsburg.
Janarit ia ka parë hairin Agon Mehmeti, i cili nga Malmo kaloi te ekipi nga SerieA, Palermo dhe Admir Mehmedi, i cili nga ekipi zviceran Zurich nënshkroi me gjigantin ukrainas Dinamo Kiev
Veseli, nga Man City në Man Utd
Vetëm pak orë para përfundimit të afatit kalimtar, Manchester United e ka kompletuar transferimin e Frederik Veselit nga rivali i qytetit, Manchester City. Lajmi është konfirmuar edhe në uebfaqen zyrtare të Djajve të Kuqë.
Mbrojtësi kosovar, Manchester Cityt iu pati bashkuar në vitin 2008 nga Lausanne Sport, dhe fillimisht pritej se do të bëhej një mesfushor i fort defanziv. Por, në këtë ekip ai nuk gjeti hapësirë, gjë që tash e tutje do ta kërkoj në gjigantin tjetër anglez.
Ai është i lumtur që karrierën do ta vazhdoj në ‘Old Trafford’. “Jam shumë i lumtur që po nënshkruaj me Manchester Unitedin. Mezi pres që të filloj, të punoj shumë, dhe t’i ndihmoi ekipit tim të ri. Dua tu tregoj të gjithëve se çka jam në gjendje të bëjë në fushë”, ka deklaruar Veseli për ueb faqen zyrtare të Manchester Unitedit.
Veseli ishte kapiten i Përfaqësueses U-19 të Zvicrës në Botërorin e vitit 2009, derisa paraqitjen e parë me Manchester Citin e pati bërë në verën e kaluar në një turne gjatë përgatitor.
Ai do të përpiqet që sa më shpejt të adaptohet në ‘Old Trafford’ me ekipin e dytë, dhe më pas të zë vend në ekipin e parë të Sir Alex Fergusonit.
“Jam shumë mirënjohës ndaj Sir Alex Ferguson që më solli në këtë klub të madh. Manchester United ka një histori të gjatë të depërtimit të lojtarëve të rinj, rrugën e të cilëve shpresoj që ta ndjek edhe unë”, ka pohuar Veseli.
Bogdani rikthehet në Siena
Ashtu siç është pritur, Erion Bogdani është larguar nga Cesena. Pjesën e mbetur të sezonit, reprezentuesi i Shqipërisë do ta bartë fanellën e Sienas, për të cilin klub kishte luajtur edhe gjatë periudhës 2005-2007.
Bytyçi në LASK Linz
Skuadra austriake LASK Linz ka transferuar sulmuesin kosovar Rexhë Bytyçin nga ekipi SV Horn, i cili garon në Ligën Regjionale austriake. LASK nuk ka bërë të ditur se për sa vite ka nënshkruar me 24 vjeçarin, i cili më herët kishe luajtur edhe në Spanjë për Las Palmasin, Racing Club Portuense dhe CD Denian.
Sulimani në Vocklamarkt
Mesfushori shqiptar Harun Sulimani, nga ekipi austriak Blau Linz Weis është huazuar deri në fund të sezonit te skuadra e Union Vocklamarkt, që garon në Regionaligan austriake. 20 vjeçari është vëllai i vogël i Emin dhe Benjamin Sulimanit, të cilët aktivizohen me skuadrën e Admiras.
Transferet e afatit kalimtar të dimrit:
Nga Në
Agon Mehmeti Malmo Palermo
Shkodran Mustafi Everton Sampdoria
Ferhan Hasani Shkëndija Wolfsburg
Admir Mehmedi Zurich Dinamo Kiev
Xhevahir Sukaj Vllaznia Sepahan
Armando Vajushi Vllaznia Litex Lovech
Arjan Ademi Dinamo Zagreb Lokomotiva
Gezim Shalaj Kriens Luzern
Taulant Xhaka Basel Grashoppers
Vullnet Basha Xamax FC Sion
Fisnik Krasniqi Besa Biel FC Biel
Armend Alimi Istra Orebro
Labinot Harbuzi Genclerbirligi Manisaspor
Avni Pepa Star Sandnes
Seher Fejzullahu Will Grasshopper
Kujtim Bala Helsingborg Varbergs BoIS
Anel Raskaj Helsingborg Sandnes
Harun Sulimani Blau Linz Weis Vocklamarkt
Rexhë Bytyçi Horn LASK Linz
Erion Bogdani Cesena Siena