Ja planimetria, gazeta “TemA” nuk ka asnjë lidhje me ambientet ku do bëhen kartat
Gazeta “TemA” boton sot për të gjithë lexuesit e saj një planimetri të Tipografisë Ushtarake, duke sqaruar se ku është e pozicionuar gazeta dhe ku janë të vendosura ambientet ku do të prodhohen dokumentet e identifikimit. Është e qartë që kompania “Sagem”, e cila do të prodhojë këto dokumente, ka marrë një pjesë të sipërfaqes së Tipografisë, e cila nuk ka lidhje aspak me ambientet e marra nga shoqëria “Mediasoft”. Në plan mund të dallohet gjithashtu se ka një rrugë të veçantë që lidh ambientet e gazetës “TemA”, krejt e veçuar prej rrugës që korrespondon me ambientet e kompanisë “Sagem”. Në planimetri dallohen se si janë të vendosura katër kompani të ndryshme. “TemA” është e veçuar prej tyre, dhe ajo çka është për t’u theksuar, është se pikërisht me kompaninë Sagem nuk ka asnjë lidhje.
Gazeta “TemA” sjell sot për vëmendjen dhe respektin e lexuesit dhe shkresën e ministrit të Ekonomisë dhe Privatizimeve, Genc Ruli, për prishjen e njëanshme të kontratës së lidhur me gazetën “TemA”. Në shkresë pranohet se ka një kontratë që është lidhur në mënyrë të rregullt me gazetën “TemA”. Më pas theksohet se Ministria e Brendshme ka kërkuar që të lirohen këto ambiente. Më poshtë ministri Ruli ‘gjen’ dhe argumentin ligjor se këto ambiente duhet të lirohen, sepse kontrata prishet para kohe, kur e kërkojnë interesa publike.
Gazeta “TemA” sqaron ministrin se kjo është një tjetër shkelje e tyre, pas asaj për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme pa asnjë njoftim paraprak. Kjo për shkak se një kontratë prishet për interesa publike, kur ai mjedis i duhet dikujt tjetër. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë, për shkak se ai ambient do ngelet bosh, dhe shoqëria “Mediasoft”, që ka realizuar investime në atë vend brenda një kontrate të rregullt, do të zbohet.
Megjithatë, nuk do të ketë një vendim të tillë dhe për kompanitë e tjera të vendosura në këto ambiente. Siç dhe kemi sqaruar më parë, në këto ambiente është vendosur dhe shtypshkronja e letrave me vlerë. Nga planimetria mund të dallohet se ajo ka një pjesë të konsiderueshme të Tipografisë.
Gazeta ka deklaruar se do të kërkojë që gjykata të vendosë në lidhje me këtë prishje të njëanshme të kontratës, ndërsa thekson sërish se motivi është thjesht dhe vetëm politik, për shkak të një serie shkrimesh që kemi botuar, ku denoncohet korrupsioni i familjes Berisha.