Politikanë, gazetarë e qytetarë të thjeshtë solidarizohen me gazetën “TemA”
Marko Bello
Deputet, anëtar i Komisionit të Medias
Pas fyerjeve dhe kërcënimeve që kryeministri, Sali Berisha, i ka bërë botuesit dhe gazetarit të njohur Mero Baze, sa herë që shkrimet kritike të tij e kanë vënë në vështirësi kreun e mazhorancës, më në fund kemi një sulm të hapur kundër gazetës “TemA”, një nga të përditshmet më të lexuara në vend. Kësaj radhe, armiku i medias së lirë e të pavarur, Sali Berisha, ka shfrytëzuar postin zyrtar për t’i treguar “dhëmbët” një gazetë serioze, duke ndërprerë dhunshëm kontratën që ajo ka pasur me një institucion qeveritar, konform rregullave dhe ligjeve të vendit. Alibia se ambientet që i janë dhënë me qira redaksisë së gazetës ndodhen pranë zyrave ku do të prodhohen kartat e identitetit, çka gjoja kërkojnë siguri, është qesharake dhe kërkon në mënyrë të sforcuar të fshehë arsyen e vërtetë: urrejtjen e kryeministrit ndaj lirisë për të shprehur hapur opinionin nga ana e kësaj gazete dhe veçanërisht inatin prej komunisti të pareformuar të një lideri si Sali Berisha, i cili kujton se mund të bllokojë daljen e gazetës, përmes vështirësive financiare që po përpiqet t’i krijojë. Është fatkeqësi që edhe pse kanë kaluar 18 vjet që nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, mentaliteti komunist dhe nostalgjia për të imituar diktatorin Hoxha ende reflektohet në kreun e ekzekutivit shqiptar. Është e patolerueshme për një vend që pritet të anëtarësohet së shpejti në NATO dhe që kërkon të integrohet në BE, të vazhdojë të drejtohet nga një grup i korruptuar që po dëshmon urrejtje ndaj fjalës së lirë dhe opinionit të pavarur. Përballë kësaj ngjarjeje të shëmtuar duhet të gjithë të reagojmë. Nga përgjumja e popullit, lindin përbindësha.
Si anëtar i Komisionit të Medias, i kërkoj publikisht kryeministrit të ndalë sulmin antidemokratik ndaj gazetës “TemA” dhe të heqë dorë përfundimisht nga praktika që bien ndesh me frymën perëndimore dhe standardet evropiane.
Luan Rama
Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në LSI
Mbrojtja dhe garantimi i lirisë së shtypit, si shprehje cilësisht domethënëse e nivelit të demokracisë në një vend demokratik, është një konstante e pandryshueshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, theksohet në një deklaratë për shtyp të kësaj partie, duke nënvizuar më tej se LSI është kundër çdo veprimi arbitrar dhe të kundërligjshëm të pushtetit që synon të pengojë, apo me keq akoma, të bllokojë veprimtarinë normale të cilitdo subjekt mediatik që denoncon e publikon fakte të abuzimit apo të shpërdorimit të pushtetit, si shprehje të korrupsionit qeverisës. LSI duke marrë shkas nga prishja e njëanshme e kontratës mes Ministrisë së Ekonomisë dhe gazetës “TemA”, shpreh shqetësim për arbitraritetin dhe hakmarrjen e pushtetit, çka dëshmon se gjithë sa thuhet nga qeveria për lirinë e shtypit, është vetëm demagogji.
Dashamir Shehi
Drejtues i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar
Unë gjykoj që e gjithë kjo është pjesë e luftës politike. Në të mirë e në të keq, gazeta “TemA” thotë të vërteta që mund të jenë të hidhura, po shtypi këtë funksion ka, të thotë të vërtetën dhe kur është e hidhur. Unë gjykoj që këto përrallat e sigurisë kombëtare, bëhen vetëm që të atakohet gazeta. Këto do të ishin të vlefshme vetëm disa vite më përpara, sigurinë kombëtare e dëmton korrupsioni, jo denoncimi, sido që të jetë ai.
Nard Ndoka
Drejtues i Partisë Demokristiane
Nuk është hera e parë që z. Berisha zhvillon një luftë të paprinciptë me mediat dhe me gazetarët, të cilët i klasifikon në mënyrë fyese në shërbëtorë dhe armiq. Shërbëtorëve ai është i gatshëm t’u japë gjithçka; sheshe ndërtimi, ambiente shtetërore, reklama qeveritare dhe favore të tjera, mjafton që këto media të shërbejnë, të dezinformojnë publikun, të bëhen pjesë e lojës së tij politike, të shndërrohen në fletushka, altoparlantë, ose ekrane të tij privatë.
Z. Berisha median e lirë, median e panënshtruar prej tij, e konsideron media kundërshtare, media armike dhe, në bindjen e tij, kjo media duhet shkatërruar. Kështu që sulmet dhe presionet ndaj gazetës “TemA” nuk janë një rastësi, por një strategji e ndjekur prej tij ndaj medias së lirë. Aq më tepër që kjo gazetë, sidomos gjatë muajve të fundit, ka denoncuar rregullisht korrupsionin qeveritar dhe politikat e mbrapshta të kryeministrit që kufizojnë liritë politike dhe ekonomike të qytetarëve.
Kam bindjen se me z. Berisha kryeministër asnjëherë nuk do të kemi respektim të lirisë së mediave. Rasti i sulmeve ndaj gazetës “TemA” e dëshmon qartë konceptin e tij primitiv, mungesën e plotë të respektit që ai ka jo vetëm për lirinë e medias, po edhe për ligjin. Pushteti për z. Berisha është sundim, jo qeverisje. Dhe si sundimtar ai urdhëron vartësit që në kundërshtim me ligjin, të rrënojë kompaninë që boton gazetën “TemA”. Ne ftojmë kryeministrin të reflektojë dhe të heqë dorë nga kjo aventurë e radhës dhe të dëshmojë përgjegjësi dhe respekt për median e lirë dhe ligjin.
Erion Veliaj
Drejtues i Lëvizjes G99
Ky ka qenë një vit, kur “TemA” ka investiguar shumë tema me interes publik, Fazlliç, Basha, Gërdeci, Mediu, armët, kartat, tenderat, për të përmendur disa. 2008 ka qenë padyshim viti i “TemA”-s, në prodhim lajmi, provokim debati dhe transparencë për publikun, i cili me të drejtë ka pritur që qeveria të përgjigjet për këto afera. Por, në pamundësi për t'iu përgjigjur këtyre temave, qeveria mbyll “TemA”-n. Dhe pse jo gjithmonë kemi ndarë të njëjtat pikëpamje me “TemA”-n, kemi ndarë të njëjtin pasion për t'i debatuar “TemA”-t e rëndësishme, pavarësisht bindjeve respektive. Ndaj sot, për interes të avokatisë së këtyre “TemA”-ve publike, solidarizohem me “TemA”-n. Kurajë.
P. S. Ndoshta ndihmon, nëse sqaroni kryeministrin se rubrika juaj “Antena Brenda Familjes” nuk është një objekt fizik poshtë tavolinës së tij. Kjo mund të kurojë paranojën se mund të interceptoni procesin ‘sekret’ të shtypjes së kartave në mëhallën e redaksisë suaj.
Petro Koçi
Drejtues i PS ‘91
Në kohën kur politika ka rënë në batakun e pazareve të emërimit të parlamentit të ardhshëm dhe korrupsioni po bën kërdinë, të vetmit që po guxojnë të godasin të keqen janë një grup qytetar gazetarësh si Mero Baze dhe vetë gazeta “TemA”. Sulmi i qeverisë ndaj gazetës “TemA” duhet ndaluar me reagim të fortë qytetar dhe politik. Duhet të bëhet me aktiv se kurrë solidariteti i komunitetit të medias për të ndaluar projektin e qeverisë për të mbyllur gazetën. Praktikat anti-media të qeverisë dëshmojnë se politika e Gërdecit vazhdon të rrënojë institucionet, demokracinë dhe jetën tonë.
Artur Duçkallari
Sekretar politik i Partisë Demokracia Sociale
PDS dënon presionet e qeverisë ndaj shtypit dhe përpjekjet për t’i mbyllur gojën denoncuesve të aferave korruptive të ministrave të Berishës. Njeriu që dogji redaksitë e gazetave dhe rrahu gazetarët duhet të heqë dorë nga hakmarrjet primitive. Shtypi i lirë duhet inkurajuar dhe jo stepur me shantazhe ekonomike, vetëm pse pati guximin t'i thoshte Berishës se familja e tij politike dhe biologjike duhet të shkojë përpara drejtësisë. Aferat e Gërdecit, rrugës Durrës- Kukës dhe lidhjet familjare-ekonomike me Fazlliçin nuk mund të mbulohen as duke mbyllur një gazetë, as duke ndëshkuar një gazetar, as duke bërë shembuj, që të tjerët t’i binden kryeministrit. PDS i bën thirrje shoqatave të gazetarëve dhe shoqërisë civile, si dhe partive politike të kampit opozitar të reagojnë në mbrojtje të gazetës “TemA”.
Armand Shkullaku
Publicist
Gazeta “TemA” ka qenë më kritikja ndaj qeverisë kohët e fundit. Vendimi i prishjes së kontratës shtetërore 20-vjeçare është bërë shumë shpejt. Në një kohë rekord do të thosha. Unë nuk mendoj se cenohet siguria kombëtare nga kjo media.
Ylli Rakipi
Publicist
Përpjekja e gazetës “TemA” duke denoncuar korrupsionin e qeverisë, kryeministrit dhe pjesëtarëve të familjes së tij, prej një kohe të gjatë do të thosha, ka çuar këtë të fundit që të marrë vendime të tilla. Ky është një nga mjetet më të dhunshme për t’iu kundërvënë një gazete që thotë të vërtetën.
Gjergj Erebara
Gazetar
Unë solidarizohem plotësisht me gazetën “TemA” për sa i përket problemit me kontratën e qirasë në ambiente publike. Gjatë këtyre muajve, gazeta “TemA” ka qenë dritarja e vetme serioze e informacionit mbi atë çfarë ndodh në këtë vend, duke ofruar shërbime informimi që janë në të mirë të të gjithë shqiptarëve.
Gjithë të mirat.
Nolian Lole
Gazetar, TV Koha
Vazhdoni fort, se jeni kthyer në opozitën e vërtetë në këtë vend.
Agjencia News of Albania
Stafi i agjencisë shqiptare të lajmeve NOA iu informon se shqetësimi juaj mbi godinën e redaksisë dhe solidarizimi ynë janë pasqyruar gjerësisht në agjencinë e lajmeve NOA, News of Albania. Lajmin e publikuar iu mund ta vizitoni duke klikuar në noa.al ose www.newsofalbania.net.
Teksti:
Agjencia e Lajmeve NOA solidarizohet për median e lirë, duke u bashkuar me shqetësimin e gazetës “TemA” pas vendimit për të larguar nga objekti i marrë me qira për 20 vjet redaksinë e së përditshmes dhe shtypshkronjën e saj.
Agjencia NOA konsideron se vendimet e marra në mënyrë të njëanshme, pa ofruar një zgjidhje alternative, sikundër parashikon legjislacioni apo edhe rregullat e “lojës”, është i dëmshëm për lirinë e medias në vend.
Për më tepër, në rastin konkret, nëse largimi i të përditshmes bëhet duke mos përfillur faktin se objekti në përdorim i saj ndodhet larg atij të planifikuar për prodhimin e kartave dhe ku në mes gjenden dhe dy shtypshkronja të tjera, nëse këto gjithashtu nuk preken nga masa e METE-s, është një vendim i dyshimtë.
Në këto kushte, agjencia e pavarur e lajmeve NOA solidarizohet me të përditshmen “TemA”, duke shpresuar shumë se do të ketë një rrugëzgjidhje për të mos rrezikuar bllokimin apo mbylljen e një mediaje të shkruar.
Genci Shkëmbi
Mero, më vjen keq, por dhe turp për ato që dëgjoj në lidhje me mënyrën se si po iu ‘trajton’ kryeministri që ju dhe ne bashkë kemi mbështetur, por mos u mërzit, kjo asgjë të keqe nuk të bën, përveçse një fitore popullariteti. Kam qenë, jam dhe do të jem një përkrahës juaji me çdo mënyrë. Ju uroj sukses në rrugën dhe misionin tuaj të vështirë.
Arbër Zaimi
Në solidaritet me gazetën “TemA”, personalisht e mbështes thirrjen e Lidhjes së Gazetareve, dhe çdo lloj reagimi tjetër kundër presionit dhe shtypjes së fjalës së lirë, nga një njeri që ka histori të përbindshme me mohimin e lirisë së shprehjes.
Andi Kananaj
Gazetat që në momente të caktuara marrin rolin e vështirë që ka marre përsipër gazeta “TemA” duhen mbështetur publikisht nga çdo njeri që i di vlerën lirisë së medias (që parimisht është amplifikimi i fjalës së lirë të çdo qytetari). Meqë kjo ndodh kaq rrallë në vendin tonë, për çdo moment kundërshtie duhet të mendohemi dy herë. Nuk është në lojë biznesi i një njeriu, bëhet fjalë për lirinë e të shprehurit të çdo individi veç e veç.
Olsi Rama
Kryeministri jonë nuk e di se ç’do të thotë fjalë e lirë. Për të ekziston vetëm ai. Ai harron se shteti është i atyre që vërtet e duan, që vërtet punojnë. Nuk mund të ketë fjalë të lirë më, kur drejtohemi nga njerëz që janë mësuar dhe janë pajtuar me shtypjen. Uroj që kjo çështje të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë.
Urban Leka
Solothurn, Zvicër
Edhe unë solidarizohem me luftën tuaj kundër qeverisë së korruptuar. Lajmin për ndodhinë e pashë edhe në këtë website.
http://www.xhemal-ahmeti.org/politika/
PS. Do ishte mirë që të publikonit adresat e e-mailit të qeverisë dhe institucioneve
tjera që t'i bombardojmë me protesta.
Rabie Bala
Solidaritet me thirrjen e Lidhjes së Gazetarëve kundër presionit të bërë nga qeveria shqiptare ndaj fjalës së lirë!
Kryeministri Berisha duhet të mendojë se çfarë po bën me median dhe mendo se çfarë imazhi i jepet një qeverie, kur bën kësi gafash me median.
Nuk e harroj asnjëherë të shtunën e kobshme, kur tërë ditën ngela në këmbë duke shikuar vëllezërit e motrat tona duke u djegur nga mos-përgjegjësia e dikujt, e kuptohet se e kujt!
Lexojeni Kenedin çfarë iu ka thënë ai gazetarëve në një rast, i cili ka pasur të bëjë me jetën e njerëzve. “Ju duhet ta kryeni detyrën tuaj”. Ndërsa ju sulmoni mediumin, i cili e ka si BETIM të vërtetën. Lëre fjalën e lirë të dalë, mos ia zë frymën. S’duam të besojmë se Shqipëria ka një qeveri që ngulfat Fjalën e Lirë.
Eraldo Meshini
Zoti Baze, ne mund të bëjmë peticione dhe protesta masive, por gjobat e sulmet vazhdojnë për të gjithë dhe pa u solidarizuar të gjithë nuk ecën para ky vend.
Niko Ago
Sa herë një qeveri i kundërvihet shtypit, shenjat klinikale të saj janë krejt shqetësuese!
Flora Floras
... Sa më të fortë kundërshtarët, aq më shumë rritet vlera e gazetës “TemA”. E përkrah plotësisht këtë gazetë dhe Mero Bazen. Respekt për fjalën e lirë!
Petrit Kola
Urdhri i Fazlliçit për të mbyllur gazetën “TemA”, që po realizohet nga zëdhënësi i tij dhe miku i shtëpisë, Berisha, nuk duhet të trajtohet në aspektin e fjalës dhe mendimit të lirë apo koncepteve të tjera romantike. Ky urdhër duhet të trajtohet si një sulm antishqiptar.
Gazeta “TemA” duhet të bëhet bashkë me zotin Spartak Ngjela dhe ta trajtojë problemin ashtu siç është, një sulm serb ndaj shqiptarëve. Gazeta “TemA” duhet t’i lërë hapësirë më të madhe shkrimeve proshqiptare, sepse Atdheu është në rrezik.
besibes@gmail.com
Ky është një e-mail solidarizimi me gazetën “TemA” për çështjen e mbylljes së saj.
Emra të tjerë nënshkruesish të tekstit të solidaritetit të gazetës “TemA”
Gazeta Shekulli
Kim Berisha
Habjon Hasani
Emiljano Bisha