Deklaratë e shoqatave të gazetarëve: Qeveria të tërhiqet nga hakmarrja mbi gazetën TemA
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë aktesh administrative dhe ligjore që çojnë në bllokimin e veprimtarisë së biznesit të gazetës “TemA” në Tiranë. Reagimi i qëllimshëm i qeverisë shqiptare shihet gjerësisht si një hakmarrje ndaj politikës editoriale të kësaj gazete, e cila ka udhëhequr zbulimin e disa skandaleve të mëdha korruptive në vend, siç ka qenë përzierja e familjarëve të kryeministrit në biznesin e demontimit të armëve që shkaktoi 26 të vdekur dhe miliona euro dëme, në përfshirjen e vajzës së tij në një sërë operacionesh ligjore që kanë favorizuar klientin e saj Damir Fazlliç, një mik dhe ndërmjetësues i bizneseve të pista pranë kryeministrit, si dhe kritikat e kësaj gazete ndaj shkeljeve flagrante ligjore që kanë shoqëruar prokurimin dhe zbatimin e ligjit në ndërtimin e një segmenti rrugor Rrëshen-Kalimash. Kompania e gazetës “TemA”, kishte fituar në vitin 2007, përmes procedurës së ankandit të hapur, një kontratë për nxitje punësimi dhe investimesh me Ministrinë e Ekonomisë, e cila synonte sipas një biznes-plani të investonte në një sipërfaqe të degraduar të një ish-shtypshkronje, duke ngritur një shtypshkronjë të re dhe duke e rritur investimin në të ardhmen. Kontrata është nënshkruar më datë 3 tetor 2007, mes Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanisë që boton gazetën “TemA”,. dhe ka një afat për 20 vite.
Brenda vitit kompania investoi në një shtypshkronjë të re dhe rindërtoi gjithë infrastrukturën e degraduar të kësaj shtypshkronje në një sipërfaqe 650 metra. Në pjesën tjetër të sipërfaqes prej rreth 9 mijë metrash katrorë gjenden dy shtypshkronja të tjera, si dhe është duke u vendosur një kompani franceze, e cila do të prodhojë aty kartat e identitetit. Pra, janë gjithsej katër biznese.
Në datën 10 dhjetor 2008, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë të prishë në mënyrë të njëanshme këtë kontratë, pasi, sipas saj, kompania franceze ka nevojë për një mjedis më të sigurt. Nga tri kompanitë e tjera, përveç kompanisë franceze, qeveria ka përzgjedhur vetëm gazetën “TemA” për të larguar. Gazeta “TemA” gjendet ndërkohë jashtë korpusit të ndërtimit ku është kompania franceze, ndërsa dy kompanitë e tjera janë brenda saj.
Në datën 16 dhjetor, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka urdhëruar prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme, ndërsa në datën 17 dhjetor qeveria shqiptare ka marrë vendim për ta shpallur territorin objekt me rëndësi të veçantë që do të ruhet me policë të Ministrisë së Brendshme.
Në këto kushte, brutaliteti shtetëror është i drejtuar vetëm ndaj gazetës “TemA” me qëllime të pastra politike, për shkak të qëndrimeve të ashpra të saj ndaj kryeministrit Berisha, si dhe për denoncimin e procesit jotransparent të privatizimit të ARMO-s nga Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga zoti Genc Ruli. Prishja e kontratës është nënshkruar nga Mimoza Vokshi, e njëjta zyrtare që ka qenë kryetare e Komisionit të Privatizimit të kompanisë ARMO.
Gazeta “TemA” do të ndërmarrë një proces ligjor për të frenuar këtë sulm politik që shkatërron biznesin dhe hedh poshtë investimet e saj.
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Forumi Shqiptar për Mediat e Lira i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të tërhiqet nga ky akt i pastër hakmarrës ndaj shtypit dhe t’i krijojnë normalitetin e duhur gazetës të vazhdojë punën e saj dhe të realizojë planin e investimeve, për të cilën qeveria shqiptare i ka mundësuar përmes një kontrate 20-vjeçare.