E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënë Tereza, nga monedhat franceze tek filmat italianë

Gjithë bota feston 100-vjetorin e shenjtores shqiptare

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos që MTKRS-së, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’i shtohet fondi prej rreth 25 milionë lekësh për festimet e rastit, një shtesë kjo, që do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Tanimë, institucionet kulturore, të angazhuara në organizmin e veprimtarive, mund të realizojnë projektet e parashikuara. Prej muajsh, në ballinën e Pallatit të Kulturës është varur një kalendar gjigant, ku prezantohen të gjitha aktivitetet që do të organizohen për nder të Nënë Terezës. Ndonëse festimet duhet të kishin filluar qysh në fillim të muajit qershor, me ndonjë përjashtim të vogël, asnjë nga aktivitet e parashikuara në kalendar nuk është realizuar. Iku qershori, iku edhe korriku e jemi në ditën e pestë të gushtit dhe nuk u pa ndonjë ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, në muze, apo ndonjë shfaqje në Teatrin Kombëtar. Nuk dihet në ka qenë çështje fondesh, apo dëshirë e organizatorëve, për t’i shtyrë sa më shumë aktivitetet pranë ditëlindjes së shenjtores, në 26 gusht. Gjithsesi, pritet që muaji gusht të jetë disi më aktiv. Nëse do t’i përmbaheshim kalendarit të prezantuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në vijim do të kemi mundësinë të shohim ekspozita me fotografi e fakte të reja nga jeta e Nënë Terezës, pjesë teatrale, koncerte, promovime librash e konferenca shkencore. Në datën 26 gusht pritet që të vihet edhe guri i parë në memorialin kushtuar nobelistes, e cila është menduar të jetë një qendër multikulturore rinore, e cila do ngrihet në afërsi të Sheshit “Nënë Tereza”, pikërisht në hapësirën mes kolonave që ndajnë Muzeun Arkeologjik me Rektoratin e Universitetit të Tiranës.
Përkujtimi botëror
E gjithë bota është duke u përgatitur për të festuar qindvjeçarin e lindjes së Nënë Terezës së Kalkutës, murgeshës shtatvogël shqiptare, lindur në 26 gusht 1910, fituese e çmimit “Nobel” për Paqen, në vitin 1979, e bekuar në 2003 nga Papa Gjon Pali II.
Kalendari i ngjarjeve nisi një ditë pas ditëlindjes së saj të 99-ë, kur arqipeshkvi i Kalkutës nisi një rrugëtim në gjurmët e themelueses së Misionareve të Bamirësisë, me synimin për t’i sjellë pjesës tjetër të botës dëshmi të punës së saj. Janë ndërmarrë shumë iniciativa ndërkombëtare, duke përfshirë realizimin e një pulle postare me portretin e Nënë Terezës nga ana e Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në Francë, koleksioni “Kauza të mëdha”, ndërmarrë në vitin 2009 nga Monnaie de Paris është pasuruar me katër monedha përkujtimore me portretin e shenjtores shqiptare. Në Itali, në San Giovanni Rotondo, në afërsi të parkut të Papës, i është dedikuar një monument. Për këtë përvjetor kaq të veçantë Mondo Home Entertainment prezanton “Nënë Tereza”, një film të animuar mbi jetën dhe veprat e bamirësisë së gruas që ia kushtoi ekzistencën e saj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë.
Prodhuar nga “Mondo TV”, nën regjinë e Orlando Corradi & Jon Song Chol, filmi vizatimor 3D është realizuar me qëllim për t’u bërë të njohur edhe më të vegjëlve, përmes një gjuhe të thjeshtë dhe një grafike moderne, mirësinë e krijueses së kongregacionit të Misionareve të Bamirësisë. Ky prodhim i kuruar në detajet më të vogla tregon shumë episode të jetës së saj, edhe ato më pak të njohura. Muzika është realizuar nga fituesi i çmimit “Oscar”, Luis Bacalov. “Ky është një përvjetor shumë i rëndësishëm: duke propozuar këtë film të animuar, dedikuar jetës dhe veprave të bamirësisë së Nënë Terezës, ne duam që të mundësojmë një mjet për t’u bërë të njohur edhe më të vegjëlve një histori e vërtetë, një shembull të humanizmit, unik në llojin e vet”, thotë Guglielmo Marchetti, administrator i deleguar i Mondo Home Entertainment, duke shtuar se “Nënë Tereza” është rezultat i një përpjekjeje të vazhdueshme të Mondo TV në shpërndarjen e temave fetare, realizuar për kategorinë e fëmijëve. Ne kemi shpërndarë tashmë edhe filma të tjerë të animuar mbi temat fetare, si “Padre Pio” dhe “Jezusi, një mbretëri pa kufi”, të tjerët janë në proces prodhimi si “Karol”, “Sant Antonio”. Histori të rëndësishme, të treguara me thjeshtësi, me vlera të larta edukative dhe formuese.
“Nënë Tereza” është një film animuar, që zgjat rreth 90 minuta, me skenar nga Luciano Scaffa e vizatime origjinale nga Marco e Gi Pagot. DVD-ja do të jetë në shitje në Itali nga 25 gushti 2010 me një çmim prej 9.90 eurosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›