“Neni 150 i Kushtetutës përcakton procedurën e referendumin popullor për heqjen e imunitetit”

Flet deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj
Anëtari demokrat i komisionit të ligjeve, Enkelejd Alibeaj deklaroi se mazhoranca parlamentare do të dërgojë ligjin për heqjen e imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë sipas procedurës së parashikuar në nenin 150 të Kushtetutës, prandaj votat e opozitës kthehen në të panevojshme.
Deputeti i Partisë Demokratike Alibeaj në një prononcim për mediat theksoi se kundërshtitë e juristëve të opozitës nuk qëndrojnë sepse maxhoranca nuk do të bazohet në nenin 177 për ndryshimin e lëndës së Kushtetutës, por në bazim të nenin 150 ku parashikohet mundësia me referendum ose të shfuqizosh një ligj (abrogativ), ose të miratosh një ligj të ri (afermativ), të barazvlefshme me ligjet e thjeshta ose me shumicë të cilësuar.
“Në nenin 177 kërkohen votat e opozitës, neni 150 nuk i kërkon, kërkon vetëm 1/5 e votave si inicim, pra mjaftojnë 71 vota. Neni 177 i Kushtetutës i referohet një lende që ka të bëjë me rishikimin e Kushtetutës, ndërsa neni 150 I referohet një rishikimi ligjor”, theksoi deputeti Alibeaj.
Pas deklaratës së kryeministrit Berisha se në dy javët e para të shtatorit demokratët do depozitojnë në Kuvend kërkesën e referendumit, PD e PS kanë replikuar për nenet mbi të cilit do depozitohet kërkesa.
Demokratët kanë vendosur ti referohen nenit 150 që parashikon se 1/5 e deputetëve, çka do të thotë 28 firmëtarë, mund të marrin iniciativën ligjore për t`iu drejtuar për referendumin. Procedura referendare është e parashikuar në Kodin Zgjedhor. Referendumi i përgjithshëm vihet në lëvizje me kërkesë të 1/5-es së deputetëve, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, ose me kërkesë të 50 mijë zgjedhësve. Duket qartë se varianti i 1/5-ës së deputetëve ose i VKM-së, në terma kohore janë pa ndonjë shpenzim kohor. Kuvendi është ai që vendos mbi një kërkesë eventuale të tillë, me shumicë të thjeshtë. Në rastin maksimal, një kërkesë e tillë mund të shpenzojë deri 3 javë (koha për ta futur në kalendarin e punimeve). Më pas, një kërkesë e tillë e miratuar nga Kuvendi, i kalohet Gjykatës Kushtetuese, e cila në maksimumin e vet ka vetëm 60 ditë kohë të shprehet. Më pas, është radha e Presidentit të Republikës të shprehet për datën e referendumit, brenda 45 ditëve, për caktimin e datës së referendumit. Pra, në aspektin kohor, maksimalisht shpenzimi kohor deri në caktimin e datës shkon në 130 ditë. Ndërkohë, viti 2013 është vit elektoral.
Sipas Kodit Zgjedhor, nuk mund të zhvillohen referendume 6 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit (fillimi i marsit). Kuvendi e përfundon mandatin në shtator 2013. Kjo do të thotë, që duke filluar nga shtatori (kohë kur nis veprimtarinë Kuvendi), hapësirë për të zhvilluar referendumin ka jo më pak se 180 ditë (mars 2013). Pra, ngelen plot 60 ditë hapësirë e lirë, brenda se cilës mund të caktohet data e të zhvillohet referendumi.