Pranga 2 kosovarëve, tentuan të kalonin në port me dokumente false
DURRËS - Dy kosovarë janë arrestuar teksa tentonin të kalonin këtë kufi detar me dokumente false. Dy të ndaluarit janë Ekrem Krasniqi, 31 vjeç, lindur dhe banues në Podujevë dhe Denis Altani, 33 vjeç, lindur e banues në Prizren. I pari mësohet se është kapur duke tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari duke përdorur për udhëtim një pasaportë belge, një letërnjoftim belg dhe një dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të tij, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Edhe Altani u arrestua për mbajtjen e të njëjtave dokumente, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Policia Kufitare kreu sekuestrimin e dokumenteve të përdorura nga këta dy persona dhe materialet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve e falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave” i kaluan Prokurorisë së Durrësit.
Lojëra fati pa licencë, procedim penal për tre pronarë
KORÇË - Prokuroria e Korçës ka nisur procedimin penal ndaj tre personave nën akuzën e kryerjes së veprës penale të “organizimit të lotarive të palejuara”. Policia e këtij qyteti bën të ditur se të proceduarit janë Grenaldo Mançi, Julian Mançe dhe Feliks Zemalak, që të tre banues në qytetin e Korçës. Kjo pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në mjediset e lokaleve të tyre janë gjetur aparate lojërash fati të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, si edhe aksesorët e tyre, gjithashtu të parregullta. Sipas uniformave blu, mësohet se pas një kontrolli të ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të Grenaldo Mançit u gjetën 14 aparate elektronike lojëra fati, pa dokumentacionin përkatës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Julian Mançës, pas një kontrolli të ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të tij, është gjetur një kompjuter së bashku me aksesorët e tij, që shërben për mbushjen e biletave sportive. Ndërsa Feliks Zemalakut iu gjetën 3 aparate elektronike lojëra fati, si dhe një kompjuter së ashku me aksesorët e tij, që shërben për mbushjen e biletave sportive, pa dokumentacionin përkatës. Të gjithë këto kompjuterë u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.
Tentoi të kalonte kufirin, arrestohet 21-vjeçari
DURRËS – Vihet në pranga Brahim Bejtja, i dënuar me 6 dite burg për kalim të paligjshme të kufirit. Uniformat blu të qyteti bregdetar njoftojnë se kanë arritur të arrestojnë dy ditë më parë 21-vjeçarin Bejtaj, ndaj të cilit Gjykata e Durrësit kishte marr vendimin për dënimin me 6 ditë burg për këtë vepër. Disa muaj më parë, Brahim Bejtja ka tentuar të kalojë në mënyrë të paligjshme kufirin, por është ndaluar nga ana e policisë. Pas vendimit të gjykatës, Bejtja është shpallur në kërkim dhe vetëm dy ditë më parë është bërë i mundur arrestimi i tij.
6 Shkurt 2010