Mesazhi i ri i Bin Ladenit Sulme të reja ndaj SHBA
Sheiku i terrorit ka marrë përsipër sulmin e dështuar të dhjetorit
Osama Bin Laden rikthehet sërish në skenë. Kësaj radhe përmes një mesazhi kërcënues drejtuar President të SHBA-ve, Barak Obama. Në një mesazh audio të transmetuar nga televizioni “Al Jazeera”, terroristi më i kërkuar në botë ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e dështuar të 25 dhjetorit dhe ka deklaruar për sulme të reja kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në muajt në vazhdim. Në datën 25 dhjetor, ditën e Krishtlindjeve, nigeriani 23-vjeçar, Umar Farouk Abdulmutallab, u përpoq të ndizte një lëndë eksplozive për të hedhur në erë avionin “Northwest 253” të kompanisë “Delta Airlines”, i nisur nga Amsterdami dhe me destinacion Detroidin. Por fatmirësisht ekuipazhi dhe pasagjerët arritën ta parandalonin në kohë këtë veprim që mund të merrte përmasa tragjike dhe që ktheu në vend edhe njëherë frikën e sulmeve terroriste, si ato të 11 shtatorit të vitit 2001. “Ky është një mesazh i Osama Bin Ladenit për Barak Obamën. Nëse mesazhet tona do të dëgjoheshin, nuk do t’i kishin hedhur në erë avionë”. Pastaj sheiku i terrorit e lidhi sulmin e dështuar të Krishtlindjeve me praninë e SHBA-ve në Lindjen e Mesme dhe me problemin e Palestinës: “është shumë e trishtuar të shohësh se ai jeton në një vend të sigurt, ndërsa vëllezërit tanë vuajnë në Gaza. Sulmet tona kundër jush do të vazhdojnë deri kur do të vazhdoni të mbroni Izraelin. Mesazhi që donim t’ju transmetonim përmes hedhjes në erë të avionit nga militanti Omar al Faruk konfirmon mesazhet e mëparshme që ju janë adresuar ju nga heronjtë e 11 shtatorit. Me këtë dua të them se SHBA-të nuk mund të jetojnë një jetë të qetë përderisa edhe ne në Palestinë nuk bëjmë një jetë të tillë”. Bin Laden foli vetëm pak ditë nga takimi ndërkombëtar që pritet të zhvillohet këtë javë në Londër për mënyrën se si duhen përballuar militantët islamikë në Afganistan dhe Jemen. “Ky ishte vazhdim i politikës së Al Qaedas që nga atentatet e 11 shtatorit të 2001”, thotë në video Osama. Ndërkaq, Britania e Madhe, në prag të takimit të së mërkurës dhe të së enjtes, ka rritur nivelin e kërcënimit terrorist në një më shumë. Rritja e këtij niveli do të thotë se shërbimet e sigurisë po marrin në konsideratë ndonjë atentat të mundshëm ndaj Anglisë, një prej aleatëve kryesorë të SHBA. Por çuditërisht Osama, në mesazhin e ri, nuk i referohet fare asaj çka po ndodh në Irak apo Afganistan, apo situatës në Europë. Vëmendja e tij është përqendruar në konfliktin Izrael-Palestinë dhe mbështetjen e shtetit hebre nga ana e amerikanëve.
Ende nuk është e mundur të sigurohet autenticiteti i mesazhit, por zëri i regjistruar u ngjan atyre të mesazheve të tjera të kreut të Al Qaedas. I fundit i përket datës 14 shtator, vetëm tre ditë pas 11 shtatorit. Atëherë sheiku i terrorit u kërkonte vendeve europiane të tërhiqnin trupat e tyre nga Afganistani. “Nuk po kërkojmë asgjë të padrejtë. Jeni ju që duhet t’u jepni fund padrejtësive dhe të tërhiqni ushtarët tuaj”. Për thuajse dhjetë vjet, Bin Laden ka arritur t’i shmanget ndjekjes më të madhe që i është bërë nga një superfuqi, një njeriu të vetëm në gjithë historinë botërore. Një nga këshilltaret më të afërta të Obamës për çështjet e terrorizmit thotë se amerikanët nuk kanë asnjë ide se ku mund të ndodhet ai. Në mungesë të lajmeve konkrete, Bin Laden është shndërruar në një mit të rrethuar nga thashetheme. Ndërkohë, gjatë viteve janë transmetuar shumë video, apo kaseta zëri, që pretendohet të jenë të Bin Ladenit, por autenticiteti i tyre është vënë shpesh në dyshim. Askush nuk mund ta vërtetojë vërtetësinë e tyre.
#