Nëna e Gentianit akuzoi burrin e vdekur se u hapi derën vrasësve
Hajrie Beqiri, e tmerruar për vrasjen: Më vranë në gjumë djalin, do të marr hak, Neziri që hapi derën e ka fajin. Ku ishin policët. Më vonë mëson vdekjen e bashkëshortit Seriali i vrasjeve
Një nënë e tmerruar për vrasjen e djalit të saj në gjumë ka akuzuar dje këdo si shkaktar të mortit të dyfishtë në familjen e saj. Hajrie Beqiri ishte larguar nga apartamenti për të bërë pazarin dhe në shtëpi kishte lënë bashkëshortin Nezirin dhe djalin e saj, Gentianin. Pasi porosit bashkëshortin për masat e sigurisë që duhet të marrë, largohet në treg ku do të blinte zarzavatet e drekës. Në treg kishte dëgjuar për ngjarjen dhe mes ankthit dhe shpresës shkon me vrap, pa çantën e zarzavateve, në apartament, duke ngjitur me shpejtësi shkallët dhe nis të pyesë së çfarë ka ndodhur me Gentianin. E lashë në gjumë djalin dhe kisha vetëm 30 minuta që isha larguar për të blerë bukë dhe perime, se do të nisja të bëja drekën. Kush ma ka vrarë djalin tim, do të marr hak për të, se djali im nuk ishte vrasës, ulërinte Hajria duke ngjitur me shpejtësi shkallët, megjithëse në një moshë të thyer. Do të marr hak për djalin dhe Neziri, bashkëshorti im, që hapi derën e ka fajin që djali im u vra, vijoi Hajria, pa e ditur se bashkëshorti i saj ishte dërguar me shpejtësi në spitalin e Elbasanit pas një infarkti, ku dhe ndërroi jetë rreth një orë pas vrasjes së Gentianit. Ajo vijonte të akuzonte bashkëshortin e saj se ishte ai shkaktari, pasi u kishte hapur derën e shtëpisë vrasësve. Kisha më shumë se një vit që e mbaja djalin me paketa, me bukë, nuk ikja në asnjë vend, rrija tërë ditën me të dhe kur ai akoma nuk ishte zgjuar nga gjumi vendosa të bëj disa pazare, në këtë moment djali im u vra. E kam rritur me 100 mundime, thotë nëna e pikëlluar, ndërsa më pas i adreson akuzat ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit që ishin në patrullim 24 orë në pallatin ku jetonin. Ku ishin policët, pse nuk më ruajtën djalin tim, për faj të tyre u vra djali im. Më vranë në gjumë djalin, ai ishte i pafajshëm, dhe do të marr hak për vrasjen e tij, vijoi Hajria, duke i premtuar djalit të saj të vdekur se do të marrë hak. Megjithëse Gentiani akuzohej për një vrasje në vitin 2005, në sytë e nënës ai ishte i pafajshëm, e cila pretendonte se nuk ishte e drejtë që ai akuzohej për vrasje dhe që qëndronte në arrest shtëpie. s.muça
Policia
Arrestohen dy policët, procedohen shefat e tyre
Me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, rreth një orë pasi kishte ndodhur vrasja, dy policët rojë që qëndronin në pallatin ku jetonte Gentian Beqiri, janë shoqëruar për tu marrë në pyetje. Sami Dërstila dhe Reshat Budani kanë shpjeguar të gjithë ngjarjen, ndërsa u janë përgjëruar prokurorëve që të mos arrestoheshin dhe se do të bashkëpunonin për të gjetur autorët. Ata kanë shpjeguar të gjithë ngjarjen, që nga momenti i prezantimit me dy autorët e deri te çasti kur kanë mësuar për ngjarjen.
Dërstila dhe Budani kanë pohuar se dy persona u janë afruar qetësisht dhe pasi kanë biseduar për disa çaste i kanë lejuar që të ngjiteshin në apartamentin e familjes Mata. Sipas prokurorisë, veprimet e tyre janë arbitrare dhe pas seancave të pyetjeve janë arrestuar. Policët rojë, të shokuar nga vrasja, kanë deklaruar shumë pak në polici se autorët e krimit i janë paraqitur si të afërm të viktimës, dhe se gjithçka më pas ka ndodhur shumë më shpejt sesa pritej. Dy policët ndodhen në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë për veprën penale shpërdorim detyre.
Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka filluar ecurinë disiplinore për përjashtim nga Policia e Shtetit të katër policëve në nivelin e parë drejtues, nga grada Nënkomisar e deri në Kryekomisar. Policia e Elbasanit pohoi dje pasdite se ka gjetur të djegur pranë varrezave të qytetit një automjet, i cili mendohet se është i autorëve.
Nëna e Gentianit akuzoi burrin e vdekur se u hapi derën vrasësve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip