E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënë Tereza, sot përvjetori i lindjes së një engjëlli

TIRANË-Nëse do ishte gjallë sot do të ishte 101 vjec. Shqiptarja që u bë më njeriu më popullor në Botë për shkak të manifestimit të ndjenjes së humanizmit sot ka pervjetorin e lindjes. Kjo është Nënë Tereza, fituesja e cmimit Nobel për Paqe.

Më rastin e përvjetorit të lindjes, në Indi, ku ajo kaloi dhe pjesën më të madhe të jetës u mbajtën sot lutje speciale në Shtëpinë e Nënës dhe në selinë botërore të Misionarëve të Bamirësisë. Murgeshat katolike të selise globale te Misionareve të Bamirësisë, qe u themelua themeluar nga vete Nënë Tereza u luten sot pranë varrit të saj.

Ndërsa në Shqipëri krahasuar me nje vit më parë ku u shënua 100 vjetori i lindjes së humanistes, këtë vit data nuk ka bërë bujë. Një vit më parë Kryeqyteti shqiptar përkujtoi me aktivitete kulturore 100 vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhi e njohur nga e gjithë bota si Nënë Tereza. Rrugët e qytetit u mbushën me postera që lajmëronin aktivitetet si dhe me thënie të kësaj figure me përmasa globale.

Nënë Tereza kaloi 45-vjet në shërbim të plotë të varfërve, të të sëmurëve, jetimëve duke ofruar dhe kërkuar ndihma për ta në mbarë botën.

Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo, ndaj në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri dhe nga "Motra Agnes" bëhet atëhere "Nënë Tereza", për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux, vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve. Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.
"Shenjtore e të varfërve", Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shënjtërimit të saj.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Indi, përkujtohet përvjetori i lindjes së Nënë Terezës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›