E Diel, 1 Nëntor 2026

Një sjellje qeveritare që s’do koment

Nga Lutfi Dervishi

Shteti duhet të respektojë çdo kontratë, aq më tepër kur është fjala për kontratat afatgjata me operatorë mediatikë. Nuk është hera e parë që tentohet prishja e një kontrate afatgjatë me median. Më parë “TVA”, më pas “Top Channel” dhe tani gazeta “TemA”. Si princip, edhe në rastet madhore prishja e kontratës bëhet duke dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit palën e dëmtuar. Në një shtet dhe shoqëri të bazuar mbi normat demokratike dhe sundimin e ligjit nuk është normale që të zgjohesh në mëngjes dhe të lexosh një shkresë nga ministri, të firmosur nga dy ministra, se duhet të ngresh plaçkat me natë, se vendi i punës ku t’i punon është kthyer në “ambient interesant për publikun”. Gazeta tanimë ndodhet para një fakti të kryer. E vetmja rrugë ligjore mbetet dera e gjykatës. Precedenti që po krijohet është një mësim i hidhur për bizneset (kryesisht ato mediatike), që të mendohen mirë, nëse iu shkon në mendje të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me shtetin e vet. Kur lëvizje të tilla tektonike ndodhin brenda një mazhorance, imagjino çfarë garancie ke me një kontratë 20-vjeçare, ku teorikisht do të kesh të bësh minimumi me 5 qeveri!

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, një media funksionon si biznes dhe çdo pengim që i bëhet këtij biznesi automatikisht pengon lirinë e shtypit dhe të shprehjes, një nga boshtet ku mbështet funksionimi i një shoqërie të lirë. Kur bëhet fjalë për një media kritike ndaj qeverisë, komentet janë të tepërta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›