E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza

Ndonëse Parlamenti dhe Ministria e Kulturës e Maqedonisë kanë miratuar një program aktivitetesh për festimin e 100-vjetorit të lindjes së bamirëses, lëvizja “Zgjohu” propozon paralelisht një program të saj, që synon sipas tyre të eliminojë përvetësimet apo falsifikimet maqedonase për bamirësen shqiptare

Shqiptarët festojnë veçmas në Shkup
Manifestime të shumta janë lajmëruar në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Tri shtete, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë bërë të ditur më parë hartimin e një programi të specifikuar aktivitetesh gjatë 2010-s kushtuar bamirëses. Një ekspozitë arti e çelur mesditën e së shtunës në Suli-An në çarshinë e vjetër të Shkupit, ka paralajmëruar se veç aktiviteteve zyrtare (të pritshme të shkaktojnë debate për origjinën e Nënë Terezës), do të ketë një sërë veprimtarish organizuar nga lëvizja qytetare “Zgjohu”. Ekspozita në të cilën marrin pjesë tetëmbëdhjetë artistë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, aktiviteti çelës për këtë përvjetor, u ka shërbyer organizatorëve si një mundësi e mirë për të paraqitur para të ftuarve, mes të cilëve edhe trupi diplomatik, një program aktivitetesh që kërkon përkrahjen e shqiptarëve për t’u realizuar. “Në vendin e lindjes së Nënë Terezës, Parlamenti dhe Ministria e Kulturës kanë miratuar një program për shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm. Këto autoritete, që refuzojnë ta quajnë Nënë Terezën shqiptare dhe shpikën kombësinë "shkupjane", në vitin 2007 sollën vendimin për ndërtimin e kishës ortodokse mbi pllakën përkujtimore që shënon shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës. Për ta mundësuar këtë falsifikim dhe zhbërje të trashëgimisë shqiptare në sheshin e Shkupit, autoritetet e vendit kishin përgatitur një plan makiavelist për ta zhvendosur vendndodhjen origjinale të shtëpisë. Disa herë me radhë, “Zgjohu!”, bashkë me organizata të tjera, protestoi para shtëpisë së lindjes, si dhe gjatë inaugurimit të falsifikimit tendencioz. “Alarmuam gjithë hapësirën shqiptare dhe ndërkombëtare. Ky kapitull i betejës për ta mbrojtur shqipërimin e Shkupit vazhdon dhe duke u thirrur në këtë përvojë të hidhur, kemi droje se shënimi institucional në Shkup do t'i reflektojë vlerat përvetësuese që i ka kjo qeveri për figurat tona kombëtare, si dhe ato asgjësuese për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve nga kryeqendra e Dardanisë dhe Vilajetit të Kosovës”, shprehet Artan Grubi, përfaqësues i lëvizjes qytetare “Zgjohu!”. Në ekspozitën e mbështetur edhe nga shoqata kulturore “Draudacum” e Gostivarit, punë në pikturë e skulpturë sugjerojnë imazhe të ndryshme të Nënë Terezës, ndërsa artistët e tjetër sjellin motive të ndryshme, por me një mesazh të qartë. “Jemi të vetëdijshëm se kjo ekspozitë është ‘një pikë ujë në det’, në krahasim me shpirtin dhe veprën e Nënë Terezës, por sidoqoftë, mesazhi që duam të përcjellim është vazhdimi i rrugës së saj përmes artit dhe kulturës, artit si arma më e fuqishme e njerëzimit dhe artit si urë lidhëse mes çdo race dhe ngjyre. Edhe pse figura e saj konkretisht shihet vetëm në tri piktura dhe një skulpturë, lirisht mund të themi se shpirti i saj shihet në çdo vepër artistike të ekspozuar, sepse qëllimi i çdo artisti është reflektimi i ndjenjës për të bukurën dhe lidhja e saj e drejtpërdrejtë me humanen”, thekson kuratori i ekspozitës, Osman Demiri. Meqenëse ekspozita shënon vetëm nisjen e një sërë aktivitetesh të programuara, lëvizja “Zgjohu!” kërkon që të hapë një dialog gjithëpërfshirës për mbështetje institucionale dhe të shoqërisë shqiptare në Maqedoni për propozim-projektin për festimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës që pritet të ketë jehonë në shumë vende të botës, ashtu si edhe vetë imazhi i ndërkombëtarizuar i bamirëses. “Këtë propozim-projekt e kemi paraqitur ditën e martë para zv/kryeministrit Abdylaqim Ademi për të kërkuar përkrahje prej tij. Në parim ai u pajtua me të gjitha aktivitet tona dhe shprehu gatishmëri për të mbështetur projektin, por mbetet të qartësohen mbështetjet financiare”, shprehet Artan Grubi. Kështu, sipas këtij projekti të lëvizjes “Zgjohu!”, planifikohet realizimi i një kënge të lehtë moderne për Nënë Terezën, me kompozim të “Virus” dhe “Elita 5”, dhe të kënduar nga shumë artistë shqiptarë nga Maqedonia, si dhe incizimi i një spoti modern. Botimi i biografisë në gjuhën maqedonase, “Nëna jonë Terezë”, nga autori Don Lush Gjergji, shihet si një domosdoshmëri për t’iu kundërvënë pretendimeve mbi origjinën e saj. “Qëllimi është që të eliminojmë të gjitha tendencat maqedonase për të përvetësuar figurën e madhe shqiptare”, shprehet Grubi. Në vazhdim të aktiviteteve, parashikohet vendosja e një busti të bamirëses në parkun e Komunës çair në qytetin e Shkupit dhe riemërtimi i parkut "Nëna Terezë". Një koncert i madh filarmonik me instrumentistë nga Filarmonitë e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku besohet se soliste do të jetë Inva Mula, pritet të jetë një tjetër aktivitet i madh në kujtim të Nënë Terezës, ndërkohë që pasohet me prezantimin e një filmi të shkurtër dokumentar mbi jetën e saj. Thënia e saj e famshme: "Nga gjaku jam shqiptare, nga shtetësia indiane, nga besimi jam katolike, por për të gjithë ata që kërkojnë ndihmën time, i përkas gjithë botës", do të vendosen përgjatë gjithë vitit në billborde në qytete të ndryshme të Maqedonisë. Sipas Grubit, aktivitetet do të kulmojnë në datën 26 gusht, që shënon edhe ditën e lindjes së Nënë Terezës. Por ai thekson që pavarësisht se ngritja e kishës ortodokse është bërë pjesë edhe e planit të qytetit, përpjekja e lëvizjes “Zgjohu!” për sensibilizim do të vazhdojë. “Do të vazhdojmë me fushatën për të sensibilizuar opinion rreth shtëpisë së lindjes së saj në qendër të Shkupit, si dhe tendencës së qeverisë që të ngrejë një kishë ortodokse mbi pllakën përkujtimore të shtëpisë së familjes Bojaxhiu. Ne kemi organizuar disa protesta radhazi dhe kemi informuar autoritetet e Vatikanit dhe UNESCO-s”, thekson Grubi. Ende pa mbaruar 2009-a, qeveria shqiptare e ka shënuar ndër prioritetet e saj festimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Nga Ministria e Kulturës bëhet e ditur se do të punohet për një program aktivitetesh, por deri më tani ende nuk është ngritur grupi i punës që do të përcaktojë veprimtaritë kushtuar bamirëses.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›