Kryeministri, Sali Berisha, kërkon mbylljen e gazetës “TemA”
Teksti i solidaritetit me gazetën “TemA”
Kryeministri, Sali Berisha, po përpiqet të fusë në vështirësi financiare dhe të bllokojë botimin e gazetës “TemA”, duke prishur papritur në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë arsyetim real një kontratë 20-vjeçare për investime të kësaj kompanie në fushën e medias. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka prishur kontratën në mënyrë të njëanshme më datën 16 dhjetor 2008, me arsyetimin për “interes publik”, ndërkohë që mjediset ku është vendosur shtypshkronja dhe redaksia e gazetës do të boshatisen pa i përdorur askush. Pretendimi i tyre, se diku afër do të ndërtohet një qendër për prodhimin e Kartave të Identitetit, është i dobët, pasi midis redaksisë së gazetës “TemA” dhe kësaj qendre ekzistojnë dhe dy shtypshkronja të tjera, njëra prej të cilave ka vetëm dy muaj që është transferuar aty me vendim të qeverisë.
Redaksia e gazetës “TemA” e ka vlerësuar këtë si një goditje të qëllimshme politike, të urdhëruar nga kryeministri, Sali Berisha, për shkak se gazeta ka denoncuar disa nga skandalet më të mëdha korruptive të këtij viti, siç është historia e korrupsionit që çoi në tragjedinë e Gërdecit, historia e sekserit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, i pranuar nga kryeministri si mik i familjes së tij, dhe abuzimeve financiare me rrugën e rëndësishme Rrëshen-Kalimash.
Ne protestojmë ashpër për këtë sulm hakmarrës ndaj medias së lirë dhe i kërkojmë Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit dhe institucioneve perëndimore të akredituara në Shqipëri, ta hetojnë këtë rast si një gjest të shëmtuar hakmarrës ndaj lirisë së medias, i cili do t’i rëndojë ndjeshëm hapave të ngadaltë që Shqipëria po hedh nën këtë qeveri drejt Bashkimit Evropian.
Shënim: Ky tekst do të jetë i botuar çdo ditë në gazetën “TemA” dhe në faqen e saj në internet www.“TemA”.al. Çdokush që kërkon të solidarizohet me të mund të nisë një e-mail ose një letër në gazetë. Adresa e e-mail-it është info@“TemA”.al . Gazeta do të botojë çdo ditë emrat e atyre që do të solidarizohen me gazetën