E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Jovanka solidarizohet me mbylljen e gazetës “TemA”

Nga Tema

Antena brenda familjes

I dashur Damir. Lajme të mira më vijnë nga Tirana. Ia ka gjetur tamam ai miku jonë atij gazetarit që s’lë gjë pa thënë për ty. Po e nxjerrka me policë nga redaksia dhe po ia prish gjithë investimet. Hallall i qoftë! Atij i them burrë unë. Të kam thënë që në fillim që kisha shumë besim tek ai, se dukej burrë me tipare të forta. Njerëz si ai kanë karakter të fortë. Kur e pashë për herë të parë në fotografi, u mahnita. Njësoj si burrat e fortë të Srebrenicës. Me ato tipare si mjeku ynë Radovan, i cili la profesionin e mjekut dhe luftoi në Srebrenicë për të drejtat e serbëve. Ishte dhe poet madje. Dhe ky i ka qejf gazetat, siç më kanë thënë. Po atij i ka treguar vendin. Dhe ia ka gjetur shumë mirë arsyen për siguri kombëtare. Ai rrezikon realisht sigurinë kombëtare. E kupton ti, ç’do të thotë që ai të jetë një kilometër afër vendit ku bëhen kartat e identitetit? Është skandal. Ti e di mirë se ç’do të thotë kjo, se ti ke qenë vetë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Tiranë bashkë me të dashurën tënde. Dhe shyqyr që s’ta ka njohur njeri që është e dashura tënde ajo biondja, se do bëhej nami. Për ty dhe ai gazetari bëri namin. Lëre sikur ta merrnin vesh dhe për atë. E kam fjalën që ti ke marrë pjesë rregullisht në Mbledhjet e Këshillit për Sigurim Kombëtar në Shqipëri dhe e di mirë sa i rrezikshëm është ai person për sigurinë kombëtare të atij vendi dhe tonën natyrisht. Se tani ai është atdheu ynë i dytë.

Po m’u bë qejfi shumë dhe për atë Genc Rulin. Kisha dyshime për të, se thoshin është hileqar dhe ia ka me hile atij burrit, por u tregua burrë. E ka hedhur firmën pa njoftuar fare dhe e ka bërë fakt të kryer. Burra të tillë i duhen Shqipërisë. Njerëz të besës. Lidhen me një njeri dhe nuk e tradhtojnë kurrë. Jo si ca të tjerë që hidhen sa andej-këtej.

Po dhe ky Bujar Nishani qenka djalë i zoti. Nga krevati është ngritur për ta firmosur më thanë. Bravo i qoftë! Tani t’i çojë policët aty, se vetëm ashtu merr vesh ai.

Nuk di si janë sjellë të tjerët, por këta kanë bërë përshtypje të mira shumë. Se isha pa gjumë, që kur kisha parë atë ëndrrën për Lulin në burg. Dje gjithë natën pashë ëndrra me policë dhe me atë burrin. Fytyra e tij më qetëson. Më duket vetja sikur e kemi marrë dhe një herë pushtetin tamam. Më shfaqet në ëndërr Radovani ynë, mjek, poet luftëtar, njeri i besës. Si dy pika uji ngjajnë. Nuk di si kanë reaguar ata të tjerët, por i thuaj atij burrit të ketë kujdes. Se tani ia kanë marrë dorën dhe bëjnë sikur janë të gjithë me atë dhe heshtin. Po ai është mirë t’i vërë në provë. Ja këtë Rulin e vuri në provë dhe e fitoi. E ka përjetë tani. S’ka ku i ikën, se ka dhënë prova. Dhe ata të tjerët mos të rrinë urtë, por të flasin. Të thonë pro ose kundër. Se ndryshe ia hedhin. I kam shumë frikë ata që bëjnë sikur rrinë dhe sikur janë me atë burrin. Presin t’i shkasë këmba dhe në shpinë i ka.

Luli më mori sot i gëzuar dhe më tha se ai gazetari nuk e ka të gjatë. Ishte gëzuar shumë të keqen nëna, se kishte besuar vërtet që ti kishe hapur padi këtu në Londër. Unë bëra sikur s’e kuptoja, që ti s’hap dot çështje nga këtu, por shyqyr as ai s’e kuptoi. U tremba kot, ngaqë mendova se është jurist, por, kur mendova si e ka bërë shkollën, e mora vesh që s’i kupton ligjet e Anglisë. Dhe bën mirë që s’i kupton, se kështu mbrohet dhe për atë gjyqin që ka lidhur kontratën sipas ligjit anglez. Thotë nuk e njoh dhe s’ka faj.

Të keqen nëna sa ishte gëzuar Argita, avokatja jote. Kur më merr ajo në telefon, sikur të kam ty këtu më duket vetja. Më tha kemi bërë plan ta shkatërrojmë. Do t’i mbyllim kompaninë, do ta bllokojmë gazetën, s’do t’i lëmë gjë pa bërë. Dhe ka lezet, se është e qetë dhe serioze në punë. E pyeta për Shkëlzenin, më tha që fluturon nga gëzimi. U lehtësova shumë. Të shikojnë dhe ata një ditë të bardhë, se u iku jeta duke marrë lajme të këqija.

Nuk di ç’të them tjetër të keqen nëna. Shiko punët e tua, se s’i dihet se çfarë shpik prapë ai gazetari për ty, derisa të mos ia dëgjojmë më zërin. Se çfarë s’i shkon në mendje atij. Mund të thotë që dhe këtë e ke nxitur tek ai burri. Po ti ruaj qetësinë. Ia jep vetë përgjigjen ai, siç ua dha atyre socialistëve në parlament, që u tha ua bie këtu dhe heshtën. Tani kam shpresë se punët do ecin mirë. Të kishte mundësi t’ua bënte dhe atyre gjykatësve dhe prokurorëve si këtij gazetarit mirë do ishte. Por s’duhet nxituar. Ngadalë, ngadalë. Se do t’i vijë dita të gjithëve kush të bie më qafë ty. Dhe ta shikojnë mirë pastaj se kush rrezikon sigurinë tonë kombëtare, ti apo ai maskarai. Ia tregon ai burri.

Si përfundim dua të them që jam shumë e gëzuar nga ky lajm dhe nga mënyra se si po e presin miqtë tanë në Tiranë këtë gjë. Kjo tregon që ti je idhulli i atyre dhe kush të prek ty, do ta pësojë. Kjo na detyron t’i jemi mirënjohës përjetë atij burrit për këtë që bën. Më bëri në këtë moshë të dua dhe Shqipërinë pa le të vdes. Ia arrita kësaj dite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›