Nëna vetëflijohet me foshnjen, hidhet nga kati i tetë i pallatit
Irma Daullja dhe vajza e saj 2-vjeçare gjetën vdekjen dje në mëngjes në Kavajë
KAVAJË – Legjenda e Argjirosë, e cila u hodh nga bedenat e kalasë së Gjirokastrës bashkë me foshnjën e saj, bëhet realitet në qytetin e Kavajës. Një 22-vjeçare është hedhur nga kati i tetë i pallatit bashkë me foshnjën e saj 2-vjeçare, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, mësohet se viktima është Irma Daullja dhe vajza e saj V. D. Ende nuk janë të qarta shkaqet që shtynë nënën e re që të vetëflijohej bashkë më foshnjën e saj. Ndërkohë që polica ka ndaluar bashkëshortin e viktimës, të cilin është duke e marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Edhe pse deri tani hetimet e para janë shtirë në pistën e vetëvrasjes, por nuk përjashtohet dhe ajo e shkaktimit të vetëvrasjes.
Ngjarja
Ka qenë ora rreth 06:30 e ditës së djeshme kur banorët e Lagjes Nr. 5 në qytetin e Kavajës kanë parë në trotuarin e rrugës trupin e pajetë të një gruaje të re dhe të një foshnjeje. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë. Sipas tyre mësohet se Irma Daullja ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa foshnja e saj ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital. “Paraprakisht dyshohet se 22-vjeçarja është hedhur së bashku me vajzën e saj 2-vjeçare nga tarraca e katit të 8–të të pallatit ku banonin. Nga grupi hetimor po hetohet pista e një vetëvrasjeje, pasi viktimat, sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, nuk kishin shenja dhune", - thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Tiranës. Tjetër pistë hetimi është ajo e vrasjes së të resë së bashku me fëmijën e saj. Policia thotë se nuk ka gjetur shenja gjaku në vendngjarje, ndërsa ka ndaluar bashkëshortin e 22-vjeçares. Disa fqinjë të çiftit janë marrë në pyetje dhe janë kryer të gjitha veprimet hetimore në banesën e viktimës. Nga të dhënat e para mësohet se bashkëshorti kishte thënë se kishte qenë në gjumë kur kishte ndodhur tragjedia. Bashkëshorti i Irmës e ka dërguar vogëlushen e tij në spital për t’i shpëtuar jetën, por ajo nga ndërruar jetë rrugës.
Hetimet
Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, deri tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare lidhur me shkaqet që e shtynë nënën e re të ndërmerrte një veprim të tillë. Sipas dëshmive të mbledhura nga fqinjët e tyre, bëhet e ditur se çifti nuk ka qenë problematik dhe se kanë qenë shumë të qetë. Vetë viktima nuk ishte në punë dhe rrinte gjithë ditën me vajzën, ndërsa bashkëshorti i saj punonte. Pista kryesore e hetimit është ajo e vetëvrasjes, pasi sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, thuhet se viktimat nuk kanë shenja dhune në trup, përveç atyre të shkaktuara nga rënia nga lartësia. Por uniformat blu janë duke hetuar edhe mbi shkaqe të mundshme të shkaktimit të vetëvrasjes ose të vrasjes, edhe pse deri tani, sipas të dhënave të grumbulluara, kjo gjë nuk rezulton e provuar.
Shembet muri, plagosen dy persona
KORÇË - Shembja e papritur e një muri në qytetin e Korçës u ka rrezikuar jetën dy personave që udhëtonin në një makinë. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë në Lagjen Nr. 10 të qytetit juglindor, kur një pjesë e murit të ish-godinës së trikotazhit është shembur dhe ka rënë mbi një automjet që po kalonte aty pranë. Për pasojë kanë mbetur të lënduar Ylli Xhango, 49 vjeç dhe Albert Shkëmbi, 50 vjeç, ndërsa mjeti me targë KO 30 56 A ka pësuar dëmtime të mëdha. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat rrethuan zonën për të mos lejuar më mjete të kalojnë aty pranë, ndërsa të lënduarit u dërguan në Spitalin rajonal të Korçës. Në bazë të hetimeve paraprake mësohet se shkak i shembjes së murit kanë qenë punimet pranë ndërtesës.
6 Shkurt 2010