725 nëpunës kanë në ngarkim 46 banorë serbë!
Administrata e fryrë në komunat serbe në Kosovë
Politika nacionaliste, për nga vetë panatyrshmëria e saj, për më tepër e ngritur edhe në nivel zyrtar, vetëkuptohet që sjell dukuri anormale dhe alogjike, në rastin konkret, administrative, sikurse po ndodh aktualisht në Serbi, duke habitur madje edhe vetë opinionin publik serb. Ndërkohë që nëpunësit zyrtarë anekënd Serbisë, në kushtet e krizës ekonomiko-financiare që vazhdon të mbajë të mbërthyer këtë vend, kanë frikë të madhe për vendet e tyre të punës, për shkak të pakësimit të paralajmëruar të aparatit shtetëror, 3450 nëpunës zyrtarë serbë që punojnë në ato komuna me popullsi kryesisht serbe të Kosovës, që urdhrat i marrin nga Beogradi, nuk kanë pse të shqetësohen, sepse vala e pushimeve nga puna nuk do t’i prekë ata, vinte në dukje këto ditë gazeta e përditshme serbe “Glas Javnosti”, duke iu referuar shërbimeve qeveritare përkatëse serbe. Gazeta shpreh habinë lidhur me këtë fakt, duke theksuar se më e bukura është se pikërisht këta nëpunës nuk bëjnë asnjë punë në komunat, ku punojnë, pasi nuk kanë asnjë lloj kompetence, veçse marrin pagat, për të cilat çdo vit nga buxheti i shtetit serb shpenzohen më shumë se 13 milionë euro.
Që “ushtria” e nëpunësve serbë në komunat serbe të Kosovës nuk bën asnjë lloj pune flet edhe fakti, i publikuar nga gazeta e lartpërmendur serbe, se nga 3450 nëpunës 725 prej tyre kanë në ngarkim nëntë komuna thuajse “etnikisht të pastra”, në të cilat jetojnë gjithsej 46 serbë! Këta lloj nëpunësish nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë banorët serbë, sepse as nuk jetojnë në territorin e këtyre komunave, por diku në pjesën veriore të Kosovës, madje nuk janë pak ata nëpunës që jetojnë në Serbi, ku edhe marrin rrogat pa shkuar fare në komunat që mbulojnë; ata nuk mund të japin as leje, as ndonjë dokument tjetër, pra thjesht nuk mund të zgjidhin asnjë problem të përditshmërisë së banorëve serbë. “Përballë një situate të tillë problematike, qeveria e Serbisë mbyll sytë”, thekson gazeta, duke vazhduar më poshtë se, “ç’është më e keqja, qeveria, në vend që ta pakësojë këtë administratë, po e rrit atë në mënyrë të vazhdueshme”. Kështu, pak kohë më parë, në Komunën e Graçanicës është krijuar një e ashtuquajtur mbrojtje civile, në krye të së cilës është vendosur Sreçko Mitroviç, kuadër i kohës së Millosheviçit, në të njëjtën kohë pronar i një kopshti privat fëmijësh në Beograd, kurse si zëvendës i tij është caktuar Ljubisha Vasiç, i cili po ashtu ka biznes privat dhe jeton në Beograd! Secili prej tyre, bën të ditur “Kuriri”, merr si rrogë mujore më shumë se 800 euro.
Që nëpunësit serbë në komunat serbe të Kosovës nuk bëjnë asnjë punë dhe se atë punë atje mund ta kryejë një numër shumë më i vogël nëpunësish, e pranon edhe vetë Oliver Ivanoviçi, sekretar shtetëror në të ashtuquajturën “Ministri për Kosovën dhe Metohinë” në qeverinë serbe, i cili, megjithatë, përpiqet të shpjegojë faktin se përse pakësimi i aparatit shtetëror serb nuk do t’i prekë komunat e lartpërmendura. “Kundrejt komunave serbe në Kosovë do të aplikohen kritere më të buta, edhe pse nëpunësit në këto komuna nuk bëjnë asnjë punë, por vetëm marrin paga. Ky nuk është faji i tyre, por ka ardhur si rezultat i rrethanave të krijuara. Ne nuk do të lejojmë që ata të largohen nga Kosova, sepse ata do të përbëjnë një argument mjaft të fortë në bisedimet e ardhshme, deri te të cilat do të arrihet në mënyrë të pashmangshme”, vuri në dukje ai, i cituar nga gazeta e lartpërmendur serbe.
#