Nënë Tereza në sytë e botës

“Ne nuk jemi vetëm një numër në këtë botë. Ne jemi fëmijët e Zotit. Herën e fundit kur isha në Kinë më pyetën: Nënë Tereza, çfarë është komunisti për ju? Unë iu përgjigja: ‘Komunisti është fëmijë i Zotit, vëllai im, motra ime’. Kështu jemi absolutisht, ju dhe unë: motra dhe vëllezër. E njëjta dorë e dashur e Zotit na ka krijuar ju dhe mua, njësoj për të njëjtin qëllim: për dashuri të dyanshme... Si vjen paqja?
Nëpërmjet punës që e bëjmë me dashuri. Ku fillon? Në shtëpi. Si fillon? Duke u lutur së bashku... Dhe t’i shmangim ndarjet raciale, fetare ose etnike. Jemi të gjithë njësoj, fëmijët e së njëjtës dorë të dashur të Zotit, të krijuar për gjëra më të mëdha. Të përjetojmë kënaqësinë e dashurisë. Jemi mbledhur këtu nga të gjithë anët e botës për të gjetur rrugët e paqes. Të gjithë flasim për një uri të madhe. Ato që kam parë në Etiopi dhe në vendet e tjera, janë tmerre, sepse qindra e mijëra njerëz janë në prag të vdekjes për një kafshatë bukë dhe për një gotë ujë.
Njerëzit vdesin në duart e mia. Dhe pyesim pse ata e jo ne? Të lutemi për këto vuajtje të mëdha. Shenjtërimi nuk duhet të jetë luks për disa. Është punë e thjeshtë për secilin prej nesh. Shenjtërimi sjell dashuri dhe paqe dhe paqja na bashkon”. Këto janë vetëm disa rreshta nga fjalimi që Nënë Tereza mbajti në Organizatën e Kombeve të Bashkuara më 25 tetor 1985 në Nju Jork. Në çastin kur Nënë Tereza mbante fjalimin, të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara e kishin braktisur Asamblenë e Përgjithshme, në shenjë proteste. Të gjitha karriget e Shqipërisë në Asamble ishin bosh dhe kamerat televizive tregonin largimin e tyre.
Atëkohë, gruaja shtatshkurtër që çudiste botën me gjestet e saj të bamirësisë ishte e mohuar për shqiptarët. Me këtë fjalim të saj hapet libri “Nënë Tereza në sytë e botës”, përgatitur nga Mehmet Gëzhilli, botuar nga “Argeta LMG”. Në të gjen dedikime të personaliteteve të botës, presidentë, politikanë, shkrimtarë, aktorë, dëshmi të atyre që i qëndruan në krah apo që punuan, pjesë monografike dhe pjesë veprash që autorë të ndryshëm botërorë i kanë kushtuar Nënë Terezës. Ky botim pasohet nga një tjetër libër, i tëri bibliografik. Në të gjenden të dhëna të sakta për pasqyrimin e veprimtarisë apo të figurës së Nënë Terezës në shtypin shqiptar, me një intensitet të madh në këto 20 vite pasi e “rizbuluan” bamirësen shqiptare.
Të dyja këto botime vijnë në kuadrin e veprimtarive që ishin parashikuar nga MTKRS për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Në rreth 300 faqe gjenden dëshmi të rralla të të tjerëve, por edhe ato që Nënë Tereza ka thënë vetë në fjalime apo në takime, ku fliste gjithnjë për dashurinë, paqen, të varfrit. Shkrimtari i njohur italian, Pier Paolo Pasolini, ka thënë për të: “Më duhet të them se asnjëherë fryma e Krishtit nuk më është dukur kaq e gjallë dhe e ëmbël sesa në figurën e Nënë Terezës”, ndërsa Nelson Mandela, ish-presidenti i Afrikës së Jugut, kur ka mësuar ndarjen nga jeta të bamirëses është shprehur: “Vdekja e murgeshës katolike Nënë Tereza do të ndihet shumë në përpjekje për paqen botërore dhe për t’u ardhur në ndihmë nevojtarëve. Vdekja e saj është një humbje për të gjithë njerëzimin. Ajo do të na mungojë shumë në përpjekjet tona për të arritur paqen nëpër botë”. Pas shumë përpjekjesh, motrat e saj arritën të vijnë edhe në Shqipëri pas viteve ’90 për të ndihmuar të varfrit, ndërsa ndër vite, disa prej personaliteteve shqiptare që mundën ta njohin, shpalosën letrat e këmbyera, sendet që ajo u kishte dhuruar, të cilat përbëjnë dëshmitë e pakta që kanë mbetur prej saj në Shqipëri.
Në fakt, Nënë Tereza ishte një përjashtim në botën moderne, një grua e cila hoqi dorë nga gjithçka personale dhe gjendej në rrugët e Kalkutës, Etiopisë e vendeve të tjera, ku dhimbja e varfëria ishin ulur këmbëkryq. “Sëmundja më e keqe e Perëndimit sot nuk është tuberkulozi ose lebra, po është të ndihesh pa dashuri, apo të ndihesh i braktisur. Mjekësia mund të shërojë sëmundjet e trupit, por e vetmja kurë për vetminë, dëshpërimin dhe mungesën e perspektivës është dashuria.
Ka shumë njerëz në botë që vdesin për një copë bukë, por një numër akoma dhe më i madh vdes për mungesë të dashurisë. Varfëria në Perëndim merr forma të reja: nuk është vetëm vetmia, por edhe varfëria shpirtërore. Ka uri për dashuri, ka uri për Zotin”, thoshte ajo. Edhe në rastet kur nëpër botë i jepeshin çmime mirënjohje, përfshirë këtu edhe “Nobelin” për paqe, Nënë Tereza shprehej: “Nuk pranoj çmime në emrin tim, unë nuk jam asgjë”. Ndërsa ndodhi të vogla të treguara prej saj tregonin sesa shumë u popullarizua në botë misioni i saj dhe i motrave që e ndiqnin pas.
“Ditën tjetër më erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një letër prej një fëmije. E kuptova që ishte i vogël prej kaligrafisë së tij: “Nënë Tereza të dua shumë dhe të dërgova paratë e mia” dhe brenda letrës ishte një çek prej tre dollarësh”. Në një intervistë të saj, bërë jo shumë kohë para se të vdiste, ndërsa e pyesnin se kur e shikonte të gjithë jetën e saj, a do të thoshte se ka qenë e lumtur, ajo përgjigjej: “Një lumturi që askush nuk mund të ma marrë. Kurrë nuk kam pasur ndonjë dyshim ose ndonjë dëshpërim”. (Shqip)