E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Stiv Xhobs, tremben investitorët e Apple

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. 56-vjeçari Stiv Xhobs është parë si forcë krijuese që ndihmoi Apple-n të jetë njëra nga kompanitë më të suksesshme në botë. Vite më parë, ai ka vuajtur nga kanceri në pankreas, ndërsa që nga janari ka qenë në pushim mjekësor, për shkaqe ende të pazbuluara. Xhobs njoftoi për dorëheqjen e tij në një letër drejtuar Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Apple. Xhobs kërkoi që të lejohet për të shërbyer si kryetar i bordit, drejtor dhe punonjës i kompanisë Apple. Ai po ashtu i rekomandoi kompanisë të emërojë Tim Kuk në postin e shefit ekzekutiv. Kuk, që është zyrtari më i lartë operativ në Apple, ka zëvendësuar Xhobsin gjatë mungesës së tij. Analistët e sektorit të teknologjisë thonë se vizioni i Xhobsit ka qenë çelësi thelbësor për suksesin e kompanisë. Ata thonë se Apple duhet t’i bindë investitorët dhe konsumatorët se kompania nuk ka nevojë për Xhobsin – që ishte forca prapa iMac-ut, iPod-it, iPhone-it dhe iPad-it – për të vazhduar futjen e produkteve të tjera të suksesshme. Mark Njumën është analist i elektronikës së konsumit në firmën Sanford C. Bernstein në Hong Kong. “Mendoj se për një kohë afat-shkurtër, nuk është ndonjë ndryshim i madh. Është një ndjenjë negative, një faktor i frikës, sepse Stiv Xhobs, kohët e fundit, ka sjellë ndryshime masive. Por, megjithatë, mendoj se në një afat të shkurtër nuk është një ndryshim i madh. Apple ka një cikël të madh produktesh dhe të gjitha produktet e ardhshme tashmë janë projektuar”, thotë Njumën. Por, investitorët e kanë trajtuar ndryshe largimin e tij. Pas publikimit të letrës së dorëheqjes, çmimi i aksioneve të Apple ka rënë për shtatë për qind në tregjet e mbarë botës. Shkrimtari britanik Toni Parsons, tha se “Stiv Xhobs ishte Leonardo da Vinçi i epokës sonë”. Erik Shmit, kreu i kërkimeve në internet i kompanisë Google, e ka quajtur Xhobsin “një nga udhëheqësit më të mëdhenj amerikanë”, duke thënë se ai ka kombinuar ndjenjën e artistit me vizionin e inxhinierit, për të ndërtuar një kompani të jashtëzakonshme”. Xhobs ka folur rrallë para publikut prejse është diagnostikuar me kancer. Por, ai ka folur gjerësisht për përvojën e tij me kancer gjatë fjalimit në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni, në qershor të 2005-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›