Trajneri i ri,Fortuzi e Lika,alternativat
Është ende herët për të folur për një kandidaturë të fortë që të marrë drejtimin e Tiranës, por me siguri që drejtuesit e klubit e kanë menduar prej ditësh largimin e Lonçareviçit nga drejtim i i skuadrës e për rrjedhojë kanë nisur të shqyrtojnë dhe mundësitë e reja për ta zëvendësuar atë. Për momentin kanë dalë dhe emrat e parë të mundshëm, ku nga gjiri i “familjes” janë shumë, duke filluar nga Fortuzi, Starova dhe Tafaj, por një kandidaturë potenciale është dhe ish-trajneri i Partizanit, i larguar vetëm një javë më parë nga Vllaznia, Hasan Lika. Problemi i këtij të fundit është se nuk e preferojnë tifozeria. Sidoqoftë, burimet tona pranë skuadrës shprehen se ditët e para të javës së ardhshme ekipin do ta drejtojë në stërvitje drejtori teknik Alban Tafaj, të cilit mund t’i kërkohet të vazhdojë të drejtojë skuadrën deri në fund. Për momentin mësojmë se Tafaj ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, edhe pse ditët në vazhdim mund t’i imponohet marrja e drejtimit të skuadrës. Edhe Starova është një teknik që e njeh mirë kampin bardheblu dhe një pjesë të mirë të lojtarëve. Lika ka drejtuar një pjesë të madhe të lojtarëve aktualë të Tiranës dhe vlerësohet si një teknik cilësor që di të ketë sukses. Vendimin përfundimtar presidenti Halili duket se do ta marrë në mesin e javës së ardhshme, pasi siç dihet për shkak të ndërprerjes së kampionatit është koha e mjaftueshme që të zgjidhet dhe kjo çështje.