E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza u përdhunua për herë të parë 11 vjeçe

Gazeta Shqip

Vrasja nga 18-vjeçarja

Familja e viktimës e dinte historinë dhe shprehet se nuk do ta falë gjakun e djalit

Avokatja e 18-vjeçares shprehet se klientja e saj ka qenë viktimë dhe policia nuk e ka parandaluar vrasjen

Nazime VishaPër herë të parë, Fiqiri Muça e ka përdhunuar Nazime Vishën, kur ishte vetëm 11 vjeçe, ende pa i ardhur periodat. Faktet e reja tronditëse janë mësuar dje nga grupi hetimor, ndërkohë që familja e vajzës së arrestuar për vrasjen e dhunuesit të saj, ndihet e kërcënuar, pasi familja Muça kërcënon se nuk do e falë gjakun, duke deklaruar se nipin e Beqir Vishës, djali i motrës së Nazimes, e ka në shtëpi. Drama mes dy familjeve ka marrë përmasa më të mëdha, pas zbulimit të abuzimit që Fiqiri Muça ka bërë ndaj Nazime Vishës, derisa ajo e vrau. Madje, familja Muça ishte në dijeni të këtij abuzimi, por e ka hedhur fajin ndaj vajzës, tashmë 18 vjeçe, për të cilën abuzimi ka nisur qëkur ishte e mitur, duke publikuar edhe mesazhet telefonike, me qëllim inkriminimin e saj.

Hetimet dhe avokatja

Realisht mesazhet kanë dalë të dërguar nga një numër telefoni me numrat e fundit 668. Unë kam kontaktuar me familjarët dhe ata thonë që vajza nuk ka pasur celular. Së fundmi mësohet se Fiqiri Muça ka pasur dy telefona dhe i kishte dhënë një telefon vajzës për përdorim. Janë shkruar nga ajo, janë shkruar nën kërcënimin e vazhdueshëm të viktimës, kjo mbetet për tu parë. Viktima e kishte kërcënuar me vrasje vajzën, me vrasje të familjarëve të saj. Nuk duhet të harrojmë edhe kushtet në të cilat jetonin, nivelit arsimor, kulturor, vendin ku ata jetojnë, thotë avokatja. Por, nëse prokuroria dhe policia do të kishin hetuar siç duhet rastin e ikjes së Nazime Vishës, pikërisht më 23 maj të këtij viti, atëherë do të ishte parandaluar një vrasje dhe do të ishte zbuluar një skandal pedofilie. Kjo tezë mbrohet edhe nga avokatja e caktuar nga shteti për të mbrojtur adoleshenten, e cila është në pritje të daljes së klientes para gjykatës. Avokatja Vjollca Pustina deklaron se Nazime Visha është abuzuar seksualisht që pa hyrë në klasën e tetë, ose thënë ndryshe ende pa mbushur 14 vjeçe, ndërkohë që grupi hetimor dyshon se ajo ka qenë 11 vjeçe kur është përdhunuar për herë të parë. Vajza ka deklaruar se kur ka qëndruar me viktimën në një pyll të Bulqizës është dhunuar sistematikisht 11 ditë. Kjo është e vërtetuar edhe nga dëshmitë e të afërmve të saj, të cilët kanë parë shenjat e dhunës. Mendoj se ka pasur vend për të bërë hetime dhe për të zbuluar më mirë këtë të vërtetë. Nëse do të kishin qenë hetime më të thella dhe më këmbëngulëse nga policia, ndoshta kjo ngjarje do të ishte parandaluar dhe ndoshta do të ishte zbuluar edhe një skandal pedofilie. Fakti tregon që një burrë, 45 vjeç ka abuzuar me një fëmijë, që ende nuk i kishte mbushur 14 vjeç. Kodi Penal i dënon marrëdhëniet seksuale me të mitura, tha Pustina.

Dyshimet mbi dramën

Nga ana tjetër, mësohet se Fiqiri Muça ka fëmijën e tretë të tij në moshën e vajzës së dhunuar, e cila u bë autorja e vrasjes së tij. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se vajza e ka qëlluar Fiqiri Muçën, 45 vjeç, baba i pesë fëmijëve, pesë herë, ndërsa gjatë ndjekjes së tij derisa e ka vrarë, ajo ka zbrazur plot 29 plumba Kallashnikovi. Por, ende mbetet mister dhe pa një reagim, sesi policia e ka mbyllur këtë çështje, ndërkohë që tashmë pritet të verifikohen thëniet e vajzës për një polic të implikuar në këtë çështje, që e kishte ndihmuar Fiqiri Muçën, që mos të procedohet për rrëmbimin e saj. Ndërsa sot, pritet që në gjykatë të vendoset fati i vajzës. Por, dje ka ardhur reagimi i familjarëve të Fiqiri Muçës, të cilët gjenden në fshatin Kullë të Manzës dhe kanë hapur dyert e mortit. Nga deklaratat e tyre mësohet se ata e kanë ditur marrëdhënien mes të dyve, por askush nuk e ka ndaluar. Për tragjedinë, prindërit dhe të afërmit e Fiqiriut deklarojnë se nuk do ta falin gjakun e djalit të tyre. Sipas Zyber Muçës, babait të 45-vjeçarit, vajza është manipuluar nga prindërit dhe vëllezërit e saj, të cilët sipas tij, janë fajtorët e vërtetë të vrasjes.

Frika nga hasmëria

Nuk është vrarë nga vajza, për mua vajza që sot të dalë. Vrasja është kryer nga Dalip Visha (gjysh i vajzës) dhe tre djemtë e tij. E kanë tërhequr, e kanë dërguar atje dhe ma kanë vrarë djalin. Unë kam mesazhet, mi ka treguar edhe djali. Janë disa gjëra që nuk fshihen, nuk vihen në diskutim. Vajza ka arritur marrëzi mbas marrëzie me të, deklaroi babai i Fiqiri Muçës, Zyber Muça. Ndërsa gruaja e Fiqiri Muçës ka kërkuar dënimin e vajzës me burgim të përjetshëm. Më tej, familja Muça ka dërguar mesazhe për familjen Visha, të cilët nuk kanë qenë për ngushëllim. Mendo zoti Beqir Visha se e ke nipin tek unë. I lemë të tjerat. Nëse këto e kanë bërë plan për të vrarë, kokrrën e plumbit do marrin të gjithë, djali dhe vajza. Të dy në tokë ose të dy gjallë, jo kështu, theksoi babai i Fiqiri Muçës. Por, kjo ka sjellë frikë te familja e Beqir Vishës, i cili ka të martuar vajzën tjetër te familja Muça. Sipas të dhënave, ajo është shtatzënë dhe ata mund të hakmerren ndaj saj. Megjithatë, deri tani, policia nuk ka marrë ndonjë masë dhe nuk dihet se kur mund të mbyllet kjo histori tragjedie…

Vajza u përdhunua për herë të parë 11 vjeçe burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›