E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një javë kushtuar muzikës britanike



Një tur me muzikë britanike pritet të nxehë edhe më shumë stinën e verës në disa prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Bëhet fjalë për Javën e Muzikës Britanike, e cila do të zhvillohet nga data 12-15 gusht. Grupi i famshëm anglez “Tankus the Henge” do të jetë i ftuari special i këtij turi, shoqëruar nga “The Martin Harley Band” dhe Dj Piko. Në programin e turneut, i cili përfshin disa nga qytetet me numrin më të madh të pushuesve, është parashikuar një kolazh me krijimet e tyre më të mira. Turi fillon me qytetin e Sarandës, në Sheshin e Limanit, për të vijuar në Vlorë në sheshin pranë Pallatit të Sportit, në Durrës në sheshin “Taulantia” e në fund në qytetin e Korçës, në parkun “Rinia”. Java e Muzikës Britanike mundësohet nga British Council, në bashkëpunim me bashkitë e qyteteve, ku do të zhvillohen koncertet, “Vodafone” dhe radio “Club Fm”, ku çdo të shtunë në mbrëmje transmetohet muzikë britanike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›